Nga George Weigel

Studentët e “arteve” të errëta të Luftës së Ftohtë, e dinë shumë mirë se shërbimet sekrete komuniste depërtuan thellë në Vatikan gjatë viteve 1970. E megjithatë, shumë pak njerëz e dinë se Papa Gjon Pali II, që më 18 maj kishte 100-vjetorin e lindjes, kishte agjenten e vet të fshehtë në Bashkimin Sovjetik gjatë viteve 1980.

Kjo marrëdhënie çoi në një takim të jashtëzakonshëm personal, që ndihmon në shpjegimin se çfarë e bëri atë Papë njeriun që ishte. Agjentja 007 e Papa Gjon Palit II ishte Irina Ilovajskaja Alberti, e veja e një diplomati italian, e lindur në Rusi.

Ish-ndihmësja personale e shkrimtarit të famshëm rus Aleksandër Solzhenicin në Vermont, SHBA, ajo u njoh me Papën fare rastësisht gjatë një audience papale publike në fillim të viteve 1980. Shumë shpejt mes tyre u zhvillua një miqësi e fortë. Ndërsa reformat e Gorbaçovit e bënë më të lehtë shkuarjen në Bashkimin Sovjetik, Alberti shkoi aty disa herë në vit.

“Nëse do të mësoja ndonjë gjë interesante”- më tha ajo vite më vonë, “do t’i telefonoja Papës, do të takoheshim dhe do t’i tregoja gjithçka”. Diplomatët e Vatikanit, të cilëve u pëlqente t’i mbanin shumë sekrete çështjet, nuk e vlerësuan këtë lloj kanali informativ.

Por Papa Gjon Pali II, e kishte zakon të toleronte kur mendonte se në këtë mënyrë mund të merrte informacione të dobishme. Ai shpërfillte menaxherët tradicionalë, dhe mbante kontakte me operativen e tij klandestine. Alberti ishte gjithashtu mike e ngushtë me Jelena Boner, bashkëshorten e fizikantit bërthamor sovjetik, dhe më vonë njeriut që nisi të bënte fushatë për të drejtat e njeriut në vendin e madh komunist, Andrei Sakarov.

Lexo po ashtu:  Momenti kur një prej funksioneve kyçe të Windows 10 ndaloi së funksionuari

I ndodhur nën arrest shtëpiak në vitin 1985, Sakarov nisi një grevë urie, duke kërkuar nga zyrtarët sovjetikë ta lejonin gruan e tij të dilte jashtë shtetit, për t’u kuruar nga një sëmundje e rëndë. Autoritetet ranë më në fund dakord, por Sakarov ishte peng i sjelljes së mirë të Boner jashtë vendit.

Kjo nënkuptonte asnjë takim me udhëheqësit botërorë apo shtypin perëndimor. Alberti mendonte se Boner duhet të takonte Papën. Kur ajo erdhi në Romë pas kurimit të saj, Alberti organizoi një arratisje të saj, në mënyrë që ndërsa gazetarët italianë të merreshin me fëmijët e Boner, ndërsa ajo të hynte fshehurazi në Qytetin e Vatikanit.

E ngurtësuar emocionalisht nga dekadat e përndjekjes nga KGB-ja, Boner nuk u tregua shumë sentimentale. Ajo nuk ishte as besimtare. Gjithsesi, takimi 2-orësh kokë më kokë me Papa Gjon Palin II, i la mbresa të forta. Ajo i tha Irinës më pas: “Ai është njeriu më i pabesueshëm që kam takuar ndonjëherë. Është i gjithi dritë. Është një burim drite!”.

Lexo po ashtu:  Paraja

Marrëdhënia Boner-Gjon Pali II vazhdoi për vite me rradhë, dhe çoi më vonë në një takim të gjatë privat midis Papës dhe Sakarov, i cili kërkoi këshilla për të luajtur një rol politik në shembjen zyrtare të Bashkimit Sovjetik. Ishte që takimi i parë me Boner, dhe reagimi i saj ndaj këtij polaku që nuk e kishte takuar kurrë më parë, dhe njëherazi drejtues i një besimi që ajo nuk e ndante, fton për më shumë reflektim në 100-vjetorin e lindjes së Papa Gjon Palit II.

Po si i preku Papa Gjon Pali II zemrat dhe mendjet, madje edhe ato të jobesimtarëve, me mënyrën e tij të sjelljes? Vojtila ishte një burrë inteligjent, një klerik me përvojë, një poliglot dhe një aktor i zgjuar në skenën botërore. Angazhimi i tij në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut, pavarësisht nga bindja fetare apo mungesa e tyre, ishte treguar me kohë, që gjatë viteve të tij si kryepeshkop i Krakovit në Poloni, dhe më pas si Papë. Ai e kishte paguar me gjakun e tij çmimin e kësaj mbështetje, kur i mbijetoi një atentati, për të cilin ai me siguri dyshonte se ishte urdhëruar nga Moska.

Por kjo CV dhe besueshmëria e tij, nuk e shpjegojnë plotësisht faktin pse një jobesimtar duhet të thotë i përlotur:“Ai është i gjithi dritë. Ai është një burim drite!”. Ose pse në vitet e tij të fundit të jetës, i sfilitur nga sëmundja e Parkinsonit, ai tërhiqte ende turma të mëdha njerëzish, dhe arrinte ngrinte ende peshë shpirtrat e të vuajturve.

Lexo po ashtu:  Mitrush Kuteli- Çast Lumturie

Papa Gjon Pali II nuk mund të shpjegohet apo kuptohet, nëse nuk merret për atë që ai tha se ishte:një dishepull i krishterë, rrënjësisht i konvertuar. Ai besonte se Zoti ia ka zbuluar veten e tij historisë, në fillim hebrenjve, dhe në fund Jezusit të Nazaretit.

Ai besonte se ringjallja e nazaretasit të kryqëzuar, ishte pika fokale e sagës njerëzore:një ngjarje brenda dhe përtej asaj që ne e njohim si “histori”, e cila zbuloi se dashuria pasionante e Zotit për njerëzimin, ishte më e fortë se vetë vdekja. Duke e besuar këtë gjë, ai jetoi pa frikë. Dhe duke jetuar pa frikë, ai frymëzoi kurajo tek të tjerët. Ai ishte “një burim drite”, pasi e kaloi jetën duke lejuar që të shkëlqejë përmes tij, atë që e kishte përjetuar si dritë hyjnore.

Shënim: George Weigel, është një anëtar i vjetër i Qendrës së Etikës dhe Politikës Publike, dhe një biograf i Papa Gjon Palit II. / “The Wall Street Journal”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *