E vërteta e një nate: Poezia si dëshmi

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Mbrëmja e 24 shtatorit 1998 shënoi një ngjarje të rëndë për autorin Sabri Hamiti, i cili iu nënshtrua një sulmi me armë fare pranë hyrjes së shtëpisë së tij në lagjen Dardania në Prishtinë. Këtë përjetim dramatik midis mbijetesës dhe kalimit në amshim, ai e gdhendi në vargjet e poezisë “Silueta me kasketë të Leninit”, pjesë e përmbledhjes “Melankolia” të botuar një vit më vonë. Vargu i tij përcjell më së miri peshën emocionale të asaj ngjarjeje, duke e bërë leximin e vetë poezisë përvojën më të fuqishme për secilin lexues.

Në kohën kur terri nxin korridorin pa dritare
Mes katit të parë e të dytë duke u ngjitur
Më doli para silueta me kasketë të Leninit në kokë
Shtiu silueta duke marrë në shenjë kokën e zemrën time
Unë lëviza shpejt nga e djathta
Plumbat zunë mushkërinë dhe dorën e majtë
Silueta me kasketë të Leninit zbrazi edhe disa plumba
Në shenjë triumfi e u humb në natë.

Unë e mund dhembjen me bërtimën e madhe
Që pushon vetëm kur e ndiej me veshët e mi.
Kush mund ta dijë sa zgjatet koha
Derisa ngjitem këmbadoras në katin e tretë?
(Duhet të dukem sa më i natyrshëm para gruas
Më vërtitet nëpër mendje të turbulluar
Derisa jam në kokërr të shpinës në katin e dytë)

Lexo po ashtu:  Kishte restorantin numër një në botë, shqiptari e rinis me hamburger

Atëherë kalon aty pranë një hije e gjatë
Të cilit i lutem: më ndihmo zotëri!
Po zotëriu vetëm më kalon përmbi
Duke u mbrojtur si i zëni në faj:
Si të të ndihmoj kur nuk e di kush je?

“Grua i vrarë jam dhe thirri miqtë” i them
Duke u munduar të fsheh gjakun në duar.
Ajo heshtet duke e ditur se të vrarit s’i flitet
E i vrari nuk duhet të flasë…

Tevona vëllezërit miqtë mjekët më kanë shtrirë
Kur biri i madh më vjen te veshi
“Qëndro babë”!
Hap sytë për t’ia dhënë besën time
Se do të jetoj për mallë të tij.

Fotot gjejnë vendet e plumbave
Të gjithë janë në trup mbrenda
Ndërsa mjeku i damarëve ngushëllohet:
Shyqyr që i ka shpëtuar dora e djathtë,
Me çka do të shkruante?

Në shok-dhomë ma shpojnë rishtas gjoksin
Duart venat thikat e pykat janë në trupin tim
Dhe trupi mund të zgjedhë jetën a vdekjen
Se shpirti niset diku në qiej
Nis të varet nëpër yje duke u munduar
T’i bëjë dy yje bashkë që do të digjen
Duke rënë në tokë.

Lexo po ashtu:  Ndahet nga jeta Totto Cutugno

Aty jam vetëm me milicët e armatosur
Që ndërrojnë pamjet nga ora në orë
Gra të veshura bardh më njohin terrorist
Në vesh më kanë vënë ndëgjojset
Ku ndihet gjëma e vëllait vaji i gruas
Dhe pëshpërimat e fëmijëve.
Ata duan të më tregojnë para vdekjes
Se i dinë të gjitha deri në minutën e fundit.

Atëherë kur trupi e zgjedh jetën
E dy yjet bien lidhur përtoke
Gruaja më rri pranë te shtrati
Ma lan gjakun nga trupi me alkool
Me pambuk të butë secilën qelizë secilën fije.

I lidhur për shtrati me sy të hapur
Shoh për dritareje si lind e si vdes dielli
Si lëkunden e vdesin gjethet e fundit
Duke e lënë cullak degën e plepit.
“Ai që e do jetën u hyp këmbëve të veta
E nuk lidhet për shtrati” flet Burbuqja.

Me gruan përbri u hypi këmbëve të mia
Dal në korridor dhe nëpër katrorin e dritares
Shoh një degë peme që ngjitet në qiell
Pamja më e bukur e gjithë jetës sime
Derisa tri gra plaka rrahin duart
Nga habia me mrekullinë time.

Lexo po ashtu:  Dashuria moderne/ Si e transformoi interneti kërkimin e dashurisë dhe partneritetit!

E unë i lidhur për shtrati e di më mirë se kurrë:
Për të shkruar nuk mjafton vetëm ëndrra
Nuk mjafton as vetëm dora e djathtë
Për të shkruar duhet kurrizi e duhet bytha
Duhet guximi për të shkruar që dhembja fizike
Është më e madhe se dhembja shpirtërore,
Jo vetëm fantazitë e dora e djathtë
Si thoshte mjeku më i madh i damarëve
Të prerë në Ballkan!

Le të dëshmojë më së miri Burbuqja!
A nuk është kështu zonjusha Burbuqe?

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com