Ish-sulmuesi i Brazilit, Giovane Elber, mendon se Barcelona nuk duhet të nënshkruajë me Neymar, pasi ai e braktisi më 2017, për t’u bashkuar me PSG. 28-vjeçari është lidhur me një rikthim në “Camp Nou”, gati 3 vite pasi u bashkua me gjigantët parizienë për shifrën rekord botëror të 222 milionë €.
Por Elber, i cili pati statusin e yllit te Bayern Munich, luajti edhe 15 ndeshje me “Selecao” gjatë karrierës së tij, tha se si duhet të veprojnë gjigantët e La Liga-s me bashkatdhetarin e tij. I pyetur nga “Cadena SER” nëse Barça duhet të nënshkruajë përsëri me Neymar, Elber tha: “Jo. Meqë ai vetë u largua nga Barcelona, nuk ka asnjë mundësi të kthehet aty. Për mua, Neymar u soll shumë keq me Barçën. Kur donte të largohej që aty, ai tha se dëshironte të ishte më i miri në botë.
Por, për hir të Zotit, si mund të bëhesh më i miri në botë duke luajtur për PSG-në?! Për t’u bërë i tillë duhet të luash me Real Madridin ose Barcelonën, në ndonjë ekip ku mund të fitoni Ligën e Kampionëve. Unë besoj se PSG nuk do të jetë në gjendje ta fitojë Ligën e Kampionëve edhe për tri ose katër vitet e ardhshme”.