Vepra e fundit e jetës së poetit arbëresh Jeronim De Rada, pa dritën e botimit 118 vjet më parë, pikërisht me 30 shtator të vitit 1902. Titulluar “Testamento politico”, ajo është një përmbledhje e pikëpamjeve të tij politiko-kulturore, botuar në gazetën “La Nazione Albanese”. Në këtë vepër, De Rada parashtron disa ide, plane, sugjerime dhe dëshira për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan. Ai i shihte shqiptarët, veçanërisht të kërcënuar, në atë kohë, nga fqinjët sllavë dhe grekë.

Sipas studiuesit Moikom Zeqo, në këtë vepër De Rada ka përfshirë edhe një letër që ia ka dërguar kryeministri anglez, William Ewart Gladstone (1809-1898). Në fakt, ajo është shkruar nga sekretari i kryeministrit Gladstone, me porosinë dhe sipas fjalëve të tij. Letra në fjalë është një përgjigje ndaj letrës që De Rada i ka dërguar më 17 korrik 1880m kryeministrit të Anglisë.

Për fat të keq, ende nuk dihet përmbajtja e letrës së De Radës, (duhet kërkuar në arkivat në Londër), kurse letra e Gladstone-it, i është dërguar poetit arbëresh 9 ditë mbas datës së letrës së tij.

Më poshtë, letra e plotë:

26 korrik 1880

Zotëri Jeronim De Rada.

Unë jam ngarkuar prej zotit Gladstone-it që t’ju shpreh falënderimet e tij më të shquara, për letrën tuaj të 17 korrikut, dhe për t’ju thënë, që ju mund të rrini të sigurt se, sëbashku me kolegët e vet, ai (dmth Gladstone-i) dëshiron për Shqipërinë atë drejtësi e sigurim të të drejtave civile, që tani mungojnë, në mënyrë kaq të vajtueshme në vendet e sunduara nga turqit, me përjashtim të atyre viseve ku janë siguruar me anë të institucioneve, të bazuara në autonomi reale dhe lokale.

Lexo po ashtu:  Kur Karl Marksi shihte eksodin e shqiptarëve drejt Italisë

Unë jam, zotëri,

shërbëtori juaj shumë i detyruar,

La Godley.”

Po pse De Rada, i dërgoi letër Gladstone-it?

Asnjë studiues që ka shkruar për De Radën, nuk e kanë analizuar faktin e pazakontë të arbëreshit, me anglezin Gladstone.

Gladstone-i u formua si një politikan i shquar. Sipas tij, “arti i politikës kishte të bënte me qeverisjen e njerëzve dhe jo me qeverisjen e dengjeve të pambukut”. Njohës i thellë i Homerit, i Aristotelit dhe Dantes ai qe edhe një ekonomist i madh. Në 1851 Gladstone-i bëri një udhëtim në Itali. E donte Italinë, gjuhën italiane e lexonte dhe e fliste rrjedhshëm. Ai qëndroi në Napoli. Pas triumfit të tij “mbreti bombë”, dmth Ferdinandi II, kishte shtypur mizorisht lëvizjen liberale të revolucioneve të viteve 1848-1849.

Mijra njerëz u burgosën në kushte të tmerrshme. Gladstone-i qe i pranishëm në proçesin e egër gjyqësor, ku hartuesi i Kushtetutës, të cilën mbreti Ferdinandi II e kishte miratuar në fillim dhe qe betuar solemnisht, u dënua me 24 vjet në burg. Gladstone-i arriti të futej dhe të vëzhgonte mjediset e frikshme të burgut. Ai doli prej andej, i tronditur nga qelitë e qelbura ku qenë mbyllur të burgosurit politikë, të lidhur me zinxhirë.

Lexo po ashtu:  Arvanitika, gjuhë mbizotëruese në Athinë deri në shekullin XX

Ai nuk u besonte syve, tronditja e tij qe e jashtëzakonshme. Napoli qe “mohimi i Zotit”, i ngritur në sistem mbytës dhe tiranik të qeverisjes dhe sipas shprehjes së politikanit anglez “Vendi i autoriteteve napolitane ishte në ferr, jo në tokë”. Gladstone-i i shkroi një letër Lordit Eberdinit, letër që edhe e botoi. Shtypi u ndez, u trondit jo vetëm Anglia, por mbarë kontinenti i Europës. Teksti u përkthye në të gjitha gjuhët kryesore europiane.

Brenda pak kohësh, Gladstone-i u bë i famshëm “si mbrojtës i lirisë, hero kombëtar i Anglisë dhe autoritet moral europian.” Shtypi liberal e mbuloi me lëvdata të mëdha. Nacionalistët italianë në mërgim, i thurën mirënjohje të pakufishme në emër të Zotit, të njerëzimit dhe të drejtësisë.

Kjo dukuri e entuziazmit të kohës, ka qenë e pranishme patjetër edhe te De Rada.

De Rada e ka pritur me ngazëllim Kushtetutën, ai flet për të, në kujtimet e tij, ku shkruan se kishte marë një pusullë prej poetes Xhusepina Guaçi “që sapo e kisha njohur dhe që lexonte shqipen”.

Kush është kjo poeteshë? Si e lexonte shqipen? Kjo do të thotë, se e dinte shqipen. Kjo gjasa që edhe Xhusepina Guaçi qe arbëreshe, por qe e njohur në qarqet letrare, si poete e ekspresionizmit italisht.

Lexo po ashtu:  Përse ziliqarët urrejnë? Përgjigjet Kierkegard!

Ja ç’thotë më tej, De Rada: “Ajo kishte dëshirë për të më parë. E gjeta të bërë më simpatike prej melankolisë, shkaktuar prej sëmundjes në gjoks. “A mos do ta humbim – më tha – Kushtetutën, për punë të atyre, që nuk kanë menduar për të?” Të dëshpëruar të dy, vendosëm, sipas këshillës së saj, që unë të shkoja tek Gabriel Pepe, për ta lutur që të pranojë formimin e ministrisë. (De Rada, nuk e sqaron se për çfarë ministrie bëhet fjalë – shënimi im M.Z.) Gabriel Pepe qe deputet në Parlamentin e vitit 1820, i ishte dashur, pastaj prej mbretërisë, të mërgojë në Francë, ku gjatë një zënke për nderin e Italisë, kishte bërë me Lamartinin një duel.”

Ky fragment memorialistik, tregon një mjedis dhe atmosferë të kohës.

Pikërisht Letra Lordit Eberdinit, e William Ewart Gladstone-it që kishte në fokus shkatërrimin e Kushtetutës nga mbreti Ferdinandi II i Napolit dhe dënimin me burg të konceptuesit dhe hartuesit të Kushtetutës, është lexuar edhe nga De Rada ynë.

Do të ishte një gjë e shkëlqyer, të gjendej teksti i letrës i dërguar Gladstone-it, më 17 korrik 1880. Vetë De Rada, saktëson se, e kish bërë këtë letër, për të protestuar ndaj qëndrimit të padrejtë të Çështjes Shqiptare nga Kongresi i Berlinit. Kjo e lartëson De Radën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *