Është e vështirë të mbështesësh Presidentin e Shqipërisë pas daljes së sotme. Jo vetëm për ato që tha, por edhe për mënyrën sesi i tha. Sesi e tkurri peshën e detyrës në kostumin e një inatçori që betohet se do bëjë hatanë. Edhe me standardin shqiptar, përbetimet e z. Meta se është Mic Sokoli, apo Avni Rustemi dhe se nuk është si Nikolla Gruevski bëhen të pabesueshme. Nëse je i tillë, nuk njofton, thjesht e bën punën dhe u lë të tjerëve komentin.

Zoti Meta foli edhe për Sorosin, për komplotin e tij kundër Shqipërisë. Është një temë që e artikuluar nga një President Republike kërkon argumentim dhe qasje tjetër. Ajo kërkon po ashtu sqarim se për cilën arsye I njëjti njeri që sot betohet se do të mbrojë Shqipërinë çedoi në 21 korrik të vitit 2016?

Presidenti foli thjesht dhe në mënyrë të kuptueshme për të gjithë. Ai zbuloi një pikëpamje të një pjese të shtetit dhe politikës shqiptare mbi situatën e tanishme politike, duke ofruar njëkohësisht përballjen si rrugë zgjidhjeje. Zoti Meta riprodhoi të gjitha gojëdhënat politike për shqiptarë dhe të huaj nga foltorja e Presidencës duke dekoduar kështu komunikimin politik që kamuflon axhenda të caktuara në vendin tonë.

Por problemi i z. Meta është më i vogli në këtë vend dhe në këtë krizë. Kjo për shkakun se Parlamenti aktual ka nisur procedurën e shkarkimit, ndërkohë që duhet edhe një Gjykatë Kushtetuese për ta kundërfirmuar vendimin e tij. Ai është një njeri që pritet të largohet nga pozicioni aktual dhe do të vijojë të mbahet nën provokim për ta detyruar të kalojë në akte dhe qëndrime që e ripërkufizojnë në detyrë si kryetar i një partie, jo si kryetar shteti.

Lexo po ashtu:  Pas priftërinjve nga Greqia apo Italia, vjen imami nga Turqia

Problem më i madh që ka sot vendi është përfaqësimi dhe legjitimiteti. Parlamenti i tanishëm është asgjë më shumë sesa një seksion I Partisë Socialiste, pushteti vendor kaloi në duart e kësaj partie me një votim që është i papranueshëm, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar që merret me Shqipërinë e njohur atë në termin zgjedhje korrekte.

Gjeneruese e kësaj politike pa krye është Partia Socialiste, qeveria e saj, kryeministri që aktualisht janë në përpjekje të pandalshme për të mbyllur dosjet e pushtetit të vet duke shitur si rrezik kryesor për vendin çmendurinë e Ilir Metës dhe dështimin e Lulzim Bashës.

Është një moment shumë I rrezikshëm për mbarë vendin sepse gjetjet dhe improvizimet e tanishme priren të asfiksojnë dhe mbysin zgjidhjet logjike që imponon tensioni i krijuar.

Një gjë duhet ta njohim: Presidenti ka bërë sot një ofertë duke deklaruar edhe ndërmjetësimin e saj: zgjedhje më 13 tetor edhe për Parlamentin, edhe për Presidentin dhe për zgjedhjet lokale. Ndërkohë që ka garantuaer se opozita heq dorë nga kërkesa që Edi Rama të largohet nga detyra.

Një ditë më parë, Lulzim Basha deklaroi se largimi i Edi Ramës nuk negociohet duke njoftuar edhe protesta.

Në këto kushte ftesa për dialog që bëri Kryeministri ka marrë përgjigje nga Presidenca dhe përpjekja për marrëveshje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës është izoluar në zyrën e kreut të Shtetit dhe me gjasë nga Sali Berisha.

Lexo po ashtu:  Drejt marrëveshjes SHBA-Indi – Washingtoni kërkon nga New Delhi që t`i blejë 6 miliard dollarë produkte

Por ama duhet theksuar se Meta ofroi zgjedhjet si mënyrë për daljen nga kriza. Dhe kjo është e rëndësishme, pasi në zgjedhje mundet që të trija partitë të marrin një përgjigje të papritur.

Nuk është e rastit që qysh sot ka nisur sulmi mediatik mbi presidentin, analizat për skualifikimin e Ilir Metës si person i përgjegjshëm, si faktor i besueshëm. Nëse nga krahu opozitar kemi një larmi zërash që ankohen për Lulzim Bashën dhe politikën e tij, dështimet etj, në krahun e shumicës kemi atë kompaktësi që shihet në vendimmarrje. Kaq e deformuar është narrativa dhe morali saqë përgjegjshmëria dhe siguria për vendin kërkohet te monologu i shumicës, sesa te diversiteti i opozitës, pavarësisht se ai është i pastrukturuar. Është një fitore strategjike kjo me shumë pasoja për mbarë shoqërinë, jo pse promovohet apo mbështetet një parti apo një njeri, por sepse modeli autoritar është asimiluar si zgjedhje e preferuar.

Të gjithë ne e kemi më të thjeshtë dhe më të garantuar të drejtën me formacione si koalicioni opozitar që ka kohezion momental dhe deri diku parimor, sesa në monolitin e heshtur dhe kazermik që është PS-ja.

E cila sot po luan manovrën e fundit që ka në dorë: një marrëveshje çfarëdo me Lulzim Bashën në mënyrë që të pagëzohet rikthimi i normalitetit, por që do vriste çdo nocion për demokracinë. Ai po e këkron këtë duke luajtur kartën e bërthamave antiamerikane dhe antiperëndimore që kanë gjetur strehë në Presidencë dhe te z. Berisha. Por është e vështirë të thuash se z. Meta apo z. Berisha janë antiamerikanë.

Lexo po ashtu:  “Tulipani shqiptar” (Tulipa albanica), Lulja 100% endemike shqiptare

Unë do të vdes shqiptar, jo shqipfolës, tha kreu i shtetit sot, duke sqaruar dallimin që duhet bërë mes një qëndrimi të pavarur dhe të qenit anti dikujt tjetër.

Të thuash mendimin tënd, të kritikosh, të përballesh, të jesh i pavarur, të kesh pra liritë, janë shprehi e përkatësisë apo afërsisë me Perëndimin, por sot këto në mënyrë perverse dhe duke presupozuar për budalla mbarë popullin shqiptar, po interpretohen si marrëzi malokësh me pushtet që po kthejnë Shqipërinë pas. Është kjo edhe një arsye më shumë për shkarkimin e Ilir Metës, që mandej shpresohet të kthehet në problem autoriteti për opozitën dhe PD-në si opozitari më i ri. 

Mesa duket zoti Rama kësaj radhe është vonë. E dimë që nuk e ka problem të lëpijë atë që pështyn, teksa sot kërkon pakt dhe dialog ndërkohë që dje përbetohej se nuk ka më filxhan. Meta dhe Berisha kanë kontrollin mbi opozitën, kanë kapërcyer provën e 30 qershorit duke siguruar mospjesëmarrjen e një pjese të shoqërisë në votime dhe kanë djegur çdo voli të mundshme për një marrëveshje me Kryeministrin. Marrëveshja e vetme janë Zgjedhjet. Asgjë më shumë. Aty secili të flasë ashtu siç mendon. Për një çast dhe për interesin tonë, duhet të mbështesim opozitën në objektivin për zhvillimin e zgjedhjeve, mandej secili të shprehet. Përndryshe, Kushtetuta megjithë çka tjetër do të shndërrohen në mjete shantazhi dhe asgjë më shumë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *