Eliot Engel ka pësuar humbje të thellë në distriktin e tij nga drejtuesi i një shkolle të mesme me emrin Jamaal Bowman. Pas 31 vitesh ai nuk do të jetë më kongresmen – ku shërbeu edhe si zëri më i fortë i shqiptarëve në Kongresin amerikan.
Por, kush është Jamaal Bowman?
Bowman është një mësimdhënës dhe politikan 44 vjeçar nga New Yorku. Ai ka lindur në Manhattan dhe ka jetuar me gjyshen e tij prej të hënës deri të premten ndërsa me nënën dhe motrën gjatë vikendeve sa ishte fëmijë.
Ai ishte bërë mësimdhënës i menaxhimit të krizave në shkollën fillore të Broksit Jugor fillimisht. Në vitin 2009, kishte themeluar Akademinë Cornerstone për Veprim Social, një shkollë e mesme publike në Bronks.
Bowman është bërë i famshëm pikërisht për avokimin e çështjeve të arsimit.
“Vlerësimi i performancës së nxënësve,” thoshte ai në blogun e tij, “dëmton aftësitë e shkollës për të mësuar dhe, për rrjedhë, barazinë e arsimimit për të cilën vlerësojnë nxënësit.”
Demokratët për Drejtësi e kishin rekrutuar Bowmanin që të garonte për Kongresin e ShBA-ve në distriktin e famshëm 16 të New Yorkut që përfaqësohej nga Eliot Engel. Ai ishte inspiruar nga gara e Alexandria Ocasio-Cortezit në vitin 2018 dhe e përshkroi kampanjën e tij si “anti-varfëri dhe anti-racizëm”.
Bowman kishte marrë mbështetjen nga Ocasio-Cortez, Bernie Sanders, Elizabeth Warren dhe nga bordi redaktorial i The New York Times kundër Engelit.