Nga Aurenc Bebja
“Le Siècle” ka botuar, të dielën e 27 qershorit 1880, në faqen n°2, shkrimin e gazetës austriake “Neue Freie Presse” në lidhje me organizimin e brendshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe dy misionet e saj, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Detaje mbi Lidhjen Shqiptare
Neue Freie Presse boton një shkresë të marrë nga Shkodra, të datës 23 qershor, e cila jep detajet e mëposhtme për Lidhjen Shqiptare:
“Komiteti i Lidhjes përbëhet nga 14 myslimanë dhe 8 të krishterë. Një komision prej 4 të krishterësh dhe 4 myslimanësh kujdeset për çështjet administrative dhe financiare. Disa ditë më parë, Lidhja vendosi të mbledhë taksat dhe një kontribut të 1/10. Në këtë mënyrë, qeveria turke humbi autoritetin e vetëm që i kishte mbetur në Shqipëri.
Lidhja i ka vendosur vetes dy detyra : së pari të parandalojë që asnjë pjesë e territorit shqiptar të mos i nënshtrohet Malit të Zi, pastaj të bëjë Shqipërinë një provincë autonome. Të krishterët ndryshojnë nga myslimanët vetëm në kërkesën që Shqipëria të ndahet plotësisht nga Turqia. Myslimanët janë të prirur të njohin sovranitetin e sulltanit.
Porta ka vetëm 5.000 ushtarë në Shqipëri, gjë që e bën fuqinë e guvernatorit, Izet Pasha thjesht fiktive. Përkundrazi, Lidhja kuvendon rregullisht, bën rezoluta, nxjerr dekrete dhe ka në dispozicion 6.000 shqiptarë dhe 1.100 mirditorë të mbledhur në Tuz, të komanduar nga Hodo Beu për myslimanët dhe nga Prenk Pashai (Prenk Bib Doda) për të krishterët.
Në thirrje të parë, 25.000 burra mund të mblidhen në Tuz.
Lajmi se fuqitë i dorëzuan Malit të Zi territorin midis Bunës dhe liqenit të Shkodrës ngjalli indinjatën më të madhe. Lidhja mbajti një kuvend dhe vendosi të luftojë deri në njeriun e fundit.
Lajmi se Italia nxit këto popullata është i rremë. Përkundrazi, françeskanët dhe jezuitët kanë bërë propagandë për Austrinë ndoshta me iniciativën e tyre.”