Fragmenti i mëposhtëm është i famshëm në mjedisin letrar dhe politik të Shqipërisë. Por sado që ka kaluar shumë kohë që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, kur edhe fjala e Fan Nolit u bë publike, aktualiteti i saj është therës për vërtetësinë që përcjell. Dhe ndodh kjo për faktin e thjeshtë se Shqipëria, apo elita politike e saj nuk ndryshon. Është po ajo; hileqare, e paaftë, gënjeshtare, meskine dhe përherë në anakronizëm me kohën. Alibinë e ka kurdisur mire: ky popull nuk bëhet.

Ndaj Shakaxhiun e Përparimit që e hasim shpesh si term që ja ngjisin ndokujt mund ta meritojë secili prej këtyre “burrave të shtetit” që bëjnë nga pak edhe gaztorin e popullit. Po e sjellim fjalën e Nolit jo vetëm për ta lexuar ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por edhe për të lënë të lirë të gjithë të gjejnë aktualitetin e saj te çdo qeveri që ka kaluar këtej pari por edhe te një pjesë e madhe e shoqërisë sonë.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

***

Na ngjau me Ahmet Zogun siç i ka ngjarë një konti me Nastradinin gjerman Til Ulenshpigel. Ky Nastradin i Veriut kishte marrë përsipër me një shpërblim të lartë e të parapaguar të stoliste me piktura kështjellën e një konti. Këtë punë do ta mbaronte brenda në katër muaj por me konditën që në këtë periudhë asnjë njeri tjatër nuk do të hynte brenda në kështjellë që t’i prishte qetësinë.

Katër muajt me rradhë Til Uleshpigeli ndenji në kështjellë ku hante e pinte e bënte qejf mbi kurrizin e kontit pa bërë asgjë. Kur u mbarua afati, ftoi kontin, konteshën dhe miqtë e tyre të vinin të admironin pikturat dhe dekoret e tij. Që të shpëtojë e të ikë para se të zbulohet lodra e tij mejtoi këtë strategjemë: Kur hynë konti dhe kontesha e miqtë e tyre në kështjellë, i paralajmëroi kështu: “Ata dhe ato prej jush që janë doçë e doçe nuk do të mundin dot t’i shohin pikturat e dekoratat që kam bërë”.

Lexo po ashtu:  “Zakoniku” i Dushanit – Gurthemel i mashtrimeve të historiografisë serbe

Kështu hynë brenda në kështjellë dhe cilido përpiqej të lëvdonte pikturat e dekoret nga frika që mos quhej doç. Vetëm një shërbëtore pasi u përpoq më kot të shohë piktuirat e dekoret thirri: “Ndjesë pastë nëna ime, më ka bërë doçe se unë nuk shoh asgjë”. Po gjersa të guxonin të thoshin dhe të tjerët që nuk shikonin asgjë, Nastradini gjermankishfluturuar ekishvajtur gjetkë për të dekoruar të tjera kështjella.

Kështu e mori përsipër Ahmet Zogu ta zbukuronte Shqipërinë dhe kështu ia mbushi kokën Parlamentit me profkat e tij. Pak kohë pas kësaj, puna doli fyçkë dhe shakaja u kuptua prej të gjithëve. Po më të shumtit nuk guxonin ta thonin nga frika se mos quheshin “tradhëtorë”. Vetëm një pakicë pati guximin ta thotë të vërtetën. Por nuk do të jetë larg dita, kur do t ia këndojnë Ahemt Zogut këngën në këtë formë:

Rroftë Ahmet Zogu, rroftë

Shakaxhiu i përparimit

Brez pas brezi u kujtoftë

si Stërnip i Nastradinit.

…Kanë të drejtë dhe ata që qeshin dhe ata që zemërohen. Se puna është për të qeshur dhe për të qarë. Nemëni leje tani të përshkruaj, me pak fjalë historinë dhe teatrin, ku Ahmet Zogu bëri dhe vazhdon shakanë e tij. Në konfuzion të përgjithshëm dhe i ndihmuar prej lajthimeve fatale të kundërshtarëve të tij, Ahmet Zogu rrëmbeu fuqinë të cilën po e mban në dorë. Kjo s’është gjë e zorshme për të bërë, po të merret ndër sy që në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e popullit.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku.

Lexo po ashtu:  Pse nuk i kujtojmë dot ëndrrat tona?

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë dita-ditës si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit..

Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e ketyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin.

Jemi ngarkuar me barrën të vemë urdhër e rregull në mes të këtyre pesë anarkive. Hodhëm një sy mbi problemin e tmerruar që kishim përpara e na u ngjethën mishrat, po s’u trembëm e iu përveshëm punës. Qysh mund të hezitonim e të ndruheshim? A ka ideal më të lartë, se sa të nxjerrësh vendin tënd nga shpella e errësirës, ta shërosh nga plagët shekullore, ta lirosh nga thonjtë e nga gërshërët e hydrës së anarkive? A ka ideal më bujar se sa të krijosh e të vesh një racë të re, të fortë e të disiplinuar, me fenë e detyrës në zemër, me diellin e lirisë në ballë e me flamurin e sakrificat për të mirën e përgjithshme në dorë? Ja një punë për një komb ndërtonjës, për nation-buldier, ja një punë për një trim legjendar, ja një punë për një gjysmë perëndi.

Lexo po ashtu:  “Ilirët ose shqiptarët, këta bijë të paeupur, ishin luftëtar të shqipes, trashëgimtarë të denjë të Akilit, Filipit, Aleksandrit të Madh dhe Piros së Epirit…”.

Po këtë punë gjysmë perëndie dhe tiranie e rrëmbeu dhe e mban në thonjtë e tij një shakaxhi i trubull, i cili mbi të pesë anarkitë që ekzistonin shtoi dhe dy anarki të tjera: anarkinë shtetërore dhe anarkinë ekonomike dhe financiare.

Shakaxhiu vazhdon në fuqi, i ndihmuar prej këtyre anarkive dhe i përkrahur prej shokëve militantë, të cilët s’duan të njohën e të ndreqin lajthimin nistor që bënë kur e vunë në krye të punës.

Shakaxhiu, duke parë që shokët mërziten, e ndryshon nga koha në kohë shakanë, e kabineti e partizanët e tij flenë rehat gjersa shohin që shakaja bëhet më e keqe dita me ditën (…)

Mbetet e mbetet Ahmet Zogu i rrethuar prej kolltukofagësh dhe i qarkuar në shpellën e tij prej mizërie hafiesh e dallkaukësh; mbetet ky shakaxhi që pretendon oksidentalizëm e liberalizëm, kur ushqen në zemër të tij idealet më të errëta të orientit; kur shkel liritë e popullit dhe shkatërron arkën e shtetit për të arrirë qëllimet e tij personale. Ne deputetët e opozitës jemi të shtrënguar ta ndalojmë këtë shaka. Me çfarëdo mënyre. Ndryshe kjo do të jetë shakaja e fundme e Shqipërisë (…)

*Fjalim i Fan Nolit më 27 shtator 1923 gjatë sesionit IV të Këshillit Kombëtar ku u paraqit një raport i qeverisë së atëhershme, kryesuar nga Ahmet Zogu. Në emër të opozitës, Fan Noli refuzoi kërkesën për votëbesim.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *