Komisioni qeveritar neglizhon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, për një vendim presin deri në një vit

Një vit e më shumë i duhet Komisionit qeveritar për t’i kthyer përgjigje një viktime të dhunës seksuale gjatë luftës lidhur me njohjen apo jo të statusit. Vonesa e shqyrtimit të dokumentacionit të viktimave ka shqetësuar OJQ-të që merren me mbrojtjen e të drejtave të këtyre grave

Statusin për viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë e kanë fituar gjithsej 867 persona, prej tyre 838 janë femra dhe 29 meshkuj. Në Komisionin qeveritar për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale deri më tani kanë aplikuar gjithsej 1329 persona.

Në Kosovë sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës 20 mijë gra e vajza janë dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës 1999.

Numri i aplikuesve për njohjen e statusit sipas organizatave jo qeveritare që merren me të drejtat e këtyre viktimave është tejet i vogël në krahasim me numrin e viktimave të raportuara. Pengesa kryesore për njohjen e këtij statusi llogaritet jo vetëm stigma dhe turpi, por edhe shqyrtimi me vonesë i dokumentacionit të aplikuesve nga ana e komisionit, raporton Zeri.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, ka thënë për “Zërin” se vonimi i shqyrtimeve të vendimeve nga ana e Komisioni ka shqetësuar viktimat.

“Për t’u shqyrtuar një rast pranë komisionit zgjat 6 muaj deri në 1 vit dhe kjo rrit ankthin tek viktimat”, ka thënë Rushiti duke shtuar se ka gra që kanë ndërruar jetë duke pritur për t’iu dhënë vendimi i njohjes së statusit.

Sipas Rushitit gjatë këtij viti numri i viktimave të dhunës seksuale që kanë aplikuar ka rënë dukshëm.

“Për shkak të mbylljes së komisionit për një periudhë kohore (gjatë pandemisë) dhe për shkak të mos lëvizjes së viktimave është paraqitur një lloj shqetësimi për to dhe për ne, kjo për faktin se me kalimin e kohës kanë filluar të vonohen (anëtarët e komisionit ) në shqyrtim”, thotë ajo.

Rushiti tregon se një viktimë për ta marrë vendimin për të ndarë përvojën me Komisionin qeveritar natyrisht se duhet të bëjë një varg diskutimesh me familje për ta marr guximin të ballafaqohen së pari me komisionin.

Lexo po ashtu:  Vaksina, Rama vijon sulmet ndaj BE-së: Nuk pa përtej kufijve të vetë

“Prandaj mendoi se qeveria duhet të veprojë urgjentisht që puna të jetë me një dinamikë më të përshpejtuar për faktin se disa nga gratë fatkeqësisht që kanë qenë në aplikim edhe kanë ndërruar jetë duke pritur për t’iu dhënë një vendim. Jo që vendimi u ndryshon jetën, por mbi të gjitha është e rëndësishme që shteti njeh vuajtjen e tyre”, thotë Rushiti.

OJQ-të: Komisioni po ngarkon viktimat duke kërkuar shumë dokumentacione nga mjekët

Për neglizhencën e Komisionit ka folur për “Zërin” edhe Kadire Tahiraj, drejtoreshë në Qendrën për Promovimin e Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas, e cila thekson se shqyrtimi i vonuar i aplikacioneve nga ana e Komisionit është i papranueshëm dhe i pa arsyetueshëm.

Ajo kërkon trajtim të dinjitetshëm të viktimave nga ana e komisionit. Tahiraj thotë se shumë aplikacione janë kthyer me përgjigje negative.

“Komisioni është duke i vonuar shqyrtimet, pra aplikacionet ku kanë aplikuar gratë. Ka vonesa të shumta të cilat janë të papranueshme dhe të paarsyeshme për klientët. Vonesat zgjasin deri në 18 muaj, apo 12 muaj dhe kjo është e pa pranueshme, për një të mbijetuar të luftës është shumë e dhimbshme të pret 18 muaj dhe prapë të kthehet negativ përgjigja për të”, thotë Tahiraj.

Ajo thekson se Komisioni po kërkon shumë dokumentacione nga mjekët.

“Fillimi ka qenë shumë i mirë, tani nuk jemi aq të kënaqur për shkak se kemi shumë aplikacione të cilat i kanë kthyer negativ. Duhet të kenë një trajtim të dinjitetshëm nga institucionet”, potencoi Tahiraj për “Zërin”.

Gjendja ekonomike e grave dhe vajzave të dhunuara gjatë luftës, Tahiraj thotë se është rënduar shumë sidomos gjatë pandemisë. Viktimat e luftës që vijnë më shumë nga zonat rurale nuk kanë pasur mundësi punësimi, por edhe anëtarët e familjes së tyre, siç thotë ajo që kanë qenë të punësuar në sektorin privat për shkak të pandemisë kanë mbetur të papunë.

“Gjenda ekonomike është vështirësuar për çdo ditë, duke marrë parasysh edhe situatën me pandeminë po ashtu edhe familjarët e tyre, të cilët kanë punuar në sektorin privat fatkeqësisht iu është ndërprerë puna dhe gjendja e tyre psiqike është jo e mirë dhe mund të themi se të mbijetuarat e luftës e kanë përjetuar më vështirë se secila grua tjetër, u është riaktivizuar trauma për shkak të izolimit, mos qasjes apo mos lëvizjes”, ka thënë ajo.

Lexo po ashtu:  Këtë detaj nga përleshja Abazi – Molliqaj nuk e keni vërejtur

Edhe Drejtoresha e Shoqatës së Grave “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada në një prononcim për “Zërin” ka theksuar se Komisioni Qeveritar vonon në shqyrtimin e vendimeve të këtyre personave.

Ajo thotë se shoqata e tyre nuk ka pranuar që të punojë përmes aplikacioneve online, pasi që sipas saj kjo ka të bëjë me konfidencialitetin, mirëpo atyre iu është dashur që të punojnë në mënyrë tjetër për të plotësuar aplikacionin, e për këtë sipas saj numri i organizatave të cilat kanë aplikuar në Komision ka qenë më i vogël në pandemi në krahasim me kohën kur gjithçka ishte normale.

“Ka vonesa në vendimin e Komisionit deri sa i marrin ato. Komisioni është duke punuar, normal që pandemia e ka penguar punën e Komisionit si dhe punën tonë se ne si organizatë nuk kemi preferuar që të punojmë aplikacionet online për shkak të konfidencialitetit, kështu që na është dashur që të gjejmë modalitete të tjera që të plotësojmë aplikacionet dhe për atë numri i organizatave të cilat kanë aplikuar kanë qenë me i vogël në këtë periudhë të pandemisë sesa në kohën kur ishim duke vepruar normal. Sikurse ne edhe Komisioni gjatë kësaj periudhe kujtoj që e kanë ulur volumin e punës përndryshe vonesat kanë qenë shumë të dukshme dhe ne i dimë që kemi pas rast që të mbijetuarat nuk kanë marrë vendim deri në 16 muaj prej komisionit”, është shprehur Sada.

Sada thekson se fillimi i pandemisë në muajin maj, prill dhe maj ka bërë që grave të dhunuara t’iu kthehet trauma e luftës dhe kjo sipas saj ka vështirësuar gjendjen e tyre.

“Gjendja e tyre në pandemi është vështirësuar dukshëm, sidomos në kohën kur ishim të mbyllur për shkak se ishte një periudhë ku ka ndodhur ngjarja traumatike e muajit mars, prill dhe maj, ku në atë kohë shumica e të mbijetuarve kanë përjetuar ngjarjen traumatike gjatë vitit ‘99 dhe këto mbyllje i ka kthyer prapë në një gjendje jo të mirë”, përfundoi Sada.

Komisioni: Trajtimi i një çështjeje kaq të ndjeshme ndikon që procesi të jetë më i vështirë

Lexo po ashtu:  Kurti nga Prekazi: Tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, rënia e tyre ngriti në këmbë shqiptarët

Ndërkaq, nga Komisioni Qeveritar kanë treguar për “Zërin” se deri më sot kanë aplikuar 1329 persona për të fituar statusin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Anëtari i Sekretarisë së Komisionit, Labinot Bala ka thënë statusin viktimë e dhunës seksuale e kanë fituar gjithsej 867 persona, nga ta 838 femra dhe 29 meshkuj. Ndërsa, ai ka thënë se 261 kërkesa janë refuzuar nga to 222 femra dhe 39 meshkuj. “Në proces janë 68 raste”, ka thënë Bala.

Anëtari i Sekretarisë së Komisionit, Labinot Bala ka thënë se në këtë vit ka rënë numri i aplikueseve. Ai thotë se gjatë kohës së pandemisë komisioni ka punuar, por me pengesa.

Bala tha se secilit rast ia kanë kushtuar kohën e nevojshme. “Në fillim të procesit kemi pranuar numër të madh të aplikimeve ndërsa këtë vit ky numër ka shënuar rënie. Komisioni ka punuar gjatë gjithë kohës por që është përcjell me pengesa kohë pas kohe për shkak të pandemisë. Komisioni që nga fillimi i procesit ka punuar në mënyrë të vazhdueshme, bazuar në kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e procesit, si dhe me qëllim të vlerësimit të drejtë dhe të ligjshëm të aplikacioneve në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, secilit rast i ka kushtuar kohën e nevojshme”, potencoi ai për “Zërin”.

Balaj thotë se trajtimi i një çështje kaq të ndejshme e cila ka ndodh para 20 vite bën që procesi i Komisionit të jetë më i vështirë. Sipas tij ky komision mbetet i përkushtuar deri në fund në vlerësimin e ligjshëm të të gjitha rasteve.

“Sfidë për ne si Komision mbetet fakti që jemi duke trajtuar një pasojë të rendë luftës e cila ka ndodhur 20 vite më parë, prandaj trajtimi i një çështjeje kaq të ndjeshme ndikon që procesi të jetë më i vështirë. Komisioni Qeveritar mbetet i përkushtuar deri në fund në vlerësimin e ligjshëm dhe të drejtë të të gjithave rasteve, duke respektuar dinjitetin, personalitetin, dhimbjen dhe vuajtjet e të gjithë personave të cilët kanë përjetuar këtë krim të luftës”, ka përfunduar ai, duke iu bërë thirrje të gjithë personave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për njohje të statusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *