Nëse në vitin 1937 akademiku serb Vaso Çubrilloviç shestonte shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, shtatë vite më vonë ai sërish do të dilte më një ide të tillë. Kësaj radhe në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, ai do të trajtonte problemin e shqiptarëve në një kontekst tjetër.

Në vitin 1944, kur partizanët jugosllavë kishin marrë pushtetin, profesori universitar bëri gati planin për dëbimin e pakicave kombëtare, si shqiptarët, gjermanët dhe hungarezët.

“Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re: memorandum” është dokumenti tjetër i akademikut serb për dëbimin e shqiptarëve. Me gjithë transparentin ideologjik si komunist, dokumenti në fjalë merret kryekëput me idenë e dëbimit të shqiptarëve në emër të sigurisë nacionale të Jugosllavisë së re.

Sipas tij, ‘pakicat tona…nuk përbëjnë rrezik për ne për shkak të numrave, por për shkak të pozitës së tyre gjeopolitike dhe lidhjeve që mbajnë me popujt fqinj me të cilët janë të lidhur’.

“Federata demokratike e Jugosllavisë mund të gjejë paqe dhe të sigurojë zhvillim nëse bëhet etnikisht e pastër, dhe nëse duke zgjidhur problemin e pakicave, do të zhdukë shkaqet e përplasjeve me shtetet fqinje”, precizon Çubrilloviç.

Lexo po ashtu:  Isa Boletini për Daily Telegraph: Gjithë jetën time deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët

Pasi analizon gjendjen gjeopolitike të Vojvodinës së banuar nga gjermanë dhe hungarezë etnikë, ai i rikthehet Kosovës dhe pozicionit të saj gjeopolitik.

Ai nuk vonon për të sqaruar rëndësinë e këtij rajoni, që sipas tij, duke zënë pjesën qendrore të Ballkanit, ndante Serbinë nga Mali i Zi dhe këta të dy prej Maqedonisë.

“Viset e epërme të lumit Vardar mbahen prej shqiptarëve, përderisa viset e poshtme të lumit janë në duart e grekëve. Ne sllavët e jugut mbajmë vetëm një copë të ndërmjetme. Pozita jonë është tejet e dobët për të mos u cenuar, siç ndodhi kur Italia i cedoi Shqipërisë jo vetëm Kosovën, por edhe Dibrën, Kërçovën, Gostivarin dhe Tetovën”.

Akademiku serb thotë se përparësi duhet t’i jepet Vojvodinës dhe Serbisë së Vjetër (siç e quan Kosovën), meqë ato përbëjnë kyçin e problemit të pakicave në Jugosllavi.

Ai nuk e fsheh që ‘kërcënimi më i madh është prej blloqeve të mëdha të pakicave në viset kufitare me rëndësi strategjike dhe ekonomike’.

“Është thelbësore për ne që t’i zbojmë gjermanët dhe hungarezët nga Vojvodina dhe shqiptarët nga Serbia e vjetër dhe Maqedonia”, u sugjeron Çubrilloviçi autoriteteve jugosllave.

Lexo po ashtu:  Më 3 prill 1919 mbërriti në Shqipërinë e drobitur nga varfëria Kryqi i Kuq amerikan

Duke iu rikthyer pikëpamjeve të vjetra për problemin shqiptar, profesori serb është tejet eksplicit në synimin e tij për spastrim të plotë etnik.

“Nëse duam ta arrijmë qëllimin tonë për të lidhur Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë, ne duhet të krijojmë një ndryshim krejtësor në strukturën etnike të Kosovës. Më i rëndësishmi nga të gjithë është Dukagjini. Si një rajon kufitar me Malin e Zi, ai do të ishte shumë i përshtatshëm për kolonizim me malazezë”, nënvizon Çubrilloviç.

Ministri serb në Qeverinë jugosllave nuk mjaftohet vetëm me dëbim përmes operacioneve ushtarake.

Në dokument, ai sugjeron që pakicat të zhvishen nga të gjitha të drejtat e tyre.

“Të gjithë pjesëtarët e pakicave kombëtare që kanë qenë në ndonjë mënyrë në shërbim të okupuesve duhet të sillen para gjyqeve ushtarake dhe të mos kihet mëshirë për ta. Kampe përqëndrimi duhet të ngriten për ta, prona e tyre duhet të konfiskohet, familjet e tyre duhet të vendosen në kampe, dhe në mundësinë e parë, ato duhet të dëbohen në shtetet e tyre nacionale”, shkruan Çubrilloviç.

Lexo po ashtu:  Shfarosni shqiptarët! Ja platformat e fqinjëve. - Protagonistët më të mëdhenj të spastrimit të shqiptarëve në 200-vitet e fundit janë serbët, malazezët dhe pa asnjë dyshim grekët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *