Grekët dhe kompleksi i inferioritetit para etnisë shqiptare

Prof.dr. Eshref Ymeri

Studimi me titull “Arvanitas me shumë emër” i poetit dhe shkrimtarit të njohur Arqile V. Gjata, i botuar në portalin “Fjala e Lirë” të datës 26 maj, më la mbresa të thella. Është një studim shumë serioz, i cili, për interesimin që ngjall për lexuesit me vetëdije të lartë kombëtare, mund të shërbejë si temë doktorature për ta mbrojtur para një jurie me autoritet shkencor.

Në këtë studim, autori, në këndvështrimin tim, si askush deri më sot, i ka bërë një vlerësim të përkryer figurës së Arvanitasit të Madh Aristidh Kola. Ai shkruan:

“Pa dyshim dhe pa e tepruar mund të themi se Aristidh Kola është personaliteti më i madh e më produktiv i arvanitasve gjatë pesë shekujve të fundit (pas vdekjes së heroit tonë të madh, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut). Kontributi i tij në çështjen tonë kombëtare e veçanërisht asaj kosovare, është madhor, tepër konkret dhe i mbështetur në prova e argumente të pakundërshtueshme shkencore, të shtrira këto në kohë e hapësirë”.

Autori përmend shumë dëshmi për shqiptarët-arvanitas, por unë do të ndalem në dy prej tyre, meqenëse më duken tepër domethënëse.

Së pari, ai përmend mbretin e parë të Greqisë, 17-vjeçarin  gjerman Otto (Otto von Bayern 1815-1867) të dinastisë së Vitelsbahëve, i cili mbretëroi në Greqi prej vitit 1832 deri në vitin 1862. Ai shkruan:

“Parlamenti Kombëtar i Greqisë në Argolidë me mbretin Otto më 1832 dhe gjatë një dhjetëvjeçari, bisedonte… në gjuhën shqipe, ndërsa shkresat administrative hartoheshin në greqisht. Veç kësaj, mbreti i parë i Greqisë, gjermani Otto, që me ardhjen e tij në Greqi si filohelen i madh, iu fut studimit të gjuhës greke me themel. Gjatë katër vjetëve e më shumë, me qëllim, siç thoshte ai, që të mund të fliste me popullin e tij e t’i njihte drejtpërsëdrejti, vuri re se populli i tij nuk fliste greqisht, por shqip! U zemërua keqas me njerëzit që e rrethonin dhe menjëherë e la vazhdimin e mëtejshëm të mësimit të greqishtes”.

Së dyti, ai përmend deklaratën e Aristidh Kolës:

“Në Greqi pak njerëz nuk e kanë gjyshen apo gjyshin arvanitas”.

Vetëm këto dy dëshmi janë mjaft kuptimplote: shqiptarët, që e kanë prejardhjen nga lashtësia pellazgoiliriane, përbëjnë themelin e Greqisë.

Një gjë të tillë e pranojnë edhe disa intelektualë grekë. Njërin prej tyre e citon profesori Arben Llalla:

“Shkrimtari dhe poeti i njohur grek i ditëve tona Nikos Dhimu, në një intervistë që i ka dhënë më 23 qershor 2009 gazetës së madhe NY TIMES, u shpreh:

”Ne flisnim shqip dhe vetquheshim romaikos, por pastaj na tha: “Gëte, Viktor Hugo, Delacroix: “Jo, ju jeni grekë, pasardhës të drejtpërdrejtë të Platonit e Sokratit…”. Në qoftë se një vend i vogël, një komb i varfër ka një barrë të tillë mbi supet e tija, ai kurrë nuk do të shërohet…”.

Siç e deklaron shkrimtari Niko Dhimu, grekët e sotëm nuk janë ata grekët e lashtë që pretendonte historiani gjerman në shekullin 18 Johann Winckelmann, i cili krijoji vizionin se Greqia e lashtë është populluar nga njerëz të bukur, me flokë të verdhë e të gjatë, njerëz të zgjuar. Ky përfytyrim i Johann Winckelmanit, në të vërtetë, ka lidhje me ilirët, të cilët kishin këto karakteristika, pra, ata, grekët e lashtë, kanë qenë ilirët dhe jo grekët e sotëm” (Citohet sipas: Prof. Arben Lalla. “Dyshime për identitetin e grekëve të sotëm me grekët e lashtë”. Faqja e internetit “Albaniapress”. 10 prill 2010).

Lexo po ashtu:  Fragment nga “Doktor Gjilpëra”, Faik Konica

Historiani grek Konstantinos Pangalis shpjegon se kush janë grekët e sotëm, kush ishin helenët dhe shqiptarët. Shpjegon se ne (shqiptarët – E.Y.) jemi të parët e kësaj toke, shpjegon se historia e sotme greke nuk ka lidhje me të vërtetën, shpjegon se shqiptarët janë ilirë, shpjegon se helenët jemi ne, por jo grekët e sotëm!” (Citohet sipas: Historiani grek Konstantinos Pangalis: Shqiptarët janë të parët e tokës sonë! (video)”. Faqja e internetit “Voal”. 21 shkurt 2020).

Autori thekson:

“Pas fitores dhe shkëlqimit të revolucionit 1821, emri i arvanitasve dëgjohet për herë dhe më pak…”.

Nga libri i Aristidh Kolës, me titull “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”. Shtëpia Botuese 55. Tiranë 2002, f. 550), autori ka nxjerrë citatin e mëposhtëm, në të cilin dalin në pah arsyet se pse emri i arvanitasve, i krijuesve të vërtetë të shtetit të pavarur grek, “dëgjohet përherë dhe më pak”:

“Me gjithë goditjet nga pedantët e pushtetit në Greqi, arvanitëria e Greqisë vazhdon në qetësi ecurinë e saj historike”.

Pra, pas fitores së atij revolucioni, në Greqi filloi të kristalizohej gjithnjë e më shumë politika çkombëtarizuese kundër arvanitasve, e cila nisi me shfarosjen e krerëve kryesorë që organizuan dhe udhëhoqën atë revolucion, me zhdukjen e të gjithë dokumentacionit, në të cilin dilte në pah kontributi i tyre, si edhe me ngritjen në politikë zyrtare të qëndrimit shovinist jo vetëm ndaj arvanitasve, por edhe ndaj mbarë kombit shqiptar në tërësi. Ky qëndrim shovinist u konkretizua me aprovimin e platformës famëkeqe “Magali Idea”, të pasqyruar në Kushtetutën e vitit 1844, fryt i bashkëpunimit të kryeministrit shovinist Jani Koleti (Ioannis Kolettis1773-1847) me mbretin Otto.

Gazetari, politikani dhe historiani austriak Jakob Philipp Fallmerayer (1790-1861) është shprehur qartë:

“Revolucioni për pavarësinë e Greqisë ishte një revolucion shqiptar dhe jo grek”.

Shqiptarët-arvanitas, megjithëse trima me emër të madh, vërtet e siguruan fitoren e atij revolucioni të ashtuquajtur grek. Por harruan përmbajtjen e dy aforizmave të famshëm që vijnë nga lashtësia: harruan aforizmin e famshëm të Platonit (428-348 p.e.r.):

“Fitorja mbi vetveten është e para dhe më e mira e të gjitha fitoreve. Të jesh i mundur nga vetvetja është gjëja më e turpshme dhe më e keqe”.

Harruan edhe aforizmin po aq të famshëm të Ciceronit (106-43 p.e.r.), në të cilin thuhet:

“Fitorja më e madhe është ajo që sigurohet mbi vetveten”

Arvanitasit e siguruan fitoren në frontin e luftës, por dështuan në frontin e pasluftës: pasluftën ua lanë në dorë grekëve për ta administruar. Kjo për arsye të përçarjes që e ka karakterizuar etninë shqiptare që së lashti, përçarje që ka shërbyer si “fidanishte” për mbjelljen e një urrejtjeje të çuditshme ndërshqiptare, me pasoja tragjike për fatet e kombit tonë. Sikur arvanitasit ta kishin mbajtur nën administrim të rreptë edhe pasluftën, Greqia sot do të fliste shqip dhe grekërit e mbetur në ato troje, do të trajtoheshin si një minoritet i respektuar.

Grekët, sigurisht, të torturuar nga kompleksi i inferioritetit para arvanitasve që bënë revolucionin, ngritën më këmbë mbarë opinionin publik dhe, nën drejtimin e kishës shoviniste greke, ringjallën traditën e misionarit famëkeq Kozma për ndalimin dhe mallkimin e gjuhës shqipe, si Gjuhë e Perëndive, siç e ka titulluar veprën e vet Aristidh Kola, të botuar në vitin 1989. Dhe është e kuptueshme. Për çkombëtarizimin e një populli, mënyra më dobiprurëse ësht ndalimi i gjuhës së tij, sepse gjuha është pasqyra e identitetit të tij kombëtar.

Lexo po ashtu:  Shkrimi për dëshmitarët e Hagës që çoi në burg ish-luftëtarin e UÇK-së Dritan Goxhaj

Kolë Boçari, profesor historie në Universitetin e Kuislandit në Australi, në vitin 1996 bëri një replikë me ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Europeans”, në të cilën u shpreh:

“Mësova për deklaratën tuaj, z. Ministër, në të cilën ju pohuat se në Greqinë e sotme nuk ka minoritet. Ju ose e keni humbur lidhjen me realitetin, ose ju ka verbuar fare nacionalizmi… Në Greqi jo vetëm që ka minoritet, por atje ekziston një minoritet i madh, mbi 2 milionë banorë, që kanë pushtuar Peloponezin, Athinën, Thrakën, Livadhianë.., gjë të cilën Greqia e ka mohuar gjithmonë… Unë dhe familja ime jemi një nga viktimat e këtij represioni shekullor… Ju na ndaluat me forcë, që ne, arvanitasit, ta ushtronim meshën në gjuhën shqipe, të flisnim publikisht në gjuhën e nënës, madje na përgjonit që të mos flisnim lirisht edhe në shtëpi… Për këtë shkak, kemi ikur nga fshati i lindjes në Peloponez, për të gjetur lirinë këtu, në Australi…”. (Citohet sipas: Nuri Dragoj. “Shqiptarët dhe grekët. Realitete historike”. Shtëpia Botuese “Weso”. Tiranë 2009,  f. 326).

(Profesor Boçari bën një gabim të vogël: ministrin grek nuk e kishte verbuar nacionalizmi. Përkundrazi, e kishte verbuar shovinizmi).

Në arritjen e objektivit të tyre për falsifikimin e historisë sonë të lashtë dhe ndalimin e gjuhës shqipe, grekëve u erdhën në ndihmë edhe personalitete të shquara të kulturës evropiane, që u përmendën më lart, si historiani gjerman Johann Winckelmann  (1717-1768), shkrimtarët Gëte (1749-1832) , Viktor Hugo (1802-1885) dhe piktori francez Delakrua (Delacroix – 1798-1863).

Me përkrahjen e tyre të padrejtë që këto personalitete i dhanë Greqisë, mohuan prejardhjen e kombit tonë, si kombi më i lashtë, falsifikuan historinë, duke shpikur lidhjen e paqenë mes grekëve të sotëm dhe atyre gjoja grekë të lashtësisë, mohuan lashtësinë e gjuhës shqipe, si themeli i gjuhëve evropiane, duke mos marrë në konsideratë mendimin e pararendësit të tyre gjerman, të filozofit dhe dijetarit të shquar Leibnic (Leibniz – 1646-1716), i cili thoshte:

“Në qoftë se duam të dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t’i drejtohemi gjuhës shqipe”.

Ata, gjithashtu, anashkaluan pikëpamjet e studiuesit gjerman Johan Turhan, të shprehura në librin me titull “Kërkim në histori”, të botuar në Lajpzig në vitin 1774, në të cilin ai shkruan:

“Asnjë popull tjetër i botës, në të cilën jetojmë, nuk është aq i panjohur për Evropën Perëndimore, për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës se shqiptarët. E megjithatë, ai është populli kryesor i botës së lashtë e të rëndësishme që çdo historian do të donte ta njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëtitë e mëdha në historinë e vjetër dhe të re të Evropës”.

Në vitin 1998, Shtëpia Botueswe “Planet” botoi librin e Aristidh Kolës me titull “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit”, në përkthimin e Milto Gurrës.

Në atë libër del në spikamë qëndrimi i Aristidh Kolës ndaj politikës greke, e cila, gjatë masakrave që shovinizmi serbokriminal po kryente në Kosovë, mbronte fuqimisht Millosheviçin, duke u renditur përkrah politikës së shovinizmit rusomadh, armikut të betuar tradicional të kombit shqiptar.  Ai ishte një qëndrim i turpshëm i politikës zyrtare greke ndaj popullit shqiptar të Kosovës, dhe po mbetet i tillë, përderisa Athina vazhdon ende të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, qëndrim që të linte të kuptoje se ai mbahej edhe ndaj mbarë kombit shqiptar. Ai qëndrim, i cili nuk mund të vlerësohej ndryshe, veçse si qëndrim çmendurak, të sjell në kujtesë një deklaratë të vitit 1981 të presidentit grek Karamanlis, i cili thoshte:

Lexo po ashtu:  Serwer ia kujton Vuçiqit se e presin ditë të vështira nëse nuk e njeh Kosovën

“Greqia është një azil të çmendurish” (Citohet sipas: Robert D. Kaplan. “Greqia – gruaja e Lindjes, dashnorja e Perëndimit”. Shtëpia Botuese “Dituria”. Tiranë 2002. f. 40).

Pse të mos jenë të çmendur grekët! Fajin e kanë krerët arvanitas të revolucionit, demek, grek, që, siç u përmend më sipër, s’e morën situatën në dorë, që lejuan t’i vidhej historia jo vetëm Arvanitisë, por edhe mbarë kombit shqiptar, të falsifikohej ajo në mënyrën më skandaloze dhe grekët të fitonin edhe mbështetjen e personaliteteve të lartpërmendura të kulturës evropiane, të cilat, të brejtura nga smira për lashtësinë e gjuhës shqipe, trilluan një tjetër histori të Greqisë. Pra, nëse krerët arvanitas do ta kishin qeverisur siç duhet periudhën pas revolucionit, sot grekët nuk do të ishin fare të çmendur dhe, në rolin e minoritarëve, do të punonin të qetë, në bashkëpunim me arvanitasit dhe me mbarë kombin shqiptar.

Për aktivitetin e tij të shquar në shërbim të së vërtetës për shqiptarët arvanitas, Aristidh Kola duhej t’i paguante një haraç të madh shtetit shovinist grek. Dhe e pagoi. E pagoi me jetën e vet. Në një nga takimet e fundit pranë shtratit të vdekjes, – siç shkruan Kolec Traboini, – i kishin shkuar ambasadori shqiptar Kastriot Robo, bashkë  me avokatin shqiptar Ilir Malindi, i cili më pas dëshmon:

“Unë pata rastin që ta vizitoj të madhin Aristidh Kola në ditët e fundit të jetës së tij, në spitalin e Athinës “Evangjelizmos” dhe pashë gjendjen e tij të pashpresë… I dhashë kurajo, duke i thënë se së bashku do të vazhdonim me studimet dhe publikimet e reja, mirëpo… Ahhh! Ai, me trishtim dhe me krenari njëkohësisht, na tha këto fjalë:

“Ju lutem, mos ushqeni asnjë iluzion. Mua më vranë dhe kështu kanë vepruar edhe me dy kryetarët e tjerë të Shoqatës së Shqiptarëve “Marko Baoçari”, të cilët vdiqën, edhe këta nga “leuçemia”. Këto fjalë ua kam thënë edhe miqve të tjerë të mi” (Citohet sipas: Kolec Traboini. “Vrasja e dytë e Aristidh Kolës”. Botuar në “Illyria”. 27 shkurt 2001).

Aristidh Kola u largua për në pasjetë më 11 tetor 2000, ashtu si edhe pararendësit e tij arvanitas Kollokotroni, Karaiskaqi, Bubulina dhe të tjerë  udhëheqës të revolucionit, që i vrau helmi dhe plumbi grek nëpër prita. Udhëheqësit arvanitas të atij revolucioni ishin vërtet shumë trima, por nuk ishin të zgjuar. Prandaj fitoret pas atij revolucioni i korrën grekët, të cilët, gjatë zhvillimit të tij, rrinin të fshehur nëpër ferra, duke pasur aleate besnike pabesinë.

Me këtë studim, poeti  dhe shkrimtari i nderuar Arqile V. Gjata i ka bërë një homazh të shkëlqyer personalitetit të shquar të Arvanitisë dhe të mbarë kombit shqiptar Aristidh Kola dhe unë dëshiroj t’i shpreh përgëzimet dhe urimet e mia më të mira. Por, në të njëjtën kohë, nuk mund të mos rri pa shprehur keqardhjen time të thellë që asnjëri nga presidentët e Republikës së Shqipërisë nuk u kujtua që Aristidh Kolën ta nderonte që në gjalljen e tij me medaljen më të lartë “Nderi i Kombit”.

Kolumbus, Ohajo

27 maj 2020

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *