“Ajo ishte puthja e parë… Dhe puthjen e parë i riu as di ta japë, as di ta marrë, as di ta fshehë”.
“Gratë i ka bërë llafazane pushteti i burrave, që u ka rrëmbyer gjithçka përveç gjuhës”.
Këso toke kemi ne këtej , të gjallit ia pi shpirtin , të vdekurin e ruan. “
“Ndonjëherë njeriu i ngjan foshnjës; qan e ulërin duke kërkuar t’i japësh hënën dhe pushon kur i zgjat, në vend të saj, një kokërr portokall.”
“Po ah!… Drita e bardhë e dashurisë së parë është posi rrezja e yllit të ditës: duket në qiell dhe mbush botën me dritë edhe pa dalë mirë dielli.”
“Shqetësimi lind gjithmonë nga e panjohura, qoftë ajo dhe hiç gjë përpara një së njohure shumë herë më të rrezikshme…..
“Shpeshherë njerëzit e këqij janë si qentë e dobët: po ike të sulen më keq, po i sulmove ia krisin vrapit!”
“Gratë i ka bërë llafazane pushteti i burrave, që u ka rrëmbyer gjithçka përveç gjuhës.”
“Mos vështro vetëm nga derdhet lumi, vështro edhe nga shkon.”
“Vita, si të gjitha vajzat e bujqve myzeqarë, ishte rritur në mes të pocaqisë dhe varfërisë. Po jeta ka rrugën e vet, që e ka filluar kush e di se ku e kush e di se si, saqë njeriu ngre supet përpara çudive të saj. Grizarakja ishte zhvilluar aq mirë, sa që të kujtonte atë lekoin e bukur të kënetës, që çel si për mrekulli të botës mbi ujët e pocaqisur të moçalit.
Shtatin e kishte pak si më të vërvitur për moshën e saj dhe për kockën pakëz të shkurtër të femrës myzeqare. Këmbët e gjata, (ja, tani, atje, në buzë të qerres, kërcinjtë e saj të varur jashtë sa nuk mirrnin dhè), i dukeshin akoma më gjatë nën fustanin e vjetër, shkurtuar shumë, se shumë ishte rritur brënda këtij viti të fundit. Thimkat e gjinjëve të vegjël, si ai bisku i fasules që ngre kokën e fryn tokën e ardhur nga vakësia e pranverës, ia kishin hedhur kraharorin përpjetë. Vetëm kurrizi i mirrte pak përpara, sikur t’i ishte thyer nga barra e punëve të shtëpisë. Po jo, në këtë moshë, s’ka çi bën puna shtait të një vajze si Vita. Shpatullat e mbledhura varfërisht e sipër të futur e të fshehur nën vehte krahërorin e përhedhur, do të kenë ndonjë shkak tjetër.
Vita ishte vajza më e madhe e shtëpisë së Shpiragajve. Si vajza më e rritur në mes atyre djemve në moshë, ajo ndjente një lloj drojtje, turpi, për ato shenjat e femrës që me ditë po i piqeshin e me orë po i shquheshin. Andaj nisi, një nga një, t’ia fshehë botës: në fillim, nën qepallat e gjata, si halë gruri, mbuloi sytë levarashë, pastaj zgjati fustanin nja dy gisht, për të fshehur kufíjtë e kofshëve dhe më vonë, kur pa se s’po ia dilte me të ndrydhur e me të shtypur të gjoksit që po shpërthente pa e pyetur atë, përktheu kurrizin përpara dhe mundi, një farë kohe, t’i bëjë ballë sulmit të moshës së bukur, po të paturpshme. Po a e dini? … Vita sikur t’i kishte bërë të gjitha këto për të hequr më tepër sytë e botës: Qerpikët e ulur përgjysmë mbi gropëzat e syve, që lëshuan mbi mollëzat e faqeve një hije të lehtë, thelluan akoma më tepër gjallërinë e bebzave të saj të zjarrtë, pothua ashtu si thellon e nxinë nata grykën e pusit; teksa kurrizi, përkulur pakëz përpara e pajtuar aq mirë me sytë e ulur përgjysmë, i mësoi një të ecur të drojtur, që mori, me kohë, hijen e nazes.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress
Gjithë djelmuria e Grizës shkallonte pas asaj çupe. Duke fshehur bukuritë që natyra ia kishte falur me të dy duart ajo shtonte akoma më shumë, pa e ditur, nepsin e çapkënëve dhe remashëve të fshatit. Por gjer ahere asnjë s’ia kishte ngritur dot sytë dhe shtatin: siç duket, qerpikët e Vitës kishin qëlluar shumë të rëndë.
Çuditej e linte mëndjen vajza me ato çupat e qytetit: Si bajamet e pranverës edhe ato… që s’presin sa të çelin lulet e para, për të ndjellur në gjirin e tyre bletët që do t’i trazojnë dhe gudulitin!…
Kurse ajo?… Ajo turpërohej edhe nga njerëzit e shtëpisë, edhe nga vehtja e saj.
Po gjer kur do ta fshihte e ndrydhte kraharorin?…
Ja pse buza e poshtme, shpërveshur posi fiera e njomë e trëndafilit në pisk të vapës, po i mirrej atë kohë; ja pse po i mbusheshin me lot atë orë. Shiu i dendur që po fshinte qiellin, fushën, rrugën, thua se donte ta shuante nga bebëzat e vajzës gjithçka që kishte gëzuar e jetuar gjer atë ditë, (njëlloj si shuhen nga dërrasa e zezë, me një të fshirë, shkronjat e bardha) i bëhej se po ja ndrydhte akoma më shumë gjirin, zemrën.
Më duket sikur po e marrim kot nëpër gojë myzeqarkën e vogël. Gjer më sot asaj s’i kishte rrahur zemra për asnjë nga djemtë e fshatit…
Po ah!… Kjo drita e bardhë e dashurisë së parë është posi rrezia e yllit të ditës: duket në qiell e mbush botën me dritë edhe pa dalë dielli mirë…
Karvani i qerreve qëndron përpara hanit të Bishtanakës.”
Jakov Xoxa, “Lumi i vdekur” /MekuliPress.com/
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress