Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur lidhur me parashikimet që ShBA ka për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në deklarimin e tij, ambasadori amerikan theksoi se ShBA-të nuk mbështesin asociacion që bie ndesh me Kushtetutën ose vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër, Hovenier tha se as që bëhet fjalë për një asociacion që i ngjan Republikës Serbe.

“Dua të jem shumë i qartë dhe e kam thënë këtë shumë herë tashmë dhe me siguri do ta them prapë: Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që shkel Kushtetutën e saj; Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; Shtetet e Bashkuara nuk mbështet dhe nuk do të mbështetë diçka që edhe veç një grimë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”, deklaroi Hovenier në RTV Dukagjinit.

Sipas Hovenier, ShBA-të vazhdojnë të besojnë se themelimi i Asociacionit mbetet çështje kritike për Kosovën. Kësaj ia shtoi edhe faktin se ishte vetë Qeveria e Kosovës, që në vitin 2015, e nënshkroi asociacionin përmes Marrëveshjes së Brukselit.

Lexo po ashtu:  Kadare, president nderi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

“Arsyeja përse mendojmë se kjo është kritike është se bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara, besojmë se ka nevojë që Kosova së pari aktualisht t’i përmbushë zotimet që i ka marrë, e AKSHS është zotim i marrë nga Qeveria e Kosovës përmes Marrëveshjes së Brukselit, por gjithashtu, besojmë se është thelbësore për përpjekjet efektive të qeverisë së Kosovës për të adresuar shqetësimet e komunitetit të vet entik serb. Ata e kanë kërkuar këtë”, tha ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *