Tregim nga Ernest Koliqi

Në pikë të zhegut,sekretari i krahinës ia behi në kale para kullës së Uc Lleshit e vikati prej së poshtmi:

-Zoti toger!O zoti toger!

Uc Lleshi doli në krye të shkallës tue përgjegjë:

-Ç‘asht zani?

Mandej,si njohu njeriun,mori me u ulë tue i bzajtë mikut:

-Hajde,byrum.

– Jo, jo, s’po rri-ia priti tjetri maje kalit — por kemi marrë një urdhën prej Shkodret e erdha me ta kallzue.Ka ike mbrâmë një gazetar prej andej, një asi shkollarësh që shkruejnë kundra qeverisë e duket se âsht nisë me kapërcye kufinin këndej kah ana jonë. Qeveria e kërkon këtë njeri. Duhet, pra, të vésh rojë gjithkah për mos me lânë me kalue kurrsesi.
Uc Lleshi u mêndue pak, e mandej bâni:

– More, a e dini mirë që s’ka dalë përtej deri tash?

– E si ka pasë me e kapë kufinin në një natë? Ai mbrâmë, thashë, ka dalë prej Shkodret e ditën, pa e pasë kryet çelikut, s’ka guxue sak me udhëtue!

– Atëherë veç ne fluturoftë për hava se në ectë për tokë, i gjallë kufinin këtej pari ai s’po ta kapërcen. Po ti ndalu e pije një kafe

– S’mundem, zoti toger: me pret krahinani. Do të dalim edhe na me e ndjeke të ikunin. Lamtumirë.

– Udhambarë; e m’i thuej krahinarit që mos te bari hiç kasavet për sa i përket punës seme këtu.
Dhe me dorë diftoi rrethin e kufinit te afërm.

***

Sa u nis sekretari i krahinarisë, Uci i tha Mirashit, të nipit:

– Shko shpejt e m’i mblidh gjendarmët e m’i ço këtu sa ma parë. Tue kalue kah prozhmi, lëshoi zâ Dodës edhe Nikollës e thueji të lanë punën e të ngasin të vetë. Hajt, shpejto.
Djaloshi fluturoi e Uci i lypi së shoqes uniformën, që vishte vetëm kur u thirrte në ndonjë shërbim si ky; për ndryshe hante atë gjysmë rroge në shtëpi si oficer rezervë e kqyrte punët e veta.
U vesh, mbathi opangat, ngjeshi armët, zdrypi poshtë në oborr me prite njerëzit.
Burrë i shkurtë, me shpatulla të gjana e të fuqishme,kâmbët pak si të lakueme,Uc Lleshi, me gjithë që flokët s’i kishte fort të thinjun, diftonte së paku pesdhetë vjet të plotë. Por vizat energjike të fytyrës së djegun prej diellit e sytë si xhixha diftonin edhe se, për shpejti e guxim, nuk ia linte dalë një të riut. Njeri me influence në atë pjesë të Malësisë ku banonte, kishte pasë prej qeverise grada e shpërblime për me përfshi forcën e madhe të tij, që përndryshe mund të ishte e dâmshme, në makinën e Shtetit. E nuk kishte qênë masë administrative e gabueme, kjo, për atë kohë, pse qyshse Uci veshi uniformën, s’guxonte komitë ma me u endë në ato ana edhe urdhënat e qeverisë u zbatonin ma se miri. S’kish nën komandë gjendarme të rregullt, por njerëz besnike që mblidhte në rasë te nevojës. Këta ishin gjendarmët e tij. Gjind që shkonin e u vritnin mbas tij, pa kurrfarë shpërblimi, veç për hatër që i kishin e për nderna të vogla që atij i takonte me u bâmë në shehër e në mal. Edhe ate ditë, porsa u vojt lajmi, ia mbërrinë fluturim në oborr të kullës, të armatosun ma së forti. Uci u diftoi çashtjen gjithsesi e mbaroi tue thânë:

– E kemi do punë, burra. Ka me na takue ndoshta me ndejë dy-tri net pa fjetë. Duhet me hapë mirë sy e veshë e mos me lânë as mizën me fluturue.

Kurrkush ma mirë se ai nuk i njihte shtigjet e ndryshme që qesin në kufi, pse kishte pasë shpesh here nevojë për to në rasa të kritikshme të mâparshme. Nga dy e dy i drejtoi njerëzit ndër vende ku i lypte nevoja dhe, si u nisën të gjithë, u tha të bijve, Dodës e Nikollës:

Lexo po ashtu:  Autoritetet Gjermane bllokojnë një prej rrjeteve të zeza online më të mëdha në botë

– Ngjeshni armët dhe ejani me mue. Ti, Marash, ri në shtëpi.

Dhe u ul me dy djemt teposhtë. Ecën pa folë. Doda e Nikolla, i pari shkurtalak si i ati dhe i dyti me një trup vigâni, nuk guxonin me çelë gojë pa qênë të pyetun. Uci e kishte zakon, udhës, të mêndonte shumë e të fliste pak. Të bijtë e dinin që çdo méndim i tet ishte për nder e lumni të konakut.

“Feja kishte me qênë me e hetue e me e zânë këtë dreq shkollarit. Kishem me e sjellë unë vete në Shkodër, me e dorezue atje edhe me thânë açik në hyqymet që i ka ardhë koha me më bâ kapidan. Në më daltë me e krye këtë shërbim si duhet, kam të drejtë me e çelë gojën…”

Këto mêndime e bane Uc Lleshin në qef. Punët i shkonin gjithmonë mbarë, prandej kur i ngulej mêndja në nje send ishte gati i sigurtë se, me pak sabër e marifet, do t’i dilke në krye. Ishte njeri me orë. Vetëm një gjâ nuk i eci deri në ato ditë e kjo, për tê, ishte plagë e pambyllun që ia brênt zêmrën ditë e natë. Vjetin para, shtëpia e Gjokë Vatës kishte vra të vllanë, të anë e Mirashit, e me gjithë të orvatunit e të ,përpjekunit e tij e të mashkujve të shpisë ende s’kish qênë i zoti me ia marrë gjakun. Por s’ishte çuditë: shtëpia Gjoke Vatës, e rivalit të përhershëm të Ucit në atë krahinë,ishte e fortë, edhe ajo me rreth të madh, e gjint e saj nuk mund të vriteshin udobisht.

Kishin ecë ma se një orë nëpër teposhte të malit, kur Uc Lleshi u ndal dhe u tha të bijve:

– Ju të dyve po u ve rojë këtu, te Shtegu i Barijve. Jam i sigurtë se malësorët që e përciellin atë shkodranin, kanë me e keshillue me dalë nëpër këtë grykë. Asht si mënjane e mendojnë se e gjéjnë të lirshme. Ju, po patët se si, kapnie, në ardhtë ketu pari; përndryshej gjallë, mos e lêni me kalue…

E Uci u kthye, vetëm. lu ngjit prap malit, në një shej vêndi ndërroi rrugë e vojt me bâ kontroll një nga një rojet e vëmë nëpër shtigje, gjate kufinit.Kur mbërrini, lodhë e këputë, në oborr të kullës së vet, po errej.

***
Tue u ngjite nalt vêndoi me ngranë shpejt e shpejt, me pushue sa grima, me marrë Mirashin me vete e me dalë në roje gjithë natën. Mund e hetonin kund të arratisunin dhe, tue e ndjekë mjerisht, mund ta futnin si në kurthë në ndonjë shteg të zanun prej njerëzve të tij. E aty me e kape me dorë.

Në çardak, rrahi qerpikët, i çuditun. Kishte pa dritë në odën e miqve e dy pushkë varë në krraba. Në atë çast doli grueja prej odës së zjarrit e lajmueme nga zhurma e hapave për ardhje të tij.

– Kush âsht në odë te miqve? — e pyeti ai.

-Gjokë Vata…

– Kush? — përsëriti pyetjen me zâ të plasun.

– Gjokë Vata me një shkodran.

Uci u pré. Përqethje të ftofta ia mbuluen shtatin. Gjaksi i vllaut në shtëpi të tij? A ishte ândërr a zhgjândërr? Përmblodh krejt forcat e vullnetit dhe u shkund. Vari pushkën e vet bri tjerave dhe u mundue me u kthiellë në fytyrë. Hyni. Miqt po rrinin me Mirashin.

– Mbrâmja e mirë,burra, e mirë se u ka pru Zoti.

Ata u çuen ne kâmbë. Uci u mor grykë ma parë me Gjokë Vatën, që ish moshatar i tij, por ma i gjallë e me mustaqe që i shkonin dredha-dredha deri në veshë, e mandej me shkodranin. Ky dukej shumë i ri, ishte pak si i thinjun dhe i zbehtë në fytyrë, veshë allafranga. Ndêjen. Uci qiti kutinë e duhanit e u bâni cigare. Pyeti gjint e vet:

Lexo po ashtu:  ‘Nëna është udhërrëfyese, vendstrehim dhe dashuri e pafundme’

– A keni pru kafe?

– Kemi pi, kemi pi — tha Gjokë Vata.

– Bini edhe ka një tjetër — porositi Uci.

Për do kohë ngelën në heshtje. Ucit i pikonte gjak plaga që kish të pambyllme në zemër. Gjaksin, qe kërkoi kot një vjete rresht nëpër vetmitë e bjeshkëve për t’i ra pushkë lules së ballit, qe, e kishte përpara. E zakoni e detyronte me e prite e me bisedue me tê si me ma të shtrêjtin dashamirë, mbasi i kishte ra mik te shpia! Por idhnimin e përmbrendshëm mbas pak kohe e kapërceu kureshtja. Po pse, vallë, Gjoka bâni atë hap mjaft të vështirë edhe për të? Tue shikue shkodranin, Ucit diçka i shkoi nëpër mend si vetima, por s’desht me e përtypë gjatë atë mendim që e pezmatonte për së tepërmi. Ndau me iu shtrue se keqes që i kish takue, pa stërhollime të kota mêndjeje. Mbasi, qysh në te hyme, menjiherë kish vu re se miqt mbânin gjithnji të ngjeshun rrypat e fishekëve dhe armët e brezit, si u pi kafja e dytë, u soll prej tyne e tha:

– Lironiu, burra.

Gjokë Vata hoq alltinë me dorsë argjendi edhe rrypin ia dha Mirashit. Ashtu bâni edhe shkodrani.

– Mirash, bierna rakinë.

Në raki, të dy mallësoret rivala, biseduen mbi gjithfarë punësh tue u ndêjë larg, me hollesinë e zakonshme të tyne, çâshtjeve që mund ia prishnin qejfln, njânit ase tjetrit. Atij që i shifte të ndêjun kundroll shoiqishoqit, tue pi duhan e tue shpraze gota rakie, kurrë nuk mund t’ i shkonte mêndja që të nesërmen, me pasë për t’u ndeshe kund, ata dy burra do t’i mëshonin pushkë hekuri pa mëshirë njâni-tjetrit.
Shkodrani dukej ne kasavet; s’çelte gojë veçse me iu përgjegje urimeve që i bânin në pije. Uci e Gjoka kuvênduen mjaft, pa u shikue gati kurrë ndëër sy. Kah e vona, mbasi kishin rrokullue një numër bukur të madh gotassh, Gjokë Vata çoi të veten dhe iu solll shkodranit:

– Për të mirë, zotni, po ta fali edhe unë një gotë. Hiç s’ke pse rri në méndim tash qe gjinde ndorë Uc Llleshit

– Priç të mirë, Gjokë Vata, – ia priti ai tue u zgjue prej gjumit.- Po më kânda me ndigjue kuvêndin tuej, se sa për méndime më kanë lodhë vetëm deri sa mujta me mbrri te dera jote e në këtë shtëpi.

Uc Lleshi kuptoi e uli kryet. S’kishte ma pikë dyshimi: shkodrani qe i kish pru Gjokë Vata në derë s’ishte tjetër veç vetë gazetari i arratisun, njeriu për të cilin ai kishte dyndë të tânë gjinden e vet e zânë ane e kând shtigjet e kufinit. Méndime gjithhfarësh ia dogjen trutë si flaka e rrufesë.“I mêndshëm ky Gjoka, he shitofta Zâna! Mirë mjaft ka mujtë me e gjete mënyrën si me e shpëtue mikun shkodran edhe ndryshe. Por âsht i hollë! e ka mêndue se vêhej në rrezik me e ndjekë unë, jo ma vetëm si gjakës që e kam, por edhe si fajtor përpara qeverisë. E kishëm fikë me gjâ e me shtëpi! Por i ka dalë punës para…”.

Shqipnia ka zakone te çuditshme. Shtëpia e Uc Lleshit s’kishte njoftë kurrë kori. Kushdo që e kish mësy, kish qenë i sigurtë se gëzon proje deri në fikjen e në rrënimin e plotëë të saj. Nderi i shtëpisë e zakonet e véndit rrinin për Ucin përmbi çdo interesë, përmbi çdo urdhën qeverie e përmbi çdo ndiesi e arsye tjetër. Prandaj fshâni e tha me vete:

“E pat, kjo!” edhe tue u sjellë prej Gjokë Vatës, përgjegji:

– Çka kjoftë, lum Gjoka, e hajrit kjoftë… për këtë mik që as emnin s’po ia dij…

Lexo po ashtu:  Anonymous thotë se TikTok është krijuar nga qeveria Kineze për të përgjuar

– Shefqet Kadia, – Ia priti vetë shkodrani, tue iu këputë fjalën përgjysëm.

– Kjofsh shëndosh!… Ndij, si qeshe tue thânë, çka kjoftë e hajrit, kjoftë për këtë zotni. Sa për mue, nuk do të kursehem me ia la borxhin që na kanë lânë të pamrët për mikun. Mandej, fundi le të dale ku të dalë!

Mbas këtyne fjalëve u shtrue sofra. Para se me kapë bukën mnë dorë, Gjokë Vata, mbasi kishte mbërri me e pruu bisedën atje ku i duhej, tha:

– Zoti të rritët oxhakun, Uc Lleshi.

Dhe, tue e shikue për të parën herë drejt ndër sy, vijoi:

– Ky zotnia kurrë ma ngusht se sot nuk na âsht gjete në jete të vet. Qeveria e kërkon e me bâ me e zânë… vaj hallti i tij! Ma ka mësy shtëpine e me ka ra nënë besë. Unë ta kam pru me ma marrë me ndore e me ma qite shëndosh andej kufiinit, pse e di mirë që, pa ndihmën tânde, kufinin, në këtë anën tonë, s’ka burrë qe e kalon.
Uci, me sa fliste Gjoka, e kish véndue punën e vet. Përgjegji, tue e përpjekë edhe ai shikimin me atë të rivalit:

– Unë, për këtë zotninë, do të bâj çka të më vijë për dore. Por një here po hamë e mandej do te méndojmë. Hangrën. Vonë e vonë mbas darke, i zoti i shtëpisë u ngrit tue thanë:

– Burra, erdh koha me e bâ një punë.

U çuen të gjithe, ngjeshën armët, u perfalën me gra e dolën. Gjoke Vata ia bâni te dera e oborrit:

– Të ardhëshim për të mirë, Uc Lleshi. Unë po çaj kah shtëpia. S’âsht nevoja të vij me juve. Zoti të rritë jetën për çka po i ban këtij zotnisë.

Uci ia ktheu:

– Kjosh me jetë dhe e mira të gjetet, por ti vetëm nuk po shkon. Mirash, përcille.

U përqafosen të gjithë. Gjokë Vata humbi në terr, i përciellun prej të birit të atij që kishte vra një vjet para.Nata ishte e freskët, plot me hyj e pa hânë. Agimi s’do te ishte larg. Shkodrani shkoi nëpër errësi, i udhëhequn prej Ucit që ndërronte hapat nëpër udhë tâne gurë me siguri të çuditëshme. Mbas një ore qe po i binin teposhtes sësë malit, u ndaluen ke një shteg i ngushtë. Hynë në një grykë prej kah shifej vetëm një rriske qiell e qëndisun me ar të hyjve. Diku, në një vend, Uci lëshoi një thirrje:

– Dodë! Nikolllë!

Prej territ, nga fundi i grykës, erdh përgjegja:

-Ç’asht zani?

– Unë jam: Uci; po ju, me kë jeni?

– Vetem jemi.

Dy djemt, si u afruen, hapën sytë tue pâ shkodranin, por nuk bânë zâ.Ulën kryet dhe u vunë mbas tet. Kur dolën nga gryka, që ishte mjaft e gjatë, qielli poo qartësohej prej lindjes .Përpara tyne rridhte nje prrue, me vargje te gjata shelqesh nëpër brigje. Ndriçimet e para të agimit nisën me u dridhë mbi ujë që gurgullonte. Uci tha:

– Tashti je i shpëtuem, lum zotnia. Përtej prronit âsht toka e huej. Kam mêndue se prej kësaj gryke do të dilnin kapidanë e shumë drue që këtu mbrêndë do të lâ ndoshta edhe togerllëkun. Por, ani, s’ka gajlle: pa besë e pa miq s’ka ç’ka na duhet as jeta në këto malet tona. Udhambarë!

– Paç të mbarë e Zoti të ruejte, Uc Lleshi, – bâni gazetari. – Këtë nder s’kam për ta harrue se t’ë jemë.

U përqafosen të gjithë, një nga një , me tê. Ai zdeshi këpucë e çorape e kapërceu prronin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *