Shkruan Dorian Koçi.

Historia mund të rrëfehet më së miri jo vetëm përmes dokumenteve por edhe objekteve. Periudhat më të hershme historike shpeshherë flasin me objekte, monumente dhe artefakte të ngjarjeve apo dhe personave të rëndësishëm historikë. Historisë së Ali Pashë Tepelenës, edhe pse e dokumentuar mirë përmes udhëpërshkrimeve apo tanimë së fundi edhe nga dokumentacioni i botuar, i mungojnë objekte të veçanta të Pashait Tepelenas që do të mund të përshkruanin dhe rrëfenin më mirë epokën kur ai jetoi dhe veproi.

Në këtë drejtim Muzeu i Ali Pashës në ishullin e Janinës, ku ndodhen disa objekte origjinale të epokës së Pashallëkut të Janinës, por edhe të Ali Pashës, është një muze i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, politike e sociale të pranisë së shqiptarëve në Epir.

Në tetor 2015, Muzeu i Ali Pashës në ishullin e Janinës, u pasurua me një pushkë origjinale të Ali Pashë Tepelenës, e cila është e larë në ar dhe ka të gdhendur, emrin e Ali Pashës dhe vitin 1804. Arma kishte qenë në zotërimin e një familje të vjetër fisnike nga Janina që në vitin 1930 ishte shpërngulur në Athinë. Në fund të jetës, zotëria posedues që dëshiroi të mbetet anonim vendosi që t’ia dhuronte Muzeut të Ali Pashës, edhe pse për këtë objekt origjinal mund të kishte marrë oferta nga shumë muze të botës. Arma e ekspozuar tashmë në muzeun e Ali Pashës në Janinë është e tipit karajfile. Pushka karajfil/e, është një dyfek i gjatë, që mbushej nga gryka dhe shkrehej me strall. (Fjalor i Gjuhës së sotme Shqipe. Akademia e Shkencave të R.P.S.SH., Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë: 1980, fq. 789). Ajo kishte një tytë të gjatë dhe të hollë, shkrehej vetëm një herë dhe pjesën e pasme e kishte në formën e një koni. Kishte një namlli (tytë) 1,20-1.50 cm të gjatë, brenda e jashtë të lëmuar dhe një çark që në pamjen e jashtme paraqet një grehës me strall (gurë xixash), përballë ngrehësit ndodhet një masat çeliku dhe nën të ndodhej kupëza e barutit. Qyta që mbështetej në sup të krahut në rast qitjeje quhej dipçik. Namllia mbërthehej në kondak me rripa teneqeje të verdhë. Nëpërmjet tytës dhe drurit futej harbia, e cila është një shufër hekuri e gjatë sa tyta dhe shërben për të mbushur pushkën. Pushka karajfile përdorej gjerësisht në kohët e vjetra, por sidomos gjatë kohës së pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës dhe në momentet e shpërthimit të Revolucionit Grek në vitin 1821.

Dyfeku karajfile dallohet për stolisjet e shumta të bronzit por në armët që ishin në zotërim të elitës ushtarake dhe fisnike vendase, zbukurimet i kanë edhe me ar. Dyfeku karajfili ishte me origjinë dhe prodhim venecian dhe u përdor në Perëndim, kryesisht në fillimet e shekullit XVII deri nga mesi i shekullit XVIII. Preferohej për tytat e gjera, të cilat mbusheshin kollaj nga të quajturat “plumba” ose “fishekët”. Megjithëse arma karajfile, ishte e panevojshme në ushtritë e rregullta të Perëndimit, në duart e gjuajtësve dhe nishanllive të Lindjes, ishte shumë e çmuar. Pjesa e saj e pasme, kondaku, përdorej me efikasitet si çomange në raste nevoje. Pushka e krahut (karajfilja) ka qenë një nga llojet më të përdorura të armëve të zjarrit të shqiptarit. Në dallim nga qendrat e tjera të prodhimit të pushkëve, si Berati, Elbasani dhe Janina në qytetin e Shkodrës, janë prodhuar karajfile me shumicë dhe të zbukuruara në teknikën e filigranit. Armët e zbukuruara në argjend, kushtonin shtrenjtë dhe janë përdorur kryesisht prej shtresave të pasura. Në vitin 1875, në Shkodër filloi të prodhohej edhe martina. Motivet e zbukurimit në armët e krahut janë në reliev dhe spikasin mbi sipërfaqen e armës. Teknika e realizimit është e ndryshme, si: e derdhjes, e rrahjes dhe e filigranit. Karajfilet shpeshherë janë zbukuruar edhe me sedef. Armët e gjata takohen të zbukuruara në material argjendi, bronzi, si dhe thjesht prej llamarine, duke shprehur kështu pozitën ekonomike të bartësit. Ka raste që këto zbukurime bëheshin edhe prej ari. Fundi i tytës së armës është realizuar me teknikën e derdhjes. Zbukurimet në argjend pasuroheshin edhe me fildish, në formë drejtkëndëshi, me sedef ose me savat. Në zbukurimin e armëve të krahut me material bronzi është përdorur zakonisht teknika e rrahjes dhe pak mbipunim, ndërsa në armët me zbukurime të thjeshta llamarine, ku veshja realizonte vetëm ruajtjen e drurit janë përdorur skalitje.

Lexo po ashtu:  Nga ditari i Lasgushit: Si humba takimin me Esat Mekulin

Veshja e karajfileve është realizuar me paftë argjendi të rrahur, vende-vende të skalitur dhe të zbukuruar me copa në formë drejtkëndëshi, shpeshherë sedefi, ndarja e copëzave të të cilit kryhej nëpërmjet një puje. Në faqet anësore të dorezës ishin të vendosura pesë puja të mëdha, ndërsa punimi në paftë realizohej në tërë gjatësinë e saj, që prej fundit të dorezës e deri në majën e tytës. Lidhja e pjesës së drunjtë me tytën kryhej nëpërmjet fashetave, të cilat në pjesën ballore të zbukuruara me incizime motivesh vegjetale.

Për prejardhjen e emrit të pushkës karajfile ekzistojnë tre versione. Varianti i parë është se e kishte marrë këtë emër ngaqë tyta e saj kishte formë karafili, si trombonet e mëvonshme. Varianti i dytë është se sipas zakonit të kohës, ngaqë kishte si emblemë e dyqanit të armëve një karafil, dhe varianti i tretë ngaqë kishte të gdhendur, ngjitur me ujkun si shenjë dalluese firmën e prodhuesit nga shtëpia veneciane e Carlo e Fili. (Karli dhe të bijtë), çka ishte shtrembëruar në kariofili në greqisht ose karajfile në shqip. Raste të tilla të shtrembërimit të emrave të firmave prodhuese kanë ekzistuar deri vonë në gjuhën shqipe. Kujtojmë këtu fjalën “mauzer”, për një lloj pushke që përdorte ushtria e rregullt greke, çka në të vërtetë ishte mauzer, emri i firmës në Gjermani apo fjala “belgjik” sërish për pushkë që korrespondonin me pushkët prodhuar në Belgjikë.

Lexo po ashtu:  Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve, këngë e valle në Durrës

Përveç karajfiles së prodhuar në Venecia, kishte dhe armë të këtij tipi prodhuar në vende të tjera të Europës, të quajtura, si karafili prift dhe karafili maxhar. Emri i këtyre armëve të krahut mendohet se lidhet me emrin e fabrikantit apo firmës Carlo Figlio. Ato kishin të njëjtin konstruksion njësoj si kërraballiu por të parat kishin namlliat më të shkurtra dhe me nga një stemë. Karafili prift kushtonte afro 700-900 grosh. Ai që kishte stemën si kurorë, që ngjasonte me mitrën e një episkopi quhej karafil prift dhe ai që mbante një stemë tjetër që ka ardhur nga Hungaria quhej karafil maxhar.

Ali Pashë Tepelena ishte një adhurues i madh i armëve dhe nga shënimet e udhëtimit që kanë lënë shumë udhëtarë dhe diplomatë që vizituan pashallëkun e Janinës, njohim se ai mbante shumë prej tyre të varura në mur si objekte zbukurimi, si duket në tablonë e Joseph Cartëright (1789-1829), pikturuar në mars 1819 dhe publikuar në 1822 (CARTWRIGHT, Joseph. [Eleven colored costume plates of northwestern Greece, including a portrait of Ali Pasha], London, R. Havell, 1822). Pukëvili në veprën e vet “Historia e ringjalljes së Greqisë” (1825) kur rrëfen rrethimin e Ali Pashës në Janinë, përmend armët që Pashai Tepelenas përdori në një rast kur kundërsulmoi ndaj ushtrisë së Pasho Beut.Avxhibashi i solli armët e nishanit, me famë në Epir ku shqiptarët luftëtarë u kanë ngritur dhe këngë siç këndonin dikur grekët në shekujt homerikë, mburojës së Akilit. E para armë ishte një pushkë gjatoshe fabrikuar në Versajë, e veshur me damask blu dhe e qëndisur me yje ari, të cilën ia pati dërguar dikur Xhezarit në Shën
Gjon të Akrës nganjëllyesi i piramidave. Si vdiq ky pasha, arma i kaloi fatziut Selim III që ia dha si shpërblim trimërie Jusuf Qorr Pashës, tri herë vezir-azem sajë fatit; ky kur ishte në Negropont në fund të karrierës së tij të gjatë, ia la me testament Ali Tepelenës. Ky ia besoi më pas Akatit të tij gjakatar, Thanas Vajës; njërit prej shatërve i kaloi pastaj një karabinë që ia kishin dhuruar më 1806 me emrin e Napoelonit; në qemeret e shalës vari mushqetën e Karlit XII të Suedisë, armë me vlerë të paçmuar kundrejt personit që e mbante. E kish pas marrë dikur dhuratë nga Gustav Adolfi, në kohën kur ky monark i tradhtuar prej fatit preku tokën në Prevezë, rrugës që pat ndërmarrë për në Varrin e Shenjtë, shtegtim që i dështoi nga një intrigë diplomatike (Francois Pouqueville. Ali Tepelena. K&B: Tiranë, 2009, fq. 399)

Që në fillim kur u bë i njohur dorëzimi i armës u shkrua se mbishkrimi mbi armë është në greqisht, por një vështrim më i saktë duket se germa S në fjalën Pasha nuk është e alfabetit grek, por një C, që nënkupton germën sigma në greqisht. Prania e kësaj shkronje në pushkë, na shtyn të mendojmë se gdhendësi është një njohës i greqishtes që është shkruar Bibla. Germa C përdoret për Σ në epigrafi dhe në shkrimin majuscule biblik deri në shek. VI dhe përdorimi i saj në tekste në kohën e pashallëkut të Ali pashë Tepelenës do të ishte diçka e pazakontë, por nëpër epigrafi apo vula ajo gjendet edhe gjatë kësaj kohe, çka na shtyn të mendojmë se mjeshtri skalitës dhe zbukurues i pushkës duhet të jetë nga Janina, ku gjuha greke shërbente si pikë kontakti kulturor midis popullsive të ndryshme që banonin në Pashallëkun e Janinës.
Identifikimi i sa më tepër objekteve që lidhen me historinë e shqiptarëve, qoftë dhe në muze jashtë Shqipërisë, shpjegimi dhe saktësimi i të dhënave rreth tyre, e pasuron kulturën shqiptare dhe i jep mundësi historisë të shkruhet më mirë, për vendin dhe rolin e shqiptarëve në rajon.

Lexo po ashtu:  Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, - Pjesë nga libri i Rexhep Qosjes, “Realiteti i shpërfillur”

Bibliografi:
• CARTWRIGHT, Joseph. [Eleven colored costume plates of northwestern Greece, including a portrait of Ali Pasha], London, R. Havell, 1822
• Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe. Akademia e Shkencave të R.P.S.SH., Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë: 1980.
• Francois Pouqueville. Ali Tepelena. K&B:Tiranë, 2009

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *