Tregu i shërbimeve celulare në Shqipëri po bëhet më i përqendruar dhe më pak konkurrues. Kjo tendencë është e kundërt me trajektoren e përgjithshme të tregjeve europiane, ku në 20 vitet e fundit përqendrimi i tregjeve është në rënie të vazhdueshme. Treguesi kryesor që mat përqendrimin e tregut është indeksi HHI (Herfindahl-Hirschman), që ka një shkallë nga 0 deri në 10 mijë. Ky indeks llogaritet duke ngritur në katror pjesët e tregut të secilit operator dhe duke i mbledhur. Sa më i lartë është ky indeks, aq më i përqendruar dhe, në teori, më pak kompetitiv, është tregu.

Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se për vitin 2019 indeksi HHI arriti në 3900 i matur sipas numrit të përdoruesve, ndërsa për shumicën e shërbimeve të tjera, si edhe për totalin e të ardhurave është edhe më i lartë, sipër nivelit 4000. Tregjet celulare përgjithësisht janë oligopole natyrore dhe shkalla e përqendrimit është më e lartë krahasuar me tregjet ku nuk ka barriera hyrëse. Sidoqoftë, mesatarja europiane e këtij treguesi është ndjeshëm më e ulët se në Shqipëri. Sipas një studimi të organizatës më përfaqësuese të industrisë së telekomunikacioneve GSMA, në fund të vitit 2018 indeksi HHI për tregjet celulare në Europë zbriti në rreth 3250, ndërsa në fillim të viteve 2000 kishte qenë mbi 4000.

Lexo po ashtu:  Gjermania, investitori më i madh në Shqipëri

Rritja ose ulja e shkallës së përqendrimit përcaktohet kryesisht nga pjesë e tregut e operatorit më të madh. Në thelb, kjo është ajo që po ndodh edhe në Shqipëri.

Operatori Vodafone Albania ka forcuar pozitën dominuese në vitet e fundit, me pjesë tregu që varion nga 47% sipas numrit të përdoruesve aktivë, deri në 55% e matur sipas të ardhurave me pakicë.

Siç pranon edhe vetë AKEP në raportin vjetor 2019, ndryshe nga tregu shqiptar i telefonisë celulare ku pjesa e tregut e operatorit lider në treg ka tendencë në rritje, dinamika e tregjeve në vendet e BE-së ka lëvizur në kah të kundërt. Megjithëse e pranon në mënyrë eksplicite se tregu i shërbimeve celulare është gjithnjë e më pak konkurrues, AKEP vazhdon të flejë gjumë dhe të mos marrë asnjë masë rregullatore për të adresuar këtë situatë. Analizat e tregut me shumicë të terminimit të thirrjeve dhe atij të akses-origjinimit ende nuk po miratohen, megjithëse janë hedhur prej më shumë se një viti në konsultim publik.

Lexo po ashtu:  Tradhëtarët më famëkëqinj: Ezra Pound, poeti tradhëtar i kombit…

Ersuin Shehu 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *