Operatori më i madh i shërbimeve fikse të komunikimit në Shqipëri, Albtelecom, është drejt shitjes. Siç raporton Monitor, procesi i shitjes është në fazën fillestare dhe nuk ka ende një afat për përfundimin e saj.

Mësohet se janë dy kompanitë që kanë shprehur interes për blerjen e Albtelecom, njëra prej tyre është kompania hungareze e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, 4iG.

Kjo e fundit, e themeluar në vitin 1995, është e listuar në bursën e Budapestit që prej vitit 2004. Aksioneri kryesor i saj është është biznesmeni hungarez Gellért Jászai, me 61% të aksioneve.

4iG ofron pajisje teknologjike dhe shërbime të lidhura me komunikimet satelitore, sistemet e menaxhimit të proceseve të punës për bizneset, ndërtimit dhe operimin e qendrave të të dhënave.

Për vitin 2020, 4iG raportoi të ardhura totale në vlerën e 57.7 miliardë forintave hungareze (rreth 161 milionë euro) dhe një fitim para tatimit, amortizimit dhe zhvlerësimit (EBITDA) 5.05 miliardë forinta hungareze (rreth 14 milionë euro). Në fund të vitit 2020, kompania kishte 924 punonjës.

Lexo po ashtu:  Kosova vendos regjim vizash për shtetasit rusë

4iG bëhet kështu investitori i dytë i rëndësishëm hungarez që shfaq interes për të hyrë në Shqipëri. Në vitin 2019, grupi bankar hungarez OTP bleu filialin shqiptar të Bankës franceze Societe Generale, për rreth 32.5 milionë euro.

Albtelecom iu shit konsorciumit turk Cetel në vitin 2004 për 120 milionë euro. Që nga privatizimi e deri më sot, Albtelecom ka qenë me humbje.

Edhe pse vijon të kryesojë tregun e shërbimeve fikse të komunikimit, me të ardhura totale për vitin 2020, në vlerën e 3.9 miliardë lekëve (41% e volumit të përgjithshëm të tregut), të ardhurat e Albtelecom kanë pësuar rënie me 12% krahasuar me një vit më parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *