Qeveria në detyrë vendosi falmurin e komunitetit LGBTI+ në ndërtesën e saj, pas kritikave dhe ankesave nga ky komunitet dhe përkrahësit e tyre, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të tyre.
Organizata CSGD, nga komuniteti në fjalë, ka kërkuar zyrtarisht që për 17 maj, kjo ndërtesë të ndriçohet me ngjyrat e ylberit, e të cilat i përfaqësojnë ndërkombëtarisht.
Por, ky veprim e ka shqetësuar imamin e Vushtrrisë, Bedri Haliti i cili e ka quajtur turp dhe mëkat, ndërsa anëtarët e komunitetit LGBTI+ i ka quajtur të prishur dhe të degjeneruar, si dhe ekstremistë.
Në një ligjëratë online të publikuar në faqen e Xhamisë “Sheik Zayed”, imami Haliti vendosjen e falmurit të këtij komunitet e ka quajtur edhe terrorizëm.
“Qeveria pranon të vendos amurin e LGBTI-së në ndërtesën e Qeverisë, edhe pse në kohën e kësaj epidemie. Është edhe mëkat edhe gjynaf, degjenerim dhe terrorizëm, që amuri i këtyre grupeve të terroristëve, ekstremistëve, njerëzve të prisht të vihet amuri të vendoset në ndërtesën e shtetit.
Është derdhë gjak i madh, për fenë e kombit tonë,për të drejtat tona kombëtare e fetare e njerëzore, për lirinë tonë, të vendoset amuri i liqt i prisht i njerëzve të prisht që shkatërron fenë, atdheun, shtetin, njerëzimin. Janë njerëz që i kanë kaluar të gjithë kujtë të së keqës. Kjo quhet jo kulturë, jo njerëzore”, ka thënë ndër të tjera ai.