Milan Stamatoviq, kryetari i partisë “Zdrava Srbija” (Serbia e Shëndetshme), ka kërkuar që Serbia t’i dërgojë forcat e saj ushtarake në Kosovë.

Në një emision televiziv në televizionin publik serb RTS Stamatoviqi, që është edhe kryetar i komunës Çajetin, ka thënë se kjo duhet bërë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Thirremi në Rezolutën 1244, e cila thotë se mund të kthejmë 1 mijë ushtarë dhe policë. Nuk e di përse shteti nuk mundet ta bëjë këtë”, ka thënë Stamatoviqi, transmeton “Zeri.info”.

Ai shtoi se nuk do të ishte e pranueshme që Serbia të hiqte dorë nga 17% e territorit të saj (duke iu referuar Kosovës) për hyrjen në BE, duke përmendur shembullin e Korsikës.

“Atje keni më shumë italianë sesa francezë. A mund t’i thotë dikush Macronit se ajo pjesë i takon Italisë”, ka pyetur ai.

 

Ai tha se partia e tij do ta zbatonte konceptin e funksionimit të Serbisë me kantone, rrjedhimisht “idenë e dikurshme të rajoneve që e shkatërroi Dinkiqi”, koncept që, sipas Stamatoviqit, do t’i kënaqte të gjithë.

Lexo po ashtu:  KMDLNJ i reagon ashpër Borellit dhe Lajçak: Po silleni si emisarë të Vuçiqit - Po ndani drejtësi sipas ligjeve të 'car Dushanit'

Edhe kryetari i partisë Aleanca Patriotike Serbe, Aleksandar Shapiq, i cili është edhe kryetar i komunës më të madhe të Beogradit, Beogradi i Ri, ka thënë se do të donte ta shihte Kosovën pjesë përbërëse të Serbisë, që njerëzit të kthehen “në shtëpitë e tyre shekullore” dhe që jeta e serbëve dhe e shqiptarëve të vazhdojë.

I pyetur se si do ta formulonte pyetjen në një referendum eventual për statusin e Kosovës, Shapiqi u përgjigj me një kundërpyetje se përse të dilet në referendum.

“Sa më përket mua, nuk duhet të dalim. Nëse Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, përse të dalim në referendum”, pyeti Shapiqi.

Ndërkaq, për çështjen e Bashkimit Evropian dhe të Kosovës Shapiqi tha të mos ketë dëgjuar nga askush zyrtarisht se ekziston ndonjë kusht për anëtarësim.

“Madje s’kam dëgjuar as që na kanë ftuar”, tha kryetari i partisë Aleanca Patriotike Serbe, Aleksandar Shapiq.

Por, kryetari i partisë SPP (Partia për Pajtim dhe Drejtësi), Muamer Zukorliq, propozoi që çështja e Kosovës të zgjidhet sipas modelit të dy Gjermanive dhe shtoi se është e nevojshme të gjendet një marrëveshje për zgjidhje të qëndrueshme.

Lexo po ashtu:  Gjeni njerëzor gjeneron tru më të madh te majmunët

Zukorliqi tha se dilema për hyrjen në BE ose për mbetjen e Kosovës në kufijtë e Serbisë nuk duhet menduar në kuptimin “ose-ose”, por se, sipas tij, është e mundshme edhe qasja “edhe-edhe”.

“Kjo zgjidhje është e mundshme kur kemi flasim për Kosovën dhe rrugën drejt BE-së”, tha Zukorliqi.

Ai shtoi se “disa gjëra të hidhura duhet të përpihen” dhe shtoi se është problem që për çështjen e Kosovës, në 30 vjetët e fundit, “janë injektuar shumë emocione”.

Shtoi se në interesin e popullit serb është që të çlirohen nga emocionet dhe tha se mendon që është gabim që diçka të shpallet e shenjtë, zemër ose Jerusalem.

“Kur diçka e trajtoni me zemër, me shenjtëri, me një qëndrim të tillë, ndërsa më vonë vini në situatën e pafuqishmërisë, atëherë keni hyrë në një problem të madh”, përfundoi Zukorliqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *