Qoftë një herë në jetë kemi dëgjuar nga doktorët, dietogolët ose prindërit se të bësh 10.000 hapa në ditë është shumë e shëndetshme për trupin dhe mendjen. Ky na qenka standardi i artë të cilin duhet të arrijmë çdo ditë, po kush vallë e vendosi se numri 10,000 është numri ideal? Mos vallë është një mit?

I-Min Lee, profesor i epidemiologjisë në “Harvard” dhe studiues i aktivitetit fizik tha për “Refinery29”se në vitet 1960, një kompani japoneze krijoi një hapmatës të quajtur “Manpo-kei” që përkthehet në “metër për 10,000 hapa”. Arsyeja përse u zgjodh pikërisht kjo shifër ishte pasi për prodhuesit ky numër ngjante tërheqës. Kështu, arritja e 10,000 hapave frymëzoi prodhimin e shumë matësve si “Fitbits” dhe “Apple Watch”, duke i shtyrë konsumatorët të besojnë se nëse njerëzit bëjnë aq hapa do ta kenë më të lehtë të humbasin peshë.

Për të parë nëse ky mit kishte qoftë një faktor vërtetësie, u zhvillua një studim në vitin 2021. Përgjatë këtij studimi u survejuan sa hapa në ditë kishin bërë 2,110 të rritur për më shumë se 10 vite. Doktorët dolën në përfundimin se në fakt, bërja e 7000 hapave në ditë ul rrezikun e vdekjes së parakohshme. Ata zbuluan gjithashtu se pas 7500 hapave përfitimet e ecjes nisin të zvogëlohen në varësi të personit.

Lexo po ashtu:  Kush konsumon verë, ulë rrezikshmërinë ndaj depresionit

Sipas këtyre studiuesve, për një pjesë të njerëzve aktiviteti fizik mund të kthehet në stres, pasi e shohin arritjen e 10.000 hapave si një numër të frikshëm dhe të paarritshëm dhe kështu ata nisin të dekurajohen. Disave mund t’u nisin mendimet ankthioze se nëse nuk e arrijnë këtë numër gjatë përditshmërisë, nuk do të jenë kurrë të shëndetshëm. Këshillohet që secili prej nesh të bëjë aq hapa në ditë të mundemi, por ta shoqërojmë ecjen me një dietë të ekuilibruar dhe me ushtrime të tjera fizike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *