Të dashur prindër,

Këto ditë të fundit kemi qenë cak të një fushate të egër propaganduese, diskutime e komente të shumta me përmbajtje manipuluese dhe një përpjekje të krijimit të kauzave të paqena. Të pa interesuar për të vërtetën e plotë dhe për kritikën në shërbim të përmirësimit dhe përparimit, përfaqësues të partive politike, pretendentë për të qenë parti politike, e komentatorë që mbase synojnë politikën, iu rrekën sulmeve ndaj qeverisë duke u paraqitur si kinse gardian të familjes. Çdo pretendim i tyre, doli të jetë i pavërtetë. Doracakët në fjalë, asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë, as tekste shkollore, as lëndë obligative, as tekst obligativ apo tekst për nxënës. Në fund e kuptuam që po i njëjti doracak kishte filluar hartimin në vitin 2016 (kur ministër i Arsimit ishte Dr. Arsim Bajrami nga PDK), e ishte i miratuar në vitin 2020 (kur ministre e Arsimit ishte Dr. Hykmete Bajrami nga LDK), dhe në vitin 2023 është publikuar në faqen e MAShTI-t. Pra, jo në nëntorin e vitit 2024 por në gusht të vitit 2023.

Lexo po ashtu:  Prindër, ndëshkoni veprimin dhe jo fëmijën!

Përderisa ata bëjnë politikë me fëmijë dhe familje, ne kemi bërë politika për fëmijët dhe familjen. Fëmijëve po u ndajmë shtesa për herë të parë që prej pasluftës. Nënave lehona gjithashtu. Kemi krijuar masën e punësimit “Qeveria për Familjet”. Kemi krijuar programet “Sporti në shkolla”, “Arti në Shkolla”, “Drejt Malit” përmes së cilave po e pasurojmë përvojën shkollore për nxënësit dhe po kujdesemi për shëndetin e tyre fizik dhe kreativitetin e tyre artistik. I kemi subvencionuar materialet shkollore për nxënës. Për herë të parë kemi bërë rishikimin dhe përmirësimin e teksteve mësimore për lëndët e Gjuhës Shqipe dhe Matematikës për klasat I-IX. Fëmijëve me nevoja të veçanta po u ofrojmë asistentë. Për fëmijët pa kujdes prindëror i kemi rritur pagesat e rregullta mujore. Me ligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, për herë të parë po e mundësojmë strehimin familjar për fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 26-vjeçare. Shumica dërrmuese e këtyre politikave nuk kanë ekzistuar më parë.

E megjithëkëto në mesin e këtij diskutimi disa ditorë ka pasur edhe prind e individë me shqetësime të sinqerta, të cilëve ju falënderoj që i keni bërë të zëshme vërejtjet e juaja. Në reagimin tonë të parë institucional ne kemi shprehur gatishmërinë për të rishikuar përmbajtjen që nuk e kanë gjuhën e përshtatshme, dhe nuk përputhen me kontekstin apo standardet e edukimit. Të premten, Ministria e jonë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka nxjerrë vendim për largim nga përdorimi i doracakëve ndihmës për mësimdhënës dhe rishikimin e tyre, me ç’rast në komisionin përkatës do të jenë të ftuar të gjitha palët relevante, përfshirë natyrisht edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës.

Lexo po ashtu:  Gjyshërit dhe mbesat e nipërit, do i kenë fort për zemër këto thënie të mrekullueshme

Të dashur qytetarë,

Lufta hibride kundër qeverisë dhe shtetit tonë është intensifikuar si asnjëherë më parë. Informacionet sot duhet t’ia nënshtrojmë si verifikimit faktik e logjik ashtu edhe mendimit kritik. Për çfarëdo të dhënash të vërteta e të sakta që ju nevojiten, institucionet e shtetit dhe ministritë e qeverisë janë të hapura për juve.

Ju faleminderit për mirëkuptimin që keni treguar përkundër të gjitha turbullirave nga diskutimet e papërmbajtura ditëve të fundit.