Gjermania dhe Franca kanë kërkuar në mbrëmjen e së martës që të shtyhet votimi i nesërm në Kuvendin e Kosovës për rrëzimin e qeverisë.

Ministria e Jashtme gjermane dhe Ministria e Jashtme franceze kanë bërë thirrje, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, që mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti të paktën të shtyhet.

“Franca dhe Gjermania janë të shqetësuara për situatën politike në Kosovë, në një kohë kur uniteti politik është i nevojshëm për të përballuar krizën me COVID-19”, thuhet në deklaratë.

“Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe plotësisht funksionale për t’u marrë me krizën. Prandaj, ne bëjmë thirrje që votimi i mosbesimit ndaj Qeverisë të rishqyrtohet apo të shtyhet”, thekson deklarata.

“Ne kujtojmë mbështetjen tonë për prioritetet e Qeverisë kosovare, si luftimi i korrupsionit dhe mbështetja e zhvillimit socio-ekonomik. Ne qëndrojmë të gatshëm për të rritur mbështetjen tonë konkrete për Kosovën në këto fusha”, thuhet më tej në deklaratën e dy ministrive.

“Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne presim që të dyja palët t’i ndërmarrin masat e nevojshme për t’i hequr pengesat ndaj vazhdimit të dialogut”, vijon deklarata.

Lexo po ashtu:  Edi Rama falënderon, në shqip dhe në serbisht, Vuçiqin për lejimin e kalimit të kamionëve nga Kosova drejt Serbisë

Gjermania dhe Franca kanë përshëndetur vendimin e Kurtit për heqjen e tarifës ndaj Serbisë.

“Ne e mirëpresim synimin e kryeministrit Kurti për të rifilluar dialogun me Serbinë, dhe për t’i përfshirë të gjithë aktorët, në mënyrë që Kosova të flasë me një zë. Vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës më 20 mars, për të hequr tarifën prej 100 për qind ndaj lëndës së parë, është një hap i parë i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Ne presim që tarifat do të hiqen plotësisht nga 1 prilli, dhe presim që edhe Serbia të veprojë”, thuhet në deklaratë.

“Kur kushtet të plotësohen për vazhdimin e dialogut, dhe kur të kapërcehet kriza me COVID-19, presidenti Macron dhe kancelarja Merkel planifikojnë të organizojnë një samit në Paris, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e të dy palëve dhe Përfaqësuesi i Lartë, Borrell”, thekson deklarata.

“Mosmarrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është çështje evropiane e sigurisë, prandaj Bashkimi Evropian do të vazhdojë të udhëheqë përpjekjet lehtësuese, sapo të dyja palët të pajtohen për rifillimin e bisedimeve mes tyre. Do të ndiqet edhe koordinimi me partnerët tanë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara”, vlerësojnë Gjermania dhe Franca.

Lexo po ashtu:  Kryeministri Kurti e thotë hapur e pa frikë: Taksa 100% hiqet sapo të vendoset reciprociteti

“Objektivi i dialogut duhet të mbetet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëpërmjet një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht obliguese. Arritja e këtij objektivi është kusht për të dyja palët për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, përfundon deklarata. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *