Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

e mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

mjerimi s’ka fat. por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

Lexo po ashtu:  Migjeni- Vetmija

mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

Lexo po ashtu:  Si do të ngjajë Galaxy Note 10? Këto janë imazhet më të qarta që kemi

mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

Lexo po ashtu:  WhatsApp sjell një funksionalitet privatësie të shumëkërkuar

mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,
që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafësh.

mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *