Ali Sh Mehmeti

Pyetje e parë në të cilën nuk do kemi përgjigje deri te zgjedhjet e ardhshme amerikane është:
Sa nga ata që e votuan Donald Trampin për President të ShBA-ve, sikur do përsëriteshin zgjedhjet sot, do e votonin prapë? Vetëm një muaj pasi morri detyrën! Me fjalë tjera, a ë është zgjedhja e Trampit aksidentale apo rezultat i një rryme të re në ShBA, që disa kanë filluar ta quajnë “trampizëm”.

Çarja mes ShBA-ës dhe Evropës edhe ka qenë e pritshme, por as skeptikët më të mëdhenj nuk kanë pritur një çarje kaq të thellë ndërmjet ShBA-ës dhe Britanisë së Madhe apo Kanadasë, duke e ditur se këto tre shtete bashkë me Australinë dhe Zelandën e Re, pra pesë shtete anglisht folëse, janë pjesë e një sistemi planetar të spiunimit, të quajtur Echelon.

Si biznesmen që është, Tramp po mendon që edhe shteti është një kompani private, ku pronari ka të drejtë për çdo gjë, vetëm sepse e ka forcën. Tipike për tipat autoritar, mos të them diktatorë, por jo për presidentët amerikan.

Zgjedhja e Trampit, të Rusisë për aleat kundër Kinës, në vend të Evropës, do tregohet i gabuar. Edhe vet ish këshilltari për siguri nacionale i presidentit Tramp, John Bolton deklaroi se “Tramp i ka vënë SHBA-të në anën e gabuar të luftës Rusi-Ukrainë dhe kjo është e turpshme. Tramp dhe Vance janë rreshtuar haptas në anën e Rusisë në luftën Rusi-Ukrainë. Ky është një gabim katastrofal për sigurinë kombëtare të Amerikës”.

Evropa, sikur po futet në senduiç, mes Trampit dhe Putinit, ose më saktë mes Trampit dhe Rusisë. Ka përfunduar “Pax Americana”, periudhë stabiliteti dhe paqeje globale, e imponuar nga dominimi i SHBA-ve pas Luftës së Dytë Botërore, e mbështetur nga fuqia ushtarake, ekonomike dhe kulturore e saj, respektivisht marrja e paqes sikur të mirëqenë nga evropianët, gjithnjë duke u mbështetur në NATO, respektivisht në ShBA. Tani ka ardhur koha që Evropa ta rishqyrtoj pozicionin e vet dhe aftësinë për tu mbrojtur. Takimi i para pak ditësh mes Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, që kishte për temë bashkëpunimin në fushën nukleare sikur flet mjaft. A do lirohet Gjermania nga kufizimet e pas LDB për mos zhvillimin e armëve ofanzive dhe sidomos atyre nukleare? Nëse do arrihet, ose nëse tashmë është arritur, ky pajtim mes dy fuqive bërthamore, Francës dhe Britanisë, atëherë Evropa shumë shpejt nuk do mund të anashkalohet nga vendimmarrja në nivel global, lere më për çështjet e kontinentit evropian, duke pasur parasysh aftësinë teknologjike dhe ekonomike të Gjermanisë. Kërkesa amerikane që shtetet anëtare të NATO të shpenzojnë 2% nga BPV për mbrojtje, deri tani ka hasur në vesh të shurdhër. Nëse Evropa do, ta rifitoj respektin, tani ky shpenzim për mbrojtje duhet të rritet shumë mbi 2%, siç është rritur për vitin 2024 në disa shtete prej 2,12% në Gjermani deri 4,12% në Poloni. Sigurisht se kjo situatë kërkon shtrëngim rripi nga qytetarët evropian, të cilët nuk janë aq të gatshëm për sakrifica. Sidomos nuk janë të gatshëm ata që kanë më së shumti, milionerët dhe miliarderët, edhe pse në rast lufte ata humbin më së shumti! Por, duhet shpjeguar se mos sakrifikimi i kapitalit dhe mirëqenies ekonomike sot, mund të shpie nesër në sakrifica me jetë. Evropianët sot po humbin para për shkak të luftës në Ukrainë, por ukrainasit po humbin me qindra mijëra jetë njerëzish.

Ku të pozicionet Kosova? Nëse është e mundur ta shfrytëzoj urtësinë e njohur popullore sipas së cilës “kingji i butë thithë dy nona”! Kurse, nëse mbështetet për muri, atëherë ta kujtoj proverbin tjetër “më i rëndësishëm është kojshia i mirë, sesa i vëllai kur është larg”!
Mos të mbesim, si zakonisht, të fundit që e kuptojmë se nga “Pax Americana” është duke u kaluar në “Post Americana”! Në “Post Americana” duhet të mbështetemi, së pari në forcat tona dhe të kojshive, ku para së gjithash, përveç Shqipërisë, i konsideroj Britaninë, Gjermaninë, Turqinë dhe Kroacinë!

Lexo po ashtu:  Vaksinë apo vodka? Rusët në dilemë të madhe para festave / Konsumi i alkoolit ndikon në efektivitetit e dozës së Sputnik V