OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Moisiu i dhuroi skenës temperamentin kolerik shqiptar, butësinë mesdhetare italiane dhe logjikën e ftohtë gjermane. “Shqiptar, italian, gjerman, evropian – qytetar i botës”, shkruan për të kritiku i teatrit Rudiger Schaper. Por, mbi të gjitha te Moisiu ringjallet tragjikja që mbizotëron mbi sublimen.

Nga Dorian Koçi

Fjalët që shprehin koncepte të mëdha, shpeshherë duken sikur vijnë nga një origjinë hyjnore, por në fakt ato reflektojnë një parim të njohur të semantikës, të identifikimit të koncepteve me sendet që i kanë përfaqësuar. Kështu për shembull, pak kush mund t’i vejë mendja apo t’i kujtohet nëse ka lexuar diku se fjala tragjedi kaq e nevojshme për të kuptuar dhimbjen, vuajtjen dhe katarsisin njerëzor, të ketë në qendër të saj dhuratën që i jepej fituesit në lojërat e festimet të organizuara për nder të hyut Dionis. Kjo dhuratë që ishte cjapi, shumë e denjë për vendet malore ku konsiderohej një kafshë e shenjtë për të mbarështuar ekonominë e rrjedhimisht dhe për tu flijuar, duket sikur e plebetizon paksa aristokracinë e lartë të fjalëve që pasqyrohet në formën e tragjedisë, por në të vërtetë ata që i kanë dhënë jetë këtij lloji arti skenikë janë aktorët e mrekullueshëm tragjikë.

Etnosi dhe kombi ynë ka pasur fatin të lind një të tillë të shënjuar në memorien e kohës me emrin e një heroi të madh të antikitetit si Aleksandër dhe me mbiemrin e një profeti të madh të njerëzimit, si Moisiu. Nuk e di se çfarë kombinimi më të mirë mund të gjente fjala tragjike, sesa kombinimi i këtyre dy emrave në një person, pasi Aleksandri i Madh mbi të gjitha ishte një hero kulturor, njeriu që në çdo përparim të ushtrive të tij ndërtonte dhe institucione të rëndësishme kulturore që shpërhapnin qytetërim dhe Moisiu një profet që udhëhoqi popullin e vet drejt Tokës së premtuar dhe mori dhjetë Urdhëresat e Shenjta duke shpërhapur fjalën e Zotit. Këtë lloj kombinimi dhe mbivendosje kulturash mund ta gjesh vetëm në Gadishullin Ilirik, prej nga ishte origjina e Aleksandër Moisiut, pasi ai ashtu si dhe Aleksandri i Madh është një hero kulturor.

Çfarë mund të ketë trashëguar Moisiu, nga vendi i origjinës së vet? Qytetet Durrësi dhe Kavaja, ku kaloi disa vite jetës? Si mund të ketë ndikuar këto qytete në personalitetin e tij?

Lexo po ashtu:  Letra e Aleksandër Moisiut për gazetën franceze: Ja arsyeja e anulimit të turneut tim në Paris

Në vitin 1849 peisazhisti, britanik Edward Lear, shkruan për Durrësin se nga pamja kështjella duket ndërtesë e stilit norman, ndonëse me plot arna e meremetime. Fortifikimet e saj shtrihen teposhtë faqes së kodrës, deri buzë ujit ku bashkohen me muret e qytetit. Në disa pjesë të tyre vura re disa mburoja të parzmuara, me ca basoreliefe në formë bufash të gdhendur.

Kombinimet e peizazheve përqark janë shumë elegante e të mrekullueshme nga çdo peizazh shqiptar që kam parë. E mandej, ai shkruan për bukurinë rurale të rrethinave të Kavajës që përbehet nga ullinj të mëdhenj që shtrijnë degët mbi shtigje e brigje të thyera, rrugica, ca xhami e një kullë e lartë sahati, figura gegësh të veshur me ngjyra të forta të zeza, të kuqe, të bardha; varreza me varre xixëlluese; pastaj pemë kopshti që ngriheshin mbi çatitë e kuqërremta dhe oxhaqet e bardhë të lartë; valëzime ullishtash në ngjyrë të gjelbër në të kaltërt; më tej livadhe të rrafshët e të pafund deri në det, me tufa të pafund bagëtish; ndërsa linjat e kodrave të ulëta e të zbehta në jug-perëndim, si dhe Adriatiku i kaltër me Durrësin në kepin e vet shkrihen ëmbël në horizont.

Ndoshta këto përthyerje e pafund peisazesh do reflektonin në zërin e tij magjik. Ndoshta diversiteti fetar e arkitekturor do ndikonte në temperamentin e tij gjithë jetë e pasion. Stefan Zwei, do të shprehej për zërin e tij “Zëri përkëdhel vetveten, i rrëshqet mendimet e thurura poshtë e lart nëpër shkallë si macja lëmshin në oktava muzikore që ngrihen dhe ulen përgjatë tërë shkallës së instrumentit kumbues të fytit. Nganjëherë njeriu mbyll sytë vetëm për një hop për ta ndier ligjërimin e tij si muzikë…”!

Lexo po ashtu:  Videoja e personazheve publik irriton ndjekësit

Po a e ndjente veten Moisiu, shqiptar?

Ja si shprehej ai në takimin e datës 29 qershorit 1920 në Vjenë me studentët shqiptarë, i prekur nga konsideratat dhe entuziasmi i tyre: “Miq të dashur, ju faleminderit shumë për nderimet që më rrëfeni. Jam ndodhur në shumë gostira, në shumë mbledhje, kam ndierë shumë gëzime, por ky i kësaj nate është tjetër gëzim. Ju lutem të më besoni që asnjëherë gjer më sot nuk jam gëzuar si sonte. Nuk mund të ju tregoj dot kënaqësinë që ndiej kur dëgjoj prej jush kaq gjëra të bukura mbi përparimin e zhvillimin e popullit shqiptar”!

Moisiu i dhuroi skenës temperamentin kolerik shqiptar, butësinë mesdhetare italiane dhe logjikën e ftohtë gjermane. “Shqiptar, italian, gjerman, evropian – qytetar i botës”, shkruan për të kritiku i teatrit Rudiger Schaper. Por, mbi të gjitha te Moisiu ringjallet tragjikja që mbizotëron mbi sublimen. “Askush nuk vdiq aq shpesh dhe aq mrekullisht bukur në skenë sa Moisiu. Vetëm te ‘Kufoma e gjallë’ e Tolstoit, gjatë viteve 1913-1935, ai ia veshi vetes me plumb mbi 1500 herë” – thotë kritiku gjerman, Rudiger Schaper në biografinë për Aleksandër Moisiun.

Shumë e vështirë në fakt, për t’i përmbledhur të katërta këto karaktere në një dhe në kohën kur populli i tij përjetonte tragjedi përndjekjeje, duke hyrë e dalë nga skenat e historisë. Por, Moisiu ishte gjeni, ndaj ekzistencializmi në monologun e Hamletit “To be or not to be” merrte vrull dhe i ngjante një poeme kushtuar jetës. “Hamleti” ishte shkruar për Moisiun dhe Moisiu ishte lindur posaçërisht për të interpretuar princin e Danimarkës, thoshte Max Brod, miku dhe biografi i Franz Kafkës, që së bashku, patën fatin ta ndiqnin Moisiun, gjatë vitit 1903, në Teatrin Gjerman të Pragës.

Lexo po ashtu:  “Qysh thirret sistemi ku kriminelët e udhëheqin një shoqni?”

Por, ç’përmbante kaq sharm zëri i Moisut dhe loja e tij teatrale? Përse vendet e ftohta, si vende ngjarjesh të tragjedive të mëdha, e pëlqenin kaq shumë aktrimin e tij?
Përgjigjen na e jep një personalitet tjetër i madh, i kulturës gjermanike, Stefan Cvajg, kur shkruante se “njeriu i jugut, mbetet gjithnjë njeriu i jugut. Në mënyrë që të mos ngrijë, ai merr me vete diellin e vendit të tij kudo ku shkon”.


Cvajg, si gjithë të tjerët që jetonin në perandoritë e mëdha, ka shumë mundësi të mos e dinte origjinën e saktë të Moisiut ose ta identifikonte atë si italian, por përkufizimi i tij mbetet në fakt, proverbial. Shqiptarët janë vërtet njerëz të komunikueshëm dhe në të njëjtën kohë gjithë pasione, pra nëse ndonjëherë do na ndërrohej mendja, për të mos u quajtur më bij shqiponjash, në ndihmë do të na vinte Moisiu, për të na thirrur si “njerëz që marrim me vete diellin kudo që shkojmë”. Kjo mund të shndërrohet dalëngadalë në një dilemë kulturore dhe gjithmonë aty, nëse do duam të respektojmë më tepër fjalën, do na vijë në ndihmë Aleksandër Moisiu, Hamleti dyshues i botës shqiptare.