Gelanda Shkurtaj

Veprën e Martin Camajt e kisha dëgjuar shumë kohë më parë, nga dita kur e njoha në ato trotuaret buzë Lanës në Tiranë, ku shiten librat e vjetër. Librashitësi, me një kapelë të vjetër në kokë dhe me tuta, me lëkurën e nxirë nga qëndrimi i gjatë në diell, më këshilloi të mos e blej pasi nuk kuptohet, veçanërisht në prozë. “Ka një gegnishte shumë të rëndë dhe nuk lexohet”, më tha. E grishur në të kundërtën, ndofta nga ky pohim, bleva veprën e tij poetike së bashku me një studim të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës rreth figurës së tij. Me një pasion të gdhendur në çdo germë, kërkuesit e vërtetë e kishin paraqitur atë në dimensionin e tij real, në veprimtarinë si albanolog dhe në atë të krijimtarisë së tij letrare në prozë dhe poezi. Itinerari i gjatë profesional kishte gur kilometrik mësimdhënien në La Sapienza dhe ku stacioni i fundit kishte përfunduar në Gjermani, vend ku mbylli edhe karrierën si profesor në Universitetin e Mynihut. Nëse do të mund të përmblidhej me një frazë madhështia e veprës së tij, ajo është: një intelektual dhe folklorist, një poet dhe prozator tejet dinjitoz i shqipes dhe Shqipërisë. Në çdo fjalë të tij gëlon malli dhe ndjenja e pafshirë e adhurimit për tokën e lënë dhe ku në një plan spekulativ, ai prezanton Shqipërinë, fatin dhe brengat e saj, edhe pse, sikundër vetë pohon, ai kërkon të jetë një poet hibrid, të baraspeshojë ato rryma letrare që janë antagoniste me njëra-tjetrën, trishtimin me entuziazmin.

KUR HULUMTOJNË PSEUDOSTUDIUESIT

Është bërë një fakt i përsëritur interesi i disa pseudostudiuesve shqiptarë, për të vënë në pah figurat që kanë lënë gjurmë në historinë e saj, me disa shkrime që nuk flasin kurrë për fushën apo lëmin ku ato figura kanë spikatur, fjala vjen si shkrimtarë, albanologë, poetë, politikanë, atdhetarë apo aktorë, por rrotullohen rreth diçkaje tjetër të jetës së tyre. Këta syresh hulumtojnë për shembull, faktin nëse ishin disidentë apo jo, nëse ishin kolaboracionistë, agjentë, nëse ishin të djathtë apo mëngjarashë, nëse ishin katolikë apo myslimanë. Çuditërisht, këto shkrime, ndofta për një fakt të pastër rastësie, përkasin me momente të veçanta të lëvizjeve politike në Shqipëri dhe Ballkan

Kështu, në përfundim të luftës së Kosovës, një problem i madh i tyre ishte “prejardhja e nënës së Skënderbeut”, a thua se ky fakt do e bënte atë, Heroin tonë Kombëtar hebre, që duhej të deklaronte origjinën nga kishte prejardhjen e nënës dhe si i tillë, të mos meritonte të quhej Hero i Kombit Shqiptar? Ka më shumë se tri dekada që Kadare përndiqet nga pikëpyetja, se “përse ai nuk e shfaqte hapur disidencën e tij për të luftuar komunizmin dhe të përfundonte i lidhur në një shtyllë”, duke dashur kësodore të minimizojnë faktin se ai është një shkrimtar i jashtëzakonshëm i Shqipërisë; Një tjetër mundim i po këtyre syreshëve ishte fakti nëse “Nënë Tereza ishte maqedonase apo shqiptare”, edhe pse vetë Shkupi,në momentin kur ajo grua madhështore e trupvogël që nuk e mohoi kurrë krenarinë e të qenit shqiptare kish ardhur kësaj bote, ishte akoma shqiptar. Gjigantit të letrave shqipe, At Gjergj Fishtës, i gjetën kleçkën se “i shërbente pushtuesit italian”, për koincidencë të fatit se ai përfaqësonte të njëjtin besim fetar katolik me ta, paçka se vepra e tij letrare dhe patriotike mbetet unikale në çdo dimension. Për Ismail Qemalin u shqetësuan se “ai erdhi në pushtet me bajonetat e austriakëve” dhe jo se ishte burrë i rrallë, me të cilin identifikohet pavarësia e Shqipërisë. Për çudinë e çdokujt vjen e drejt indinjata, që këta syresh nuk merren me vlerat dhe veprat e këtyre figurave, por me aspekte të një plani dytësor dhe personal, që nuk i vlejnë as historisë dhe sidomos, ndërgjegjes së një kombi.

Lexo po ashtu:  LDK-ja e ka për mission t’i zhgënjejë gjithnjë militantët e vet.

Hulumtimi përtej dashurisë për aromën e letrës kërkon burime të besueshme dhe të marra gjithanshëm, si dhe të ketë përballë tryezës kërkues të etur për dije, të ftohtë në analizë dhe të paanshëm në përcjelljet e mendimeve që duhet të merren në plan kritik mbi fushën ku ai/ajo shkrimtar, poet, atdhetar, janë të njohur. Hulumtimi nuk kërkon snobë, që kopjojnë qitapët e arkivave, të cilat thonë se individi nuk mund të jetë njëherësh edhe shkrimtar, edhe i divorcuar; apo edhe poet, edhe katolik; apo edhe piktor, edhe i pëlqen nudizmi, pa analizuar pro-të dhe kundra-t dhe pa pyetur veten se kujt do t’i shërbejnë kërkimet e tyre. Është e pamundur që në studimet e kësaj shpure pseudokërkuesish, nuk ka thjesht një poet të madh apo një shkrimtar të talentuar, por ka poetë të arratisur dhe si të tillë nuk meritojnë vlerësimin e tyre, edhe pse këta të fundit, Shqipërisë ia bënë jehonë vlerat nga universitetet ku jepnin mësim.

Edhe pse nuk vihet re, por në plan të parë del handikapi i rëndë i këtyre pseudostudiuesve që nuk tregojnë aspak interesa dhe realisht nuk kanë aftësi për të studiuar trashëgiminë artistike apo gjurmët pozitive, që këto figura, ndër më të spikaturat e këtij vendi, i kanë lënë pasurisë kombëtare. Atëherë, në pamundësi për t’i analizuar, këta syreshë veprën e tyre do të mund ta shihnin të paktën si kontribute, që në mënyrë të tërthortë i vijnë në ndihmë krenarisë dhe prestigjit të Shqipërisë, kaq të munduar dhe pak të njohur në botë.

Lexo po ashtu:  Kuvendi historik i demokratëve dhe e djathta kosovare: ‘Çile guri gojën’

Çështja në fjalë ka edhe një këndvështrim tjetër, p.sh. ta shohim problemin nga pikësynimi i tyre, të cilët mbrojnë tezën se është e nevojshme që të thuhet hapur çdo gjë që ka lidhje me jetën e këtyre figurave (jo me veprën e tyre, pasi nuk janë në gjendje ta analizojnë). Pra, sipas tyre është e nevojshme që të dihet çdo gjë. Shumë bukur! Kadareja nuk ishte disident, Skënderbeu nuk e kishte nënën shqiptare, Fishta ishte katolik dhe punoi me italianët, Camaj bashkëpunoi në emigrim. Nëse e gjitha kjo i shkon në ndihmë tezës se “është mirë për t’u thënë gjithçka”, pyetja që vjen vetiu është:

E ÇFARË PASTAJ?

Vlerën e një shkrimtari, të një poeti apo të një patrioti nuk e zhbën dot asnjë lloj anatemimi i qëllimshëm. Vlerësimin e tyre e bën vepra që ata kanë lënë, e mbetur në memorien shekullore të artit apo historisë dhe në admirimin e publikut të ruajtur në breza, në memorien sociale për piktorin, kompozitorin, arkitektin, historianin. Shumë prej figurave të spikatura të artit, historisë e shkencës në botë, gjykohen dhe vlerësohen për atë që kanë dhënë në lëmin e tyre të ekspertizës, jo për veset, doket, qejfet apo situatat, në të cilat jeta mund t’i kishte tunduar apo vënë në sprovë.

Van Gogun bota e ngre dhe adhuron për pikturën dhe askund nuk ngre në të njëjtin plan problemet e shëndetit të tij mendor. Kur takon veprën e Dostojevskit, lexuesi përhumbet në madhështinë e tregimeve të tij të thjeshta, pa menduar apo ditur se ai i shkruante ato në intervalin e kohës midis krizave epileptike. Emri i Balzakut të çon te mjeshtëria e personazheve Grande apo Gobsek, jo te borxhet e pashlyera që ai kishte nëpër Paris. Kush do, le të lexojë autobiografinë e tyre, Cvajgun le ta ruajë në bibliotekën e tij.

Lexo po ashtu:  Karantina si qeli burgu, kënaqu me muzikë Italiane nga ballkonet

KU SHKON QËLLIMI I VËRTETË I SYRESHËVE KINSE-STUDIUES?

Nëse analizojmë goditjet që shumë figura patriotike, të skenës, të artit, kanë marrë gjatë dekadave në Shqipëri, pjesa më e madhe karakterizohen nga një emërues i përbashkët, tendenca nihiliste ndaj vlerave të tyre. Shpeshherë, ky qëndrim fut në një vorbull që bën të besosh se analizuesit kanë një ideologji, qoftë ajo politike apo morale, dhe se çdo gjë e shohin nën këtë optikë. Por, në fakt, kjo shkon më tej se kaq. Përqasja e këtyre kinse-studiuesve sjell ndër mendje më shumë se një pikëpamje, një nevojë gati fiziologjike për të folur keq për tjetrin, edhe kur ky ka vdekur me emrin e Shqipërisë në gojë. Kjo, fatkeqësisht, është vazhdim i një pjese të kahershme të traditës sonë.

Edhe sikur të merret nën petkun e snobizmit “se thjesht po japim informacion”, këta syresh kanë një motiv më shumë për të rrëmuar në të kaluarën, për të anatemuar deri në degradim figura të spikatura që i ka dhënë shumë Shqipërisë, duke anashkaluar qëllimshëm nderin që ata i kanë dhënë këtij kombi duke e ngritur deri në prestigj. Të quhet sjellja e këtyre syleshëve vetëm snobizëm, në fakt, është tejet pak, pasi ajo mbërrin deri në kufijtë e antishqiptarizmës. Duke mohuar figurat e kombit shqiptar, në artin dhe kulturën e saj, në qenësinë dhe pavarësinë e saj, i rri mirë vogëlsisë dhe mënyrës sipërfaqësore të menduarit të disave, të cilët në disa rrethana marrin të drejtën të thonë çfarë u vjen, pa u filtruar qoftë edhe në faktin etik, nëse duhet apo jo të përfshihen në projekte të tilla.

Këto kinse-studime tingëllojnë provokuese dhe qesharake në të njëjtën kohë, për këdo që ka arsye, paçka ndikimit të paevitueshëm te disa të tjerë, kryesisht të palexuarit. Por sido që të shkruhet mbi Skënderbeun, Fishtën, Kadarenë, Koliqin, Camajn e qindra të tjerë, ata do ngelen në historinë e kombit, për vlerën e tyre atdhetare dhe artistike, e cila jeton shumë më gjatë se një shkrim, i marrë në arkivat e Autoritetit për Informim, ku paradoksalisht presin me vite të shpluhurohen dosjet e krimeve të mbetura në kujtesë, që askush nga këta kinsestudiues nuk rreket t’i prekë, pasi sigurisht aftësia analitike e tyre nuk shkon dot më tej se: “me kë fjeti poeti apo me kë shkoi për darkë shkrimtari?”.

*Lektore e së Drejtës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *