KOMENTE RRETH DEKLARATAVE TË MINISTRES BAJRAMI NË EMISIONIN DESKU TË KTV-së, TË DATËS 23.09.2020

Besnik Bislimi
Gjatë intervistës së saj në emisionin DESKU të ditës së mërkurë, ministrja Bajrami nxori disa informacion të rëndësishme edhe pse disa sosh krejtësisht të pasakta:

1. Ajo deklaroi se deri më tani në ekzekutimin e pakos emergjente janë bërë pagesa në masën e 122 milionë euro. Kjo shifër mund të jetë e saktë, por në atë rast është i pasaktë konstatimi i saj se 70% e këtyre pagesave janë kryer pas emërimit të saj si ministre. Kjo meqë gjatë Qeverisë Kurti kanë qenë të transferuara 70 milionë, dhe në fillim të qershorit është dashtë (dmth kanë qenë gati për pagesë edhe afërsisht 25 milionë euro tjera).

2. Ministrja konstatoi me të drejtë se përveç implementimit të pakos fiskale emergjente ka ZERO shpenzime të dizajnuara nga qeveria Hoti në përballjen me pandeminë. Kjo dëshmon edhe tri “ZERO” tjera të mëdhaja të qeverisë: ZERO vullnet (sepse e ka pasë obligim të transferojë mjetet), ZERO kreativitet (nuk ka asnjë masë apo politikë të re), dhe ZERO angazhim (sepse vetëm janë ekzekutuar pagesat, meqë përpunimi dhe aprovimi i aplikimeve është bërë më herët).

3. Ministrja tha se nuk kanë mundur të fillojnë ekzekutimin apo implementimin e pakos së rimëkëmbjes, për shkak se ende nuk ka kaluar në kuvend projektligji për rimëkëmbje i kësaj qeverie. Kjo pikë është shumë me rëndësi sepse shpërfaqë një masë të madhe të filozofisë qeverisëse të Hotit. Ajo e deklaroi vetë se Qeveria Kurti e ka filluar implementimin e pakos fiskale emergjente edhe pse parlamenti kishte refuzuar ta trajtojë këtë pako në seancë parlamentare. Dmth e pranoi që në rast se brengosesh për ekonominë, dhe e sheh si urgjencë nevojën e intervenimit, atëherë fakti që pakoja nuk ka kaluar në kuvend nuk do duhej të ishte pengesë për të filluar implementimin e saj. Qeveria e tanishme i ka të gjithë mekanizmat e nevojshme për ta ndihmuar ekonominë: buxheti është rishikuar dhe aprovuar, marrëveshjet financiare janë miratuar (dmth. mjetet e negociuara mund të futen në përdorim), dhe po ashtu ka kaluar edhe kërkesa për tejkalim të deficitit buxhetor. Andaj ku qëndron problemi që nuk po i ndihmohet ekonomisë. Ministrja gjithashtu e demantoi veten kur tha se sot jemi takuar me kryeministrin dhe kemi vendosur që të fusim në treg 110 milionë euro (pak më vonë tha 111), duke pranuar indirekt se mosvotimi i ligjit nuk qenka pengesë nëse qeveria ka vizion, vullnet dhe gatishmëri. Dhe njëherësh tregoi që qeveria e cila edhe gjykatën kushtetuese e kishte manipuluar duke i thënë se ka 84 vota mbrapa, nuk po arrin të bindë as edhe 41 deputetë të vetë partive në koalicion t’ia mbështesin instrumentin kryesor të ndikimit në ekonomi, atë të rimëkëmbjes ekonomike.

Lexo po ashtu:  Nga nesër pritet të rinisin fluturimet nga Aeroporti i Prishtinës

4. Ministrja i numëroji si huamarjet e brendshme ashtu edhe të jashtme për të cilat tha se i kane negociuar, por nuk e tha të vërtetën e plotë. Nga gjithë këto shuma që ajo përmendi, ZERO euro janë të negociuara nga kjo qeveri, e të gjitha janë negociuar nga Qeveria Kurti.

5. Tha që kanë premtuar shumë për 10% e trustit, përfshirë edhe kompensimin e tërheqjes nga ana e shtetit, por që janë tërhequr nga kjo ide kur e kanë kuptuar (lexo: mësuar) se po e shkelin kushtetuten, duke promovuar pabarazinë, për arsye se sipas saj ata që kanë më shumë kursime në trust do të përfitonin më shumë. Dhe shtoi se sipas saj tërheqja e parave nga trusti nuk është problematike meqë është në baza vullnetare (me çka reflektoi mosdije elementare të natyrës së funksionimit të skemave pensionale. Sikur këto skema të ishin vullnetare, trusti deri më sot nuk do i kishte as edhe 500 milionë në llogaritë e saj, prandaj edhe kursimet janë obligative). Dhe tha qe kështu veprojnë apo kanë vepruar edhe shumë vende tjera, por kur u pyet më specifikisht nuk arriti ta përmend as edhe një shtet të vetëm që ka vepruar kështu. Mbase për arsye se nuk ekziston asnjë rast i tillë. Dhe sa i përket pabarazisë, e demantoi veten kur pesë minuta më vonë tha se do shpërndajnë në ekonomi, 110 milionë euro për secilin punëtorë pa marrë parasysh a ka nevojë biznesi për ndihmesë apo jo. A ka më shumë promovim të pabarazisë, se sa të u japësh njësoj mjete financiare si bizneseve që nuk e kanë rrezikuar profitin gjatë pandemisë, si atyre që janë në prag të falimentimit?

Lexo po ashtu:  Fakct check: Këshillat shëndetësore që janë të pavërteta ose më keq

6. Tha që avantazhi i kalimit të projektligjit për rimëkëmbje qëndron në hapjen e mundësisë edhe për shfrytëzimin e 100 milionë eurove të Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Duhet t’ia skjaroj edhe një herë ministres, që mjetet e privatizimit janë siguruar si shkëmbim me një aset që ka qenë në pronësi, si të kësaj gjenerate ashtu edhe të gjeneratave të ardhshme. Dmth, duke shitur ndërmarrje shtetërore, shteti e ka humbur një aset, por e ka si kundërvlerë të ruajtur shumën ekuivalente të parave (pa filluar këtu diskutim se sa ekuivalente është kjo shumë).

Në të ardhmen kjo shumë ekuivalente mund të konvertohet sërish në aset (duke i përdorur për investime në shkolla, spitale, rrugë, apo qytetarë të arsimuar) dhe rrjedhimisht në kontabiliteti ndër-gjeneratash jemi OK. Por të thuash se dua të marr këto 100 milionë për të shpërndarë subvencionime për fermerë, sado qëllimmirë të jetë, është plaçkitje e gjeneratave të ardhshme, të cilat mbesin si pa asetin (ndërmarrjen e privatizuar) ashtu edhe pa kundërvlerën (paranë e gatshme).

Lexo po ashtu:  2012-2020, të njëjtat denoncime. Asgjë nuk ndryshon

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *