Bashar al Assad ka rënë nga pushteti. Nga 27 nëntori 2024 e deri më 8 dhjetor 2024, 10 ditët që tronditën Sirinë, në të vërtetë kanë befasuar pjesën më të madhe të botës. Ka rënë një regjim familjar shiitësh që ka zënë fill 53 vjet më parë dhe që në vitin 2011 e më pas dëshmoi një vendosmëri tiranike për ta mbajtur pushtetin.
Grupi që është përgjegjës për këtë rënie të shpejtë është Hayat Tahrir al-Sham, asgjë më shumë sesa një transformim emri i Jabat al-Nusra së dikurshme, ndonëse kreu i tyre po bën çmos të shfaqet si një politikan që nuk ka konsiderata ekstremiste.
Assad ra duke mos luftuar, i vetëdijshëm ndoshta se askush nuk e mbështet më. Duhet thënë se rebelët janë mbështetur nga Turqia, që pak muaj më parë ftoi Assad në bisedime. Ky i fundit kushtëzoi bisedimet me tërheqjen e Turqisë nga territori sirian çka mesa duket ka provokuar shpërthimin. Sot rebelët kanë sulmuar kurdët në Manbij bashkë me forcat turke, një sinjal i qartë se agjenda siriane nuk është shfaqur e gjitha.
Duket se Assad ka ikur nga vendi, ndërkohë që kryeministri Mohammad Ghazi al-Jalali ka shprehur gatishmërinë për kalimin paqësor të pushtetit.
Aktuaisht askush nuk ka një ide se çfarë do të duhet bërë. Mes Rusisë dhe Turqisë ka diferenca për të ardhmen, ndërkohë që nuk dihet edhe se çfarë do të ndodhë me bazën ruse në Tartus.
Në media po flitet edhe skenari i ndarjes së Sirisë në eventualitetin e një qeverie islamike, nisur nga përbërja heterogjene e vendit.
Në një plan më të gjerë kriza siriane krijon një vakuum të rrezikshëm. Mirë apo keq, Assad nuk toleroi asnjëherë ndarjen e vendit dhe bashkëjetoi me humbjen e kontrollit territorial por pa njohur zyrtarisht realitetin.
Siria ishte një territor jetik për Iranin dhe Hezbollahun dhe dalja nga loja e Assad e ngushton rrezen e veprimit të Iranit që humbet kështu rëndësinë strategjike që kishte. Por duhet thënë edhe se ndryshimi i pushtetit në Siri neutralizon skenarë e ndarjes që mund të vinin nga Izraeli I cili ka vepruar në mënyrë subversive edhe në Liban.
Një krizë rajonale, ku Perëndimi dhe Europa nuk kanë asnjë mundësi dhe ide. E parë kështu, ikja e Assad është pagëzim i një realiteti të ri ndërkombëtar në Mesdhe.
s.zaimi