Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kërkesë për lirimin e Boiken Abazit, i cili u arrestua në protestën për kundërshtimin e rrënimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se shpresojnë që ndalimi i Abazit të mos jetë hakmarrje e ndonjë “idhnaku” të prishjes së pazareve me Vuçiqin, përcjell “Zeri.info”.

“Ndalimi i tij shpresojmë të mos jetë hakmarrje e ndonjë idhnaku, që mban inat për prishjen e pazareve me Vuçiqin. Vuçiqi mund të jetë mik individual i dikujt, por ai nuk mund të jetë kurrë mik i shqiptarëve, për shkak të historisë e politikës që ai përfaqëson”, thuhet në reagimin e LVV-së, i postuar në “Facebook”.

Më tej, përmes këtij reagimi nga LVV-ja kanë thënë se përpjekjet për ta ndalur protestën me burgosje është dëshmuar që vetëm e rrisin edhe më shumë protestimin.

“Ndërtesa e Teatrit ishte vlerë e dashur për qytetarët, shkatërrimi i saj ishte barbari e paqytetëruar. Protestuesit ishin paqësorë, prishja e Teatrit ishte brutale. Ata po mbahen pa arsyetim dhe me urdhër të prerë politik. Përgjegjësit politikë atje duket qartazi se po dëshirojnë ta bllokojnë shprehjen qytetare në formë proteste dhe pjesëmarrjen publike me argumente në kundërshtimin e rrënimit të Teatrit Kombëtar. Mirëpo çdo përpjekje për ta ndaluar protestën qytetare me burgosje është e dëshmuar që vetëm e rrit protestën dhe rezistencën”, thotë LVV-ja.

Lexo po ashtu:  Franca vazhdon të humbasë me Dinjitet

Kjo parti ka kërkuar nga organet e drejtësisë në Shqipëri lirimin e Abazit dhe hetimin e shkelësve, e atyre që ushtruan dhunë mbi protestuesit.

“Kërkojmë nga organet e drejtësisë së Republikës së Shqipërisë që të ruajnë integritetin duke mos e vijuar më tej këtë burgim politik të protestuesve, si dhe të nisin hetimet për rrënuesit e Teatrit Kombëtar dhe ata që ushtruan dhunë mbi protestuesit, për shkelësit e vërtetë të Kushtetutës, të ligjeve në fuqi e të procedurave demokratike dhe transparencës sa i përket vendimmarrjes”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *