Shqipëria nuk do të mund të vijojë me bisedimet e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke u përballur për herë të parë me një ngrirje të procesit të integrimit. Kjo për shkak se Athina zyrtare nuk ka dhënë pëlqimin për një letër të përbashkët të 27 vendeve anëtare të Unionit për grupin e parë të pesë kapitujve të anëtarësimit.  

Burime të gazetës “Kathimerini” thanë se ky vendim i qeverisë greke përbën një përshkallëzim thelbësor të qëndrimit të saj ndaj Tiranës për shkak të shkeljeve së vazhdueshme të të drejtave të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në qeli me akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Korrespondentja e Financial Time në Athinë, Eleni Varvicioti, zbuloi për mediat greke se ky qëndrim i Athinës për të bllokuar rrugën europiane të Shqipërisë  lidhet me zhvillimet e fundit në gjyqin Beleri dhe dëshminë e të infiltruarit Arsen Rama se ishte shpërblyer nga policia për të inskenuar arrestimin e Belerit.

Ashpërsimi i qëndrimit të Athinës vjen vetëm pak ditë pasi dëshmitari kryesor i prokurorisë zbuloi se kishte marrë para për të implikuar kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës në një çështje të blerjes së votës.

Varvicioti thotë se leva kryesore e Athinës për të disiplinuar Tiranën është përmes Brukselit, nga ku kalon edhe objektivi kryesor i qeverisë Rama që është afrimi sa më shpejt me Bashkimin Europian. Ajo saktëson se ky vendim I Athinës është pjesë e një serie lëvizjesh të qeverisë greke si reagim ndaj qëndrimit të Shqipërisë për të mos lejuar betimin e kryebashkiakut të zgjedhur.

Kujtojmë që për çështjen Beleri u miratua një rezolutë në Parlamentin Europian që ngriti çështje të shtetit të së drejtës. Në vazhdim kryeministri shqiptar nuk u ftua në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Athinë dhe tani Greqia nuk pajtohet me rrugën europiane të Shqipërisë.

Vetëm pak ditë më parë u bërë publik progres-raporti i vendeve kandidatëve për anëtarësim në BE. Në të të shprehet, me një referencë indirekte, por jo të qartë për ndërlikimet e shkaktuara nga çështja Beleri në marrëdhëniet greko-shqiptare. Nga qeveria shqiptare nuk ka ende asnjë reagim, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha gjatë një raportimi në Komisionin për Çështjet Europiane se Shqipëria ishtë gati për të hedhur hapin e parë për 5 kapitujt e parë të negociatave.

Lexo po ashtu:  Gjashtë arsye pse çokollata zvicerane është kaq e famshme

Burimi: MCN Tv