Nga Michael Carpenter

Uashington – Pas tre vjet e gjysmë paaftësi lidershipi dhe armiqësi nga ana e Uashingtonit, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë tanimë në pragun e një ndarjeje me pasoja strategjike. Nëse presidenti amerikan Donald Trump fiton një mandat tjetër në nëntor, sulmi i pamëshirshëm i administratës së tij ndaj institucioneve që e kanë mbajtur komunitetin transatlantik paqësor dhe të prosperuar për 75 vitet e fundit, do të ketë pasoja shkatërrimtare dhe potencialisht afatgjata në të dyja anët e Atlantikut.

Dëmet e shkaktuara gjatë mandatit të Trump janë serioze. Presidenti ka shkelur parimet thelbësore demokratike të komunitetit transatlantik, duke sulmuar median e lirë, duke përdorur diktatin e ligjit, agjencitë diplomatike dhe të inteligjencës për qëllime partiake, dhe duke abuzuar me detyrën për përfitime personale.

Ai e ka minuar parimin e mbrojtjes kolektive, duke vënë haptazi në dyshim angazhimin e Amerikës në mbrojtjen e aleatëve të saj, dhe duke marrë në konsideratë një tërheqje të SHBA-së nga NATO. Dhe Trump i ka kthyer shpinën partnerit kryesor të Amerikës, duke iu referuar Bashkimit Evropian si një “armik” dhe duke zhvilluar një luftë tregtare kundër tij.

Siç e tha ish-presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk:”Me miq si ai, kush ka nevojë për armiq?”. Hendeku midis 2 anëve të Atlantikut, nuk ka qenë kurrë më i gjerë për çështje kyçe si tregtia, klima, kontrolli i armëve, demokracia dhe sundimi i ligjit.

Dallimet që janë shfaqur mbi këto çështje, nuk janë thjesht dhe vetëm mosmarrëveshje të vogla taktike, por të çara të thella strategjike, të cilat pasqyrojnë vlera dhe synime të ndryshme. Me gjasë, kjo e çarë është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Amerikës.

Thënë thjesht, pa mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve të saj në Evropë, Uashingtoni nuk mund të mbrojë në mënyrë efektive interesat e veta gjeopolitike. Shtetet autoritare si Rusia dhe Kina, e kuptojnë shumë mirë këtë gjë, dhe kjo është arsyeja pse që të dyja ato kanë tentuar në mënyrë aktive të thellojnë ndarjet e shkaktuara nga Donald Trumpi.

Lexo po ashtu:  Pse mësuesit nuk mund të kenë një jetë "normale" ?

Gjithsesi, nuk është ende vonë për të rregulluar marrëdhëniet dypalëshe. Por për ta bërë këtë, administrata e ardhshme amerikane do të duhet të rishpallë me urgjencë një vizion të përbashkët strategjik me partnerët e tij evropianë, dhe të konkretizuar në një bashkëpunimin fillestar në 5 fusha kryesore.

Së pari, duhet të riparohen  marrëdhëniet ekonomike. Përveç dhënies fund të luftës tregtare të Trumpit, kjo mund të bëhet duke eliminuar tarifat transatlantike, dhe duke investuar bashkë me partnerët tanë evropianë në një infrastrukturë elastike, ekologjike dhe të qëndrueshme, dhe duke siguruar zinxhirë vlerash të përbashkëta.

Vetëm heqja e tarifave, do të krijonte përfitime të mëdha për 3.8 miliardë dollarë në mallra dhe shërbime që kalojnë çdo ditë Atlantikun. Për shembull, bashkëpunimi në investimet në infrastrukturë, duke e zgjeruar dhe forcuar Iniciativën Tre Deteve me standarde më të forta antikorrupsion, do të ri-nxisë rritjen ekonomike, dhe do të krijojë një alternative transatlantike ndaj projektit “Një Brez, një Rrugë” të Kinës, duke ndihmuar shtetet e vogla evropiane të shmangin kurthet kineze të borxheve, dhe blerjen e aseteve të tyre strategjike.

Së dyti, Uashingtoni duhet të ri-angazhohet në luftën kundër ndryshimeve të klimës. Shpallja e një qëllimi të përbashkët për zero emetime të karbonit në atmosferë deri në vitin 2050, do t’i hapte rrugën një partneriteti të ripërtërirë me Evropën, gjë që mund të çojë në financime të përbashkëta në teknologji të reja dhe në energjinë e rinovueshme. Kjo do t’i jepte mundësi Uashingtonit të nxiste investime shtesë për sigurinë energjetike të Evropës, përfshirë infrastrukturën jetike të gazsjellësve.

Lexo po ashtu:  Recension për librin “Fjalimet që përgjakën Ballkanin: Analizë retorike e fjalimeve të Millosheviqit”, të autorit Gëzim Mekuli (Prishtinë: Alphabet J&H, 2022)

Së treti, SHBA-ja duhet të rikthejë urgjentisht besueshmërinë e garancisë së nenit 5 të NATO-s, dhe angazhimin e vet për mbrojtjen kolektive. Uashingtoni duhet të luajë një rol aktiv në ndihmën ndaj NATO-s për të përmirësuar aftësitë e saj mbrojtëse, dhe për të qenë në lartësinë e kërcënimeve që vijnë nga Kina dhe Rusia.

Ajo duhet ndërkohë ta përqendrojë vëmendjen në zonat e lëna pas dore si në Arktik dhe Detin e Zi, ku Rusia është gjithnjë e më aktive. ndërkohë, Uashingtoni duhet të udhëheqë një partneritet të ri NATO-BE për t’u përballur me kërcënimet alternative ndaj konfliktit të armatosur si dezinformimi, financimet e paligjshme dhe operacionet e “masave aktive”, të cilat janë gjithnjë e më shumë metoda e preferuar, përmes të cilës shtetet autoritare po minojnë nga brenda demokracitë.

Së katërti, SHBA-ja dhe Evropa duhet të rivendosin një ndjenjë të qëllimit të përbashkët, për t’iu kundërvënë qasjes agresive të shteteve autoritare. Trump ka zbehur çdo shans për këtë gjatë mandatit të tij, duke flirtuar me Rusinë, duke u përplasur me Kinën për çështjen e bilancit tregtar, duke shpërfillur praktikat shtrënguese ekonomike të Pekinit, dhe duke ushtruar në mënyrë të njëanshme presion ndaj Iranit, pa siguruar ndonjë mbështetje ndërkombëtare.

Në lidhje me Rusinë, një qasje më koherente transatlantike do të ishte një qasje më e fortë ndaj mbrojtjes, dhe një reagim më i shpejtë ndaj shkeljeve të sovranitetit nga ana e Kremlinit, pa anashkaluar një dialog më të frytshëm me Moskën për kontrollin e armëve, uljen e rreziqeve dhe menaxhimin e krizave.

Lexo po ashtu:  Zgjedhjet rrotulluese në Shqipëri - Votuesit shqiptarë në anën perëndimore të Drinit le t’i marrin për shembull ata nga ana lindore. 

Sa i përket Pekinit, një strategji e përbashkët duhet të përqendrohet në kundërshtimin e imponimit të padrejtë teknologjik dhe ekonomik që bën Kina ndaj të tjerëve. Evropa dhe SHBA-ja mund të ndërtojnë një konsorcium demokratik të rrjetit 5G, siç sugjerohet nga disa liderë evropianë, dhe të kenë një qëndrim të përbashkët kundër praktikave manipuluese që përdor Kina në tregti.

Së pesti, të dyja palët duhet të rekomandojnë mbrojtjen e vlerave demokratike, dhe të refuzojnë praktikën e shtypjes së mediave të pavarura, çmontimit të institucioneve kontrolluese demokratike, dhe politizimit të zbatimit të gjyqësorit dhe agjencive të inteligjencës.

Ndërkohë, kërkohet më shumë bashkëpunim në luftën kundër korrupsionin përmes përpjekjeve të koordinuara të pastrimit të parave, pasi në BE të ngrihet një ent rregullator kundër pastrimit të parave, dhe të ketë një angazhim nga të dyja palët për të ndalur përfundimisht dukurinë e kompanive off-shore.

Shtetet që shkelin vazhdimisht normat demokratike apo sundimin e ligjit, duhet të nxiten të ndryshojnë mënyrat e sjelljes, ose të përballen me mundësinë e pezullimit të pjesëmarrjes në samitet e zakonshme të NATO-s, apo t’u mohohet qasja në fondet e BE-së.

Armiqësia e vazhdueshme e SHBA-së ndaj Evropës, rrezikon arritjen më të madhe gjeopolitike të 75 viteve të fundit:krijimin e një komuniteti shtetesh, të lidhur bashkë me një mbrojtje kolektive, dhe me një angazhim të përbashkët ndaj paqes, lirisë dhe prosperitetit.

Nëse ne i kthejmë shpinën kësaj arritjeje madhore, rrezikojmë jo vetëm të rrëshqasim sërish në një epokë të konkurrencës real-politike, por edhe të fuqizojmë shtetet autoritare që të minojnë më tej normat demokratike. Marrëdhënia transatlantike është shumë e vlefshme, për ta lënë të zhbëhet nën pretekstin e rremë të “Amerika e Para”. / “Politico.eu” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *