DEKLARATË

Ne, studente dhe studentë në mërgatë, edhe pse fizikisht larg nga njëri-tjetri, jemi bashkuar sot për të mbështetur e për t’u solidarizuar me shqetësimin dhe zemërimin e madh qytetar që ka shkaktuar vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në Londër, Berlin, Frankfurt, Bernë, Gjenevë dhe Cyrih jemi mbledhur para ambasadave ose konsullatave të Republikës së Kosovës, ku kemi vendosur një karrige e mbi të një peshqir të bardhë, lule e lajmërimin ku, ndër të tjera, shkruhet:
“me dhimbje të thellë ju njoftojmë se në orët e vona të datës 28 maj 2020, u nda nga jeta në moshë të re Rendi Kushtetues i Kosovës…Ngushëllimet mund t’i shprehni duke vizituar Ambasadën ose Konsullatën, por edhe nëpërmjet telefonit ose letrave postare.”

Na janë bashkuar dhe qytetare e qytetarë të tjerë që besojnë se institucionet shtetërore duhet të veprojnë në dobi të së mirës së përgjithshme e jo si zëdhënëse të interesave të ngushta të klaneve të caktuara politike. Instalacioni modest do të mbetet para ambasadave e konsullatave deri më 7 qershor, që të mund ta vizitojnë e të lënë mesazhet e tyre dhe ata që nuk patën mundësi sot. Në ditët në vijim këtij aksioni do t’i bashkohen dhe studente e studentë nga Parisi, Vjena, Praga, Lubjana, Shtutgarti e qytete të tjera. Sepse e dimë sa e rëndësishme është pjesmarrja aktive në demokraci! Të jesh student/e është privilegj por edhe një përgjegjësi e madhe, sidomos duke pasur parasysh kontekstin historik në të cilin gjendet dhe atë socio-ekonomik me të cilin përballet Kosova jonë. Jemi tejet të shqetësuar për fatin e saj, por edhe më të vendosur se kurrë për t’u angazhuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, principet e të cilit nuk shkelen në mënyrë flagrante.

Lexo po ashtu:  Kurti i ashpër me Serbinë: Ndaleni ofensivën, nuk lejojmë të na nëpërkëmbëni vullnetin

Kosova e ëndrrave tona është demokratike dhe e zhvilluar! Është një vend ku duam dhe duhet të mund ta imagjinojmë të ardhmen!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *