Në ditën që është bërë publike se është anuluar shfaqja e filmit ruso-serb “Balkan Line” (“Balkanska međa”) në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, në Beograd kanë shpërthyer reagimet. Kanë shkuar deri në nivel qeveritar. Është përdorur edhe gjuhë e ashpër.

Kanë reaguar edhe ministri i Kulturës i Serbisë, Vlada Vukosavleviq, e shefi i kabinetit të kryetarit të Trupit Koordinues për Jugun e Serbisë, Zoran Stanoviq. I pari e ka quajtur anulimin censurë e “vendim aventuresk politik që hedh benzinë në zjarr e që krijon tension”. I dyti ka përmendur masa ndaj vendimit arbitrar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ka qenë drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Jetmir Ismaili, ai që kishte vendosur që në institucionin që udhëheq të mos shfaqet filmi për luftën në Kosovë, të cilin edhe kritika ndërkombëtare e ka cilësuar si propagandistik.

“Koha Ditore”, të enjten, ka raportuar se filmi është anuluar nga vetë drejtori Ismaili. Ishte paralajmëruar se do të jepej në ditën e 21-të të këtij muaji, por Shtëpia e Kulturës në këtë qytet ka vendosur që të mos e ndezë projektorin për një film të tillë. Nën regji të Andrey Volgin e skenar të Andrey Anaykin e Ivan Naumoz, në film luajnë aktorë, si: Emir Kusturica, Milosh Bikoviq e Milena Raduloviq.

Lexo po ashtu:  Do ta mbanit një celular të tillë?! Ka disk rrotullues për të formuar numrat dhe e ka shpikur një inxhinier ‘anti-smartphone”…

“Arsyeja e vetme e ndalimit të shfaqjes së filmit është që të mos ketë urrejtje midis shqiptarëve dhe serbëve. Urrejtja është e pranishme, por nuk duam që ajo të ringjallet më shumë. Në bazë të kritikave që kemi lexuar, në atë film nuk ka të vërteta. Keqpërdoret edhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Madje edhe mediat ndërkombëtare e kanë cekur që është një film që nxit urrejtje”, kishte thënë Ismaili.

Por vendimin e tij ministri i Kulturës i Serbisë e ka cilësuar censurë.

“Anulimi i shfaqjes së filmit ‘Balkanska međa’ në Bujanoc është një lloj censure dhe tentim për futjen e ndikimit të fuqishëm të politikës në kulturë”, ka thënë ministri Vukosavleviq, në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë.

“Behet fjalë për një vendim aventuresk politik që hedh benzinë në zjarr e që krijon tension”, ka thënë ministri. Por është shefi i kabinetit të kryetarit të Trupit Koordinues për Jugun e Serbisë, Zoran Stanoviq, ai që përmend masa.

Në njoftimin që u është përcjellë mediave në Serbi thuhet se sipas asaj që kanë thënë zyrtarë të Komunës së Bujanocit, shfaqja e filmit është anuluar me vullnet të drejtorit të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, dhe për këtë nuk ka njoftuar paraprakisht asnjë zyrtar përgjegjës në komunë.

Lexo po ashtu:  Abu Rayhan Al Biruni – Matematicien, historian, farmacist, një nga më të mëdhenjtë e Epokës së Artë të Islamit

Në vend se të japë ndonjë sqarim, siç shkruhet, ai ka ikur në pushim dhe momentalisht gjendet jashtë vendit.

“Siç na kanë thënë nga Komuna, sapo ai të kthehet nga pushimi, në fillim të javës që vjen, organet përgjegjëse të Komunës së Bujanocit do të vërtetojnë krejt faktet në lidhje me anulimin e shfaqjes së filmit dhe konform ligjit do të marrin masat e parapara kundër arbitraritetit të personave përgjegjës”, është thënë në deklaratën e kabinetit të Stankoviqit. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *