Mediat pranë kryeministrit janë hedhur në një sulm të dëshpëruar për të bindur nuk dihet se kë, se godina e Teatrit Kombëtar duhet shembur. Media që rëndom shtrojnë pyetje, pretendojë se bëjnë investigime, që kapin probleme ligjore, kësaj radhe janë dakord me apelin e qeverisë dhe duket sikur po bërtasin me thirrjen: Prisheni, prisheni.

Këtu çështja ka kaluar në kufijtë e absurdit. Nuk ka debat, ka tërheqje litari pa asnjë lloj sensi. Argumenti më i ri është se PD-ja e tradhëtoi Teatrin kur në vitin 2007 e nxori nga lista e monumenteve të kulturës, ose nuk e përfshiu fare atë. Po çfarë shton ky argument në përballjen e tanishme? Asgjë. Ose më saktë i jep peshë protestës. Pasi shumë pak kanë besuar se protestën duhet ta bazojnë te PD-ja, e cila reagimin e parë për Teatrin e pati një muaj pasi nisi protesta. Kjo gjë provohet kollaj.

Prezenca e PD-së në këtë protestë ka qenë e kushtëzuar prej përmasës qytetare që ajo mori dhe sigurisht askush që është i angazhuar në një kauzë nuk do të largonte një partner prej bashkëpunimit. Ndaj pse PD-ja është e përfshirë aty nuk e kompromenton pozitën e saj, por i bën nder asaj. Kjo edhe për faktin se PD-ja mund të jetë tërhequr nga shumë përballje, por nga tërheqja këtu do kishte tjetër lloj fature. Ana tjetër është se në çdo eventualitet, protesta sot e kushtëzon çdo vendim të PD-së nesër në pushtet për Teatrin dhe kjo është fitore e një proteste qytetare ku shumë njerëz u tubuan jo për sigla partie.

Lexo po ashtu:  Nëse Izraeli njeh Kosovën, Serbia nuk do e çojë ambasadën në Jeruzalem

Dhe në fund, ky mobilizim mediatik që shpik e qarkullon lloj-lloj argumentesh absurd, mesazhesh artistësh që marrin poza, dëshmon se nuk kemi të bëjmë me një përplasje partish. Por me diçka tjetër. Pavarësisht pozicionimit që kanë palët, duhet pranuar se protesta për teatrin ka vendosur një rekord pozitiv sidomos për një gjoja qytet si Tirana që demonstron vetëm me bilbil partie. Në këtë kuptim protesta ka arritur një fitore jo të vogël simbolike dhe përtej rezultatit konkret duhet të mos harrohet që ajo të përkujtohet nesër me një pllakatë, apo edhe një memorial, pse jo edhe duke shpallur një ditë të posaçme të protestës. Sot jo, sepse pushteti që ka monopolin e datave nuk e bën. Nesër patjetër, sepse pas protestës së armëve kimike, është e vetmja protestë gjenuine kundër një projekti, në mbrojtje të një pikëpamjeje për historinë dhe trashëgiminë dhe kundër interesave që nuk kanë të bëjnë gjëkundi me interesin publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *