Pas shfuqizimit të masave të reciprocitetit, vetëm brenda 12 ditëve, Serbia në tregun e Kosovës ka futur produkte në vlerë prej 8.5 milionë eurosh, përderisa Kosova ka eksportuar në Serbi produkte në vlerë prej vetëm 1.1 milion euro.

Këto të dhëna i bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018, kur nuk ka qenë në fuqi as taksa doganore 100 për qind dhe as reciprociteti, Stavileci thotë se ka një rënie të produkteve të importuara nga Serbia.

“Jemi shumë mbrapa kthimit në parametrat e njëjta, pasi që nëse merren 12 ditë që nga heqja e reciprocitetit, kemi mbi 8 milionë euro dhe nëse vazhdon ky trend nënkuptojmë që në një muaj të plotë mund të kemi deri në 16 milionë euro import të mallrave nga Serbia, derisa para zbatimit të masës 100 për qind, importi mujor nga Serbia ka arritur shifrën e 35 milionë eurove”, tha Stavileci.

Taksat e grumbulluar gjatë kësaj periudhe nga importi me Serbinë, sipas Stavilecit, janë mbi 1 milion euro.

Lexo po ashtu:  Daçiç: Nëse vriten serbë në veri dhe KFOR nuk reagon, hyjmë ne

Produktet të cilat janë importuar më së shumti gjatë kësaj kohe nga Serbia, shton Stavileci, janë produktet ushqimore dhe ato ndërtimore.

Për afër dy vjet, ndaj produkteve të Serbisë Kosova kishte vendosur taksë doganore 100 për qind dhe pas heqjes së taksës doganore, për një kohë kishte aplikuara masa të reciprocitetit.

Më 6 qershor, Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë për t’i hapur rrugë dialogut Kosovë – Serbi i cili ishte ndërprerë për shkak të vendosjes së taksës doganore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *