Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar demonstratën e 11 marsit të vitit 1981.

Kurti në një status në rrjetin social Facebook, ka shkruar se historianët bien dakord se ajo demonstratë shënon fillimin e një procesi të pandërprerë që çoi deri në zhbërjen e Jugosllavisë, e deri në çlirimin e Kosovës.

“Fillimisht ishte një protestë spontane, tek mensa e studentëve. Aty të rinjtë u revoltuan ndaj shërbimit e kushteve të këqija. Por kjo protestë spontane e studentëve u shtyp brutalisht, dhe prandaj shumë të tjerë u solidarizuan dhe vendosën të organizojnë demonstratën e 11 marsit. Ndryshimi mes protestës e demonstratës nuk është vetëm te numri i pjesëmarrësve. Protesta mund të jetë spontane, rrjedh prej revoltimit aty për aty kundër diçkaje të papranueshme. Ndërsa demonstrata është e organizuar, masive, është populli që demonstron se është i gatshëm të vetëvendos e të vetëqeveriset, ta marrë vetë në dorë fatin e vet”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka shkruar se populli si koncept politik, dallon nga popullata si koncept statistik, pikërisht sepse i pari organizon vetveten në disiplinë të tillë.

Lexo po ashtu:  Macron paralajmëron ligje kundër "separatizmit islamik" në Francë

“Demonstratat e vitit 1981, të organizuara nga studentët e nxënësit e shkollave të mesme, shpejt u mbështetën edhe nga punëtorët, duke i dhënë fillim një pranvere shqiptare. Ato u shtypën dhunshëm, por çdo pushtet që përballet me demonstrata e vendosmëri të tillë, fundin e ka afër, sado i fuqishëm e i dhunshëm të jetë”, ka shkruar Kurti tutje.

Kryetari i LVV-së, thotë gjithashtu se pas demonstratave të 11 marsit, u organizuan të tjerat më 26 mars, e pastaj edhe më 1 e 2 prill 1981.

“Regjimi jugosllav u detyrua të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Prishtinë e Mitrovicë. Por tashmë kërkesat e demonstruesve për Republikë e për Vetëvendosje ishin gdhendur në vetëdijen e popullit, dhe nuk mund të harroheshin më. Regjimit iu dridhën këmbët, ndërkaq studentëve as qerpiku. Qindra studentët e arrestuar u çuan në dhoma torturash, ku kanë përjetuar vuajtje të papërshkrueshme, megjithatë nuk u thyen”, ka shkruar ai.

Ndër të tjera Kurti tha se forca e studentëve të 1981 ende sot rrezaton tek ne, si shembull për rininë e për popullin, që nuk duhet t’i lejojë kurrë kompromiset e pushtetit me lirinë, me mirëqenien e me drejtësinë, të cilat ishin e janë kërkesat tona. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lexo po ashtu:  Kurti: Sonte hapen gjashtë pika kufitare me Serbinë, deri më 1 prill vendimi për reciprocitet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *