Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, thotë se në dialogun me Serbinë nuk duhet të diskutohet për sovranitetin e Kosovës. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kraja thotë se të gjitha marrëveshjet me Serbinë, kanë një koncesion që Kosova i bën Serbisë. Ai flet edhe për Gjykatën Speciale dhe thotë se nëse ky institucion i drejtësisë ka atribute politike, duhet të kundërshtohet nga të gjithë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kraja, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vlerësimet që ka dhënë deri tash, insiston se dialogu Kosovë-Serbi të jetë i hapur dhe transparent. Cili është vlerësimi juaj mbi këtë proces nën udhëheqjen e qeverisë aktuale?

Mehmet Kraja: Ne kemi dalë me një konstatim se dialogu Kosovë- Serbi, po duhet të jetë i hapur, duhet të ketë transparencë, duhet të mos ngutemi në këtë punë, se nuk kemi asnjëfarë emergjence dhe është një dialog i cili mund të presë, karshi situatave të tjera emergjente që i kemi.

“Të gjitha marrëveshjet, pa përjashtim, e përsëris të gjitha marrëveshjet pa përjashtim, të gjitha janë koncesion që Kosova i bën Serbisë”.

Ne kemi bërë një publikim, një publikim të dokumenteve të asaj që është realizuar, të marrëveshjeve që janë nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë dhe t’ju them të drejtën, po i morët dhe patë ato, shihet se ne kemi pasur një qasje joserioze ndaj krejt kësaj pune. Prandaj them unë, nëse bëhet një analizë e sheh se si janë zhvilluar gjërat, absolutisht vjen në një përfundim se ne jemi ngutur dhe shpesh kemi qenë të paqëndrueshëm në këtë dialog.

Në disa rrethana, ne kemi krijuar atmosferën e tillë sikur ne na ngutet shumë për një dialog, sikur ne luftojmë për jetë a vdekje, nuk është e vërtetë fare. Dialogu është i mirëseardhur, do të duhej të zhvillohej në mënyrë normale, por ne nuk kemi asnjë nguti dhe nuk mundemi për shkak të ngutisë të lëmë anash një sërë çështjesh ose t’i kalojmë me shpejtësi një sërë çështjesh.

Mund t’i shikoni dokumentet që ne i kemi botuar dhe aty do të shihni se si është bërë ky dialog që nga Asociacioni i 2013-ës e mbrapa. Të gjitha marrëveshjet në fundamentin e tyre kanë një koncesion të tmerrshëm që Kosova i bën Serbisë. Të gjitha marrëveshjet, pa përjashtim, e përsëris të gjitha marrëveshjet pa përjashtim, të gjitha janë koncesion që Kosova i bën Serbisë.

“Sovraniteti nuk mund të diskutohet”

Natyrisht kur i merr këto dokumente sheh mënyrën se si janë formuluar, nuk ke se si të mos vish në përfundim se ose jemi ngutur ose kemi deficit në mendje ose nuk kemi ditur çka bëjmë ose jemi në një trysni të jashtëzakonshme.

Kush dhe si mund të bëjë trysni për gjëra kaq vitale dhe kaq të rëndësishme për Kosovën. Sovraniteti nuk mund të diskutohet, nuk mund të vihet në dyshim për shkak të asnjë trysnie dhe asnjë ngutje. Marr në përgjithësi, e kemi thënë dhe Akademia ka dalë me një qëndrim rreth kësaj, se dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë.

Ne kemi propozuar këtu kur ka qenë kryeministri që të ketë edhe grupe të ekspertëve, të cilët merren me çështja të caktuara që me sa e di, ata ekspertë përsëri janë – rekrutohen nga spektri politik, jo nga fushat e caktuara të dijes dhe kjo ka shumë rëndësi sepse, pastaj dalin edhe deficitet e mëdha që i kemi brenda këtyre marrëveshjeve. Si përfundim mund të them se dialogun ne duhet ta zhvillojmë, ta bëjnë njerëzit të cilët kanë kredibilitet moral, ta bëjnë njerëzit të cilët kanë dije dhe të cilët kanë mandat për ta bërë një punë të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria aktuale e ka mandatin?

Mehmet Kraja: Qeveria po, por qeveria nuk shkon në bisedime me Serbinë. Qeveria, kur shkon kryeministri diskutojnë për disa parime, por gjithmonë djalli fshihet te detajet. Edhe kryeministrat e mëhershëm kanë bërë, rregullisht janë marrë me kontaktet që kanë pasur me Serbinë, por marrëveshjet i kanë bërë njerëzit e tjerë dhe shihni tani se çfarë marrëveshjesh kemi në dispozicion.

Lexo po ashtu:  Ish- ministri shqiptar: Edi po i ngre kurthe Kosovës, Rama po bëhet tellall i Vuçiçit

As nuk ka preambulë dokumenti, as nuk dihet kush e nënshkruan, as nuk dihet kush e bën. Janë dokumente të cilat për shkak të koncesioneve që i bëhen Serbisë nuk i adresohen askujt. Si mund të bëhen kështu këto gjëra? Ne pretendojmë të jemi shtet, nuk e kemi komoditetin të jemi kaq joserioz.

“Serbia e pranishme në çdo pore të politikës në Kosovë”

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, Kosova dhe Serbia kanë arritur një pajtim mbi bashkëpunimin ekonomik në Uashington. Cili është mendimi juaj për këtë marrëveshje dhe sa do t’i ndihmojë kjo arritjes së marrëveshjes finale?

Mehmet Kraja: Nëse kjo marrëveshje nuk është një hap në drejtim të marrëveshjes përfundimtare, kjo nuk ka shumë rëndësi. Kjo që po bëhet tani është më shumë zhurmë mediale sesa që ka ndonjë peshë të madhe në punët tona rreth marrëdhënieve me Serbinë.

Marrëdhëniet janë po ato, ne e shohim se asgjë nuk do të ndodhë. Investimet nëse ndodhin, nëse janë të formave të kredive të buta, nuk besoj se kanë shumë peshë për ekonominë e Kosovës, por edhe nëse kanë, mbetet të shihet. Ajo që ka rëndësi është se të gjitha këto marrëveshje duhet të çojnë në drejtim të një përfundimi.

Duhet të jemi të vetëdijshëm për një gjë, Serbia është kthyer në Kosovë në të gjitha diskutimet dhe është e pranishme në çdo pore të politikës. Kjo është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Kosovës. Ne asgjë nuk bëjmë pa shikuar se çfarë ndodh me Serbinë, pa shikuar se çfarë thotë Serbia, në mëngjes Serbia, në drekë Serbia, në mbrëmje Serbia dhe në njëfarë forme politikat na diktojnë marrëdhëniet me Serbinë.

Mirë është që kjo të hiqet nga rendi i ditës. Unë jam dakord që kjo ka peshë, ka rëndësi, po pati mundësi që të hiqet nga rendi i ditës që ne të merremi me vetën tonë, sepse kemi shumë probleme të cilat ne nuk po i trajtojmë ose nuk po i marrim në shqyrtim, ose nuk po merremi me to fare, për shkak të problemeve që i kemi me Serbinë. Në një rrethanë kësisoj, mendoj që kjo që ndodhi në Uashington, nëse çon në drejtim të një marrëveshjeje finale, ka rëndësi. Të tjerat unë i shoh krejtësisht të parëndësishme, krejt i shoh në kuadër të marketingut që i shërbejnë ose Amerikës ose Serbisë, më pak Kosovës, të jeni të sigurt.

“Pakoja e Ahtisarit, kulmi i të gjitha kompromiseve”

Radio Evropa e Lirë: Janë shtuar zëra mbi nevojën e një kompromisi që mund të çojë deri te marrëveshja finale dhe njohja eventuale mes Kosovës dhe Serbisë. Si duhet të reagojë Kosova lidhur me këto zëra?

Mehmet Kraja: Nuk kisha dashur që krejt biseda jonë të shkonte në atë drejtim sepse po e vërtetojmë atë që thash më herët, që prapë dhe ne te Serbia që te Serbia. Por, megjithatë, meqë pyetët po ju them se kompromiset ne i kemi bërë. Pakoja e Ahtisarit është e tëra kompromis. Ai që e lexon dhe ata që e lexojnë, unë besoj se ka të tillë që e lexojnë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës është kompromis e cila përfshin Pakon Ahtisarit, është kompromis. Përtej kësaj, unë nuk e di se çfarë kompromise mund të bëhen.

Kompromise me sovranitet, kompromise me integritet as nuk bëhen e as nuk mund të bëhen, nuk i bën askush në botë dhe as ne nuk mund t’i bëjmë. Nëse dikush pretendon t’i bëjë, ai ka dalë jashtë rrjedhave normale, qoftë ai politikan apo njeri i zakonshëm. Pra, nëse është politikan dhe nëse është përfaqësues i institucioneve, vihet përballë sanksioneve kushtetuese sepse askush nuk ka të drejtë të luajë me sovranitetin dhe integritetin territoriale të një shteti. Kompromiset që i kemi bërë ne me Pakon e Ahtisarit janë kulmi i të gjitha kompromiseve. Nuk ka më përtej kësaj ku të shkohet.

Lexo po ashtu:  Fotot e rralla: Si dukeshin burrat shqiptarë, 200 vjet më parë

Ajo që pretendon Serbia, sigurisht që ajo do më shumë se kaq, dhe ajo e do një kompromis në të cilin do të kontestohej pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës, veçmas pavarësia. Këtë gatishmëri tonën që e presupozon Serbia, besoj se ne duhet ta artikulojmë qartë që ne nuk kthehemi prapa dhe pastaj të gjitha kompromiset janë çështje detajesh.

Ja për shembull, nuk do të marrim reparacionet e luftës edhe 98-shin, por vetëm 99-shin, ose do të marrim 98, 99 dhe nuk do marrim më herët se kaq. Këto janë kompromiset që mund t’i bëjmë me Serbinë. Ose detaje që kanë të bëjnë me trashëgiminë, me kulturën, do të thotë kaq mund të bëhen kompromise. Aty mund të diskutohen dhe ato duhet të jenë të kujdesshme sepse pastaj mos të vjelin pasojat. Por, kompromise të tjera nuk besoj se mund të bëhen.

Radio Evropa e Lirë: Momentalisht nuk ekziston konsensus politik brenda në Kosovë mbi procesin e dialogut. Si e shihni ju rrugëdaljen nga kjo situatë, por që mund të jetë në dobi të Kosovës?

Mehmet Kraja: Një minimum konsensusi, ne duhet ta pranojmë, ekziston në Kosovë. Një minimum konsensusi ekziston për të gjitha gjërat, megjithatë gjenden se ku gjenden aty disa çarje midis partive, spektrit politik, qofshin edhe midis individëve, të cilët pastaj krijojnë në opinion, krijojnë situata tensioni të panevojshëm, për mendimin tim.

Ne kemi një krizë politike aktualisht në Kosovë, e cila nuk do të duhej të ishte rezultat i raporteve kush çfarë mendon për dialogun me Serbinë. Nuk do të duhej të ishte ky problemi. Problemi për ne do të duhej të ishte ose të një mospajtimi të ndërvetshëm të spektrit politik të Kosovës, cilat janë dinamikat e zhvillimit, cilat janë përparësitë tona, cilët janë partnerët tanë strategjikë, jo dikush e nxjerr Serbinë, e tjetri e nxjerr Turqinë.

Cili është orientimi ynë politik drejt integrimit euro-atlantik? Do të thotë për gjëra të tilla, mund të diskutohet për finesat, për detajet. Por, nuk kemi pse diskutojmë e as nuk kemi pse të mos të merremi vesh në raport me Serbinë.

Aq më pak kur aty ekziston një limit, apo ekziston një prag i cili nuk guxon të tejkalohet prej askujt. Në raport me Serbinë, nuk kemi asnjë lloj… të shtrydhim mend shumë as të nxjerrim filozofi politike. Kemi nevojë vetëm të jemi të qartë dhe të mbajmë qëndrimet dhe t’i përballojmë trysnitë, të cilat ndonjëherë janë të pallogaritshme dhe vinë nga drejtime që si presim.

Radio Evropa e Lirë: Për çështjen e dialogut apo për ndonjë gjë tjetër a kërkohet ndihma e akademikëve nga drejtuesit e institucioneve?

Mehmet Kraja: Kryeministri kur ishte këtu në një takim, kryeministri aktual (Avdullah Hoti) e tha se do të bënte një grup ekspertësh. Deri tani nuk kam ndonjë njoftim se ka kërkuar dikush ndonjë ndihmë për një gjë të caktuar.

Ne, në fund të fundit nuk insistojmë në atë. Ne atë që mendojmë, atë që kemi për ta thënë do e themi gjithmonë, qoftë përmes komunikatave, qoftë me paraqitje individuale dhe nuk hezitojmë ta themi këtë, por nuk hezitojmë po ashtu, të ofrojmë ndihmë kur ajo kërkohet prej nesh.

“Njerëzit që e votuan Gjykatën Speciale tani po kërkojnë që të zhbëhet”

Radio Evropa e Lirë: Prokuroria e Specializuar në Hagë tashmë ka konfirmuar aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe ka arrestuar disa persona. Si i keni parë kundërshtimet ndaj kësaj gjykate e cila është formuar nga Kuvendi Kosovës?

Mehmet Kraja: Gjykata Speciale ka krijuar tensione politike në Kosovë dhe ka krijuar angazhim, ka shkaktuar angazhime divergjente që të jem më i qartë, se kush angazhohet në një drejtim se kush një drejtim tjetër, por ka një konsensus të përgjithshëm se Gjykata Speciale për Kosovën është e padrejtë.

Lexo po ashtu:  Rusia njofton arritjen e armëpushimit dhe nisjen e negociatave tripalëshe për Nagorno-Karabakun

“Nëse (Gjykata Speciale) ka atributet politike, të gjithë duhet t’i kundërvihemi, por më së pari duhet të marrin përgjegjësi ata që e kanë votuar”.

Ata që e thonë kështu janë shumica dhe unë pajtohem me ta. Por, Gjykata Speciale ka pas një gjë: për të arritur këtu edhe ka kaluar nëpër disa faza. Faza e parë ka qenë miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Kosovës. Kush ju tha atyre 120 deputetëve – ai është miratuar me dy të tretat – që ta miratojnë atë. Janë po këta që sot ankohen për Gjykatën Speciale, të cilët kanë qenë në Parlamentin e Kosovës dhe e kanë votuar atë.

Kam dëgjuar të thonë që Parlamenti i Kosovës ose Kuvendi i Kosovës, hera herës ka dështuar në marrjen e vendimeve gjatë historisë tonë më të re, se ka marr vendime ku ta di unë në Prizren, mas Bujanit se ka marr vendime jo të drejta edhe me Kushtetutën e Serbisë, se pra ka pasur dështimet e veta në këtë histori sa ka parlamentare. Por, mos të harrojmë ky është parlament demokratik, është ndryshe nga parlamentet e përparshme.

Është parlament i zgjedhur me votën e popullit dhe ai ka vendosur në mënyre kushtetuese që të themelohet një Gjykatë Speciale. Po ata njerëz që e kanë votuar tani kërkojnë që ai të zhbëhet ose kërkojnë direkt ose indirekt, përmes ndërhyrjeve përmes kësaj, apo përmes asaj.

E vërteta është se drejtësia do vendos sepse Kosova nuk mund të mbajë barrën, peshën e kryqit për shumë kohë. Çështjet e drejtësisë duhet të përfundohen dhe duhet të marrin një epilog. Tani pse disa individë lajnë duart si Ponc Pilati dhe dalin me qëndrime ndryshe nga ç’thonë dhe ndryshe kanë vendosur vetë publikisht. Kjo është çështje ose ndryshe kërkojnë që të vendoset.

Kjo është çështje që duhet ta shikojnë veten e tyre, ku janë dhe vetë të identifikohen qartë se kush çfarë bën dhe çfarë mendon për këtë. Një gjë dua të them se Gjykata Speciale, nëse ka funksionin për të vendosur drejtësi ne nuk mund t’i kundërvihemi dhe askush nuk duhet t’i kundërvihet. Nëse ka atribute politike, të gjithë duhet t’i kundërvihemi, por më së pari duhet të marrin përgjegjësi ata që e kanë votuar. Ata le të dalin, le ta marrin përgjegjësin pse e kanë votuar dhe si kanë votuar.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kraja, cilat janë zhvillimet e fundit në Akademinë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të cilat bëhen në kuadër të plani strategjik gjithëpërfshirës të akademisë?

Mehmet Kraja: Për këtë vit, ne kemi pasur një sërë projektesh të cilat për shkak të rrethanave nuk kemi arritur t’i realizojmë, veçmas ato që kanë të bëjnë me format manifestative, siç është puna e promovimeve, pastaj e ekspozitave, e koncerteve si dhe një numër të tryezave shkencore dhe disa konferenca.

Situata e pandemisë doemos ka kërkuar që t’i përshtatemi kësaj rrethane dhe ne jemi përpjekur që megjithatë, aktivitetin, punën e akademisë të mos e ndalim, por kryesisht ta reduktojmë në ato forma të cilat janë më të mundshme, siç janë botime dhe disa projekte të cilat i kemi në zhvillim e sipër, në realizim e sipër.

Kemi realizuar një projekt për energjitë, tashmë është publikuar ose është në publikim e sipër. Pastaj, kemi realizuar një për arsimin të cilin nuk e kemi finalizuar akoma dhe kemi një për shkencë dhe kulturë të cilat presin të realizohen. Dhe natyrisht kemi bërë një përmbledhje dokumentesh për dialogun Kosovë- Serbi.

Atë e kemi bërë pak më herët, kështu që kemi arritur ta publikojmë. Të gjitha këto janë forma pune të cilat kanë vonesa, por po përpiqemi t’i mbajmë në veprim që aktiviteti dhe veprimtaria e akademisë të mos pezullohet dhe t’i përshtatet rrethanave të cilat u krijuan tani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *