Shtatori, për pjesën më të madhe të njerëzve është një sulm i ri pune. Pas verës së nxehtë (që për fat të keq mbaron shumë shpejt), shtatori është muaji që të kujton se pushimet kanë mbaruar. Veçse, nuk është kështu për të gjithë.

Nëse shpesh, shtatori simbolizon fundin e pushimeve, vitet e fundit, ky “status” i tij është zbehur. Madje edhe në Shqipëri. Për ata që rikthehen në shkollë, natyrisht, është një muaj jo aq i mirëpritur, por për të gjithë të punësuarit, shtatori është një muaj i mirë edhe për të pushuar.

Po pse duhet të zgjedhësh shtatorin? Shpesh, edhe nga studimet e kryera apo anketimet për të gjithë pushuesit e këtij muaji, thuhet se, mbi të gjitha, është një muaj i qetë dhe, natyrisht, më i lirë. Nga ana tjetër, të ofron mundësi dhe avantazhe për të shijuar më shumë natyrën, nisur edhe nga moti i freskët. Vjeshta të jep mundësinë edhe të vizitosh vende që gjatë verës janë të tejmbushura me turistë e me turma njerëzish. Dhe ju e dini, turmat këtë vit kanë qenë të ndaluara për shkak të përhapjes së Covid-19.

Akoma nuk jeni të bindur? Ja ku i keni disa arsye pse shtatori është muaji më i mirë për të pushuar.

1. Çmimet më të lira

Lexo po ashtu:  Po vdes në dhe të huaj – Elegji nga Mitrush Kuteli

Këtë e dinë të gjithë. Sapo vjeshta troket zyrtarisht, çmimet në vendet turistike nuk janë më “të jashtme”. Edhe në booking, nëse do të kontrolloni, sezoni i ri ofron paketa me çmime më ekonomike, madje nëse zgjidhni më shumë se një javë, edhe këtu mund të gjeni ndonjë ofertë të vlefshme. Menjëherë pas gushtit, kur çmimet e shërbimeve, hotelerive apo edhe plazheve private kapërcejnë vlerat që kemi imagjinuar, shtatori, në këtë drejtim flet me tjetër gjuhë. Edhe familjet me të ardhura ekonomike të mjaftueshme, mund të gjejnë me pak para vende të bukura e plazhe me çmime të lira. Nga studimet e kryera, rezulton se çmimet në fillim të muajit shtator, ulen më shumë se 20 për qind dhe shkojnë deri në 50 për qind deri në fund të tij.

2. Moti i freskët

Ok, të gjithë në plazh, por as aty nuk durohen temperaturat e larta apo jo? Kur vapa të zë frymën, edhe plazhi të bëhet i lodhshëm. Gjatë shtatorit, kur temperaturat fillojnë të zbresin, moti është në mes – pra nuk është vapë dhe as ftohtë, është koha ideale për të qenë jashtë gjatë gjithë ditës, madje edhe në orët e tmerrshme të pikut.

3. Biletat e udhëtimet

Lexo po ashtu:  Është e rëndësishme të dish të dëgjosh!

Nëse vërtet po kërkoni një vend për t’u çlodhur dhe për të shijuar pushimet tuaja verore larg qytetit dhe vendit ku banoni, sezoni i vjeshtës është një mundësi e shkëlqyer. Edhe biletat e avionëve (me gjithë kufizimet nga Covid-19), në këtë kohë ofrohen me çmime më të ulëta, kështu që në portofol do të keni më shumë para për shopping. Përveç kësaj, edhe faturat për produktet e plazhit, kremrat apo edhe rrobat e banjës kushtojnë më lirë.

4. Më pak turmë

Kë nuk shqetëson turma gjatë sezonit të verës? Shumica e destinacioneve të verës janë të përfshira nga turma. Njerëz që shkojnë gjithandej e askund, mbipopullim në plazhe, rrëmujë në det, njerëz që ikin e vijnë, makina…. kaos. Por jo në shtator. Ritmi ka rënë, sepse në pothuaj çdo destinacion që do të zgjidhni ka nisur puna. Veçanërisht për ata që preferojnë më pak zhurmë dhe trafik të kufizuar, shtatori është muaji ideal. Melissa Caldarone, një nënë italiane që udhëton shpesh në parqe në SHBA, thotë se shtatori është koha ideale për të vizituar Walt Disney World dhe destinacione të tjera për fëmijë. “Kur fëmijët e mi ishin më të vegjël, ne gjithmonë përfitonim nga zbritja e sezonit në parqe dhe lodra dhe kemi kaluar kohë të mrekullueshme në park”,- rrëfen ajo.

Lexo po ashtu:  Tre “helmet” që sipas Budizmit e shkatërrojnë jetën e njeriut

5. Koha ideale për të moshuarit

Rick Steves, ekspert udhëtimesh, inkurajon të moshuarit të marrin në konsideratë sezonin e vjeshtës për të pushuar, sidomos për udhëtimet në Evropë. Ai rekomandon si kohë për moshën e tretë periudhën prill – qershor dhe shtator – tetor. Këto periudha i ndihmojnë vizitorët të shmangin disa nga elementët më të lodhshëm gjatë udhëtimeve siç janë turmat dhe nxehtësia.

6. Ushqim më i freskët

Të gjithë ata që pushojnë gjatë muajve të verës, e dinë mjaft mirë se ushqimi është një temë gjithashtu e nxehtë. Rastet e helmimeve, edhe këtë vit kanë qenë të shpeshta dhe arsyeja kryesore, sipas mjekëve, është nxehtësia. Në restorante apo fast food-e, frika më e madhe është e produkteve që nuk e ruajnë gjatë freskinë, kështu që rreziku nga helmimi është gjithmonë i pranishëm. Ndërsa në shtator, rënia e temperaturave, por edhe produktet e stinës, bëjnë që siguria në ushqime të jetë më e lartë. Por sezoni i ri ofron edhe më shumë produkte të stinës që pushuesit e verës, rrallë mundësi kanë t’i provojnë.

Nëse ju keni edhe arsye të tjera për t’ia shtuar kësaj liste, atëherë pse mendoheni akoma? Zgjidhni të pushoni në shtator… Vitin tjetër tani, nëse këtë vit iku!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *