Evropa ka dështuar në Srebrenicë dhe nuk duhet të harrojë mosveprimin e saj në parandalimin dhe ndaljen e gjenocidit. Kështu ka thënë të premten komisari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, gjatë seancës së posaçme të Parlamentit Evropian për shënimin e 25-vjetorit të masakrës më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ai me këtë rast e cilësoi gjenocidin në Srebrenicë si një plagë të hapur në zemër të Evropës. Mbi 8 mijë burra dhe djelmosha myslimanë janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjës në masakrën e 25 vjetëve më parë, të cilën Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e kategorizoi si gjenocid më 2007. Prandaj Varhelyi ka kërkuar që të pamundësohet çdo përpjekje për mohimin e gjenocidit.

E gjatë një videoadresimi rreth rastit, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres, masakrën e quajti rastin kur komuniteti ndërkombëtar e zhgënjeu popullin e Srebrenicës.

Dhe ky lëshim, tha ai, “do ta ndjekë përgjithmonë historinë tonë”.

Gjenocidi i Srebrenicës ka ndodhur mes 11 dhe 12 korrikut të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës ekzekutuan civilë myslimanë në të ashtuquajturën zonë sigurie të shpallur nga OKB-ja.

Lexo po ashtu:  Pezullohen seancat gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *