Europianët po gëzojnë heqjen graduale të masave të karantinës së koronavirusit, por spitalet po përgatiten për valën e radhës së infeksionit. Specialistët e kujdesit intensiv po përpiqen të punësojnë më shumë staf të përhershëm. Njësi të tjera po krijojnë “ushtri” rezervë të mjekëve, që t’i kenë gati kur të përballen me pacientë të sëmurë rëndë. Shtetet Europiane i kanë ofruar stafit mjekësor kurse për pacientët me Covid-19, në përpjekje për të shmangur mungesat e punëtorëve të rëndësishëm, nëse vjen një valë e dytë e koronavirusit.
“Na duhet një ushtri e kujdesit shëndetësor”, tha Maurizio Ceçoni, presidenti i Shoqatës Europiane të Kujdesit Intensiv (ESICM), që mbledh mjekë nga e gjithë bota që punojnë me pacientët e sëmurë rëndë. Ceçoni, që drejton departamentin e kujdesit intensiv në një spital në Milano, tha se stafi mjekësor duhet të jetë më fleksibël në punën që bën dhe më të disponueshëm. “Nëse ka një tjetër valë të madhe, duhet të përgatitemi që të caktojmë doktorë dhe infermierë nga rajone të afërta brenda Italisë, gjë që nuk ndodhi në valën e parë”, tha ai. Shumë vende u kapën të papërgatitura nga pandemia e Covid-19 në Mars dhe Prill dhe kanë trajnuar shpejtë stafin mjekësor që të kujdesen me rastet e rënda.
Disa spitale rekrutuan studentë mjekësor dhe doktorë të dalë në pension, për të ndihmuar në kujdesin intensiv. Në të gjithë Europën, spitalet kanë trajnuar kirurgë, kardiologë, doktorë të mjekësisë së brendshme dhe infermierë nga departamente të tjera, duke i caktuar më vonë në njësitë e kujdesit intensiv.
Klevis Llaha