Igli Tola
Bllokadë ekonomike ndaj Rusisë
Luftës konvencionale që Rusia nisi të enjten e kaluar duke mësyrë si nga ajri dhe toka territorin e Ukrainës, Perëndimi i unifikuar duket se nuk mund ti përgjigjet me të njëjtën ‘monedhë’. Ligji III i Njutonit na kujton se veprimi dhe kundër-veprimi janë gjithnjë të barabartë, por në kahe të ndryshme; Në zbatim të tij kundër-veprimi i ShBA-ve dhe BE-së do të jetë po aq i fortë në rrafshin ekonomik dhe politik, për ta dobësuar dhe rrënuar ekonomikisht Moskën dhe detyruar kështu të kthehet pas nga kjo ofensivë e rrezikshme për paqen dhe stabilitetin botëror.
Instrumentat që kanë në duar për të arritur këtë qëllim janë të shumta:
- Më e përfolura e këtyre ditëve ishte aksioma e largimit nga SWIFT të bankave me kapital rus.
SWIFT (Shoqëria Mbarëbotërore për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar), është ‘çelësi’ që mundëson ekzekutimin e transaksioneve financiare dhe pagesave (xhirimeve bankare) ndërmjet bankave të ndryshme në mbarë botën. Me seli qëndrore në La Hulpe, Belgjikë, por në pronësi të akordit prej më shumë se 11 mijë institucionesh financiare, nga mbi 200 shtete dhe territore në gjithë globin.
Duke qenë një shoqëri kooperative e mbi 11 mijë ‘aksionerëve’ detyrimisht vendimin për të përjashtuar një apo disa banka nga ky rregjim i takon bordit drejtues të shoqërisë; as Presidentit Biden, apo Kryeministrit Johnson. Megjthatë ka një truk ligjor që mund të bëj të mundur përjashtimin nga SWIFT-i të bankave ruse (Sherbank me të ardhura vjetore 761 miliardë rubla, VTB me 80 miliardë, GPB me 56 miliardë, PromSvyaz me 26 miliardë etj), pa pritur për unisonitetin e anëtarëve të bordit, që mund të vonojë në kohë dhe dihet se në këto kushte çdo minutë, orë a ditë vonese është ‘oksigjen’ për financat dhe pushtetin në Rusi: Zgjidhja është një vendim detyrues i dalë nga Komisioni Europian, organi më i lartë i BE-së. Vendim për nga tagri i obligueshëm për tu zbatuar nga çdo entitet që vepron dhe rezulton i regjistruar në çdonjërin nga shtetet anëtare të unionit, për rrjedhojë që ushtron aktivitetin konform (nën) juridiksionin e BE-së. Kështu, SWIFT-i duke qenë i regjsitruar dhe seli në Belgjikë, shtet anëtar me të drejta të plota në BE, duhet të zbatojë urdhëresën që pritet të dali nga ‘Italia, Gjermani, Franca and co’.
Ky akord do ta bënte pothuajse të pamundur për institucionet financiare në Rusi të ‘komunikonin’ me botën; dërgonin para dhe ekuivalentë të tyre brenda ose jashtë vendit, duke shkaktuar një tronditje të fortë për kompanitë ruse dhe klientët e tyre. Mungesa e likujditetit dhe pezullimi i importeve-eksporteve do të sillte ‘ishullizimin’ e kompanive dhe ekonomisë ruse në tërësi, situatë që do të kishte si efekt zhvlerësimin e skajshëm të rublës, ‘emoragji’ masive e të pakontrolluar të kapitalit etj. Kujtojmë këtu çfarë ndodhi me Iranin në 2012. SWIFT-i i shkëputi bankat iraniane, pas sanksioneve që iu vendosën Republikës Islamike të Iranit nga Bashkimi Europian për pasurimin e programit bërthamor; Vendi humbi pothuajse gjysmën e të ardhurave të tij nga eksporti i naftës dhe 30% të tregtisë së jashtme pas kësaj mase.
Prognoza se çfarë do të ndodhi me Rusi, ilustrohet qartë me rastin e mësipërm të Iranit. Ekonomia e tetë në botë pritet të ‘tkurrej’ në bilancin tregtar dhe do të humbiste stabilitetin në treguesit makroekonomik: mbi 407 miliardë dollarë eksporte, kryesisht drejt BE-së dhe Turqisë do të bëhen ‘pending’, njësoj edhe importet 230 miliardë dollarë. Në mungesë të flukseve dhe impulseve monetare, kompanitë do të humbasin tregje, pamundësohet pagimi i punonjësve dhe detyrimeve në arkën e shtetit etj; duke rrënuar ekonominë përditë.
- Rusia, mbase duke ‘endur’ prej kohësh këtë skenar të Ukrainës, ka vite që punon në rritjen e rezervës valutore. E katërta më e madhja sot, vlerësuar më shumë se 630 miliardë dollarë, ku zotërimet në dollarë amerikanë zënë një peshë specifike gjithnjë e më të vogël. Një rezervë që ‘per capita’ do t’ia kishte zili çdo shtet tjetër, e aftë të mbuloj zbulimin e eskporteve për më shumë se 1 vite dhe që mund ta kthej Bankën Qendore në ‘kordonin umbilikal’ të ekonomisë dhe luftës në Ukrainë.
Ndaj, në planin e sanksioneve duhet të shihet dakortësimi për përfshirjen e masave për të siguruar që Rusia (Banka Qëndrore e saj) të mos mundet të përdorë rezervën valutore për të mbështetur monedhën Rubla dhe në këtë mënyrë të ‘minojë’ ndikimin e sanksioneve perëndimore. Minimalisht, këto 2 operacione duhet të inicohen njëkohësisht, që të arrihet ‘tamponimi’ i sanksioneve. Sa më shumë vijon lufta, aq më shpejt ‘digjet’ rezerva dhe përshpejtohet inflacioni. Rikujtojmë çfarë i ndodhi 8 vite më përpara Rusisë me zhvlerësimin drastik të rublës, ku iu desh të shpenzonte 25% të rezervës në vetëm pak ditë. Ndaj, nqs Banka Qëndrore Europiane vendos të ‘ngrijë’ (bllokojë) llogarinë në euro të Rusisë dhe FED-i amerikan ato në dollarë; e vetmja ‘armë ekonomike’ në dorën e Moskës do të ngelet rezerva e Arit, që llogaritet në pothuajse 120 miliardë dollarë. Në dukje Ari jep garanci, por ka vështirësi në këmbim dhe transportim. Të rrallë do të ishin ato që do të ofroheshin të blinin arin rus, jo vetëm për sanksionet që do të mund ti viheshin edhe atyre nga Perëndimi, por edhe vështirësisë për transportimin e sigurtë të qindra tonelatave lingota. III.
Së fundmi, përtej sanksioneve institucionale ndaj Kremlinit, duhen eksploruar edhe të gjitha mundësitë për të penalizuar efektivisht oligarkët e lidhur me pushtetin; pasuritë e investimet e tyre financiare jashtë vendit, veçanërisht në Europë. Vilat, apartamentet, jahtet, kompanitë dhe paratë në kontot e tyre, fëmijëve, apo personave të lidhur me to mund të vihen nën sekuestro nga autoritet e shteteve respektive. Goditja e oligarkëve, indirekt cënon autoritetet ruse, pasi dihet botërisht se oligarkët janë ‘shpikje’ dhe ‘levë’ e tyre.
Putini dhe oligarkët e lidhur me të kanë pasur dekada të tëra për ti transferuar pasuritë e tyre jashtë shtetit, pjesa dërmuese të fshehura në skema të krijuara posaçërisht për tu shmangur sanksioneve të mundshme që priteshin.
Një studim i vitit 2017, i publikuar nga Byroja Ekonomike Kombëtare me bazë në SHBA vlerësoi se pothuajse 800 miliardë dollarë mbahen nga milionerët rusë në Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër, Maltë, Qipro dhe të tjera qendra të ngjashme ‘off-shore’.
Një pasuri faraonike, e mbajtur nga disa qindra individë ultra të pasur, të ashtu quajtur ‘oligarkë’; që tejkalon vlerën e pasurisë së 99% tjetër rus, gjithë pjesës tjetër të popullsisë ruse prej 144 milionë banorësh. Një shembull i tyre është Roman Abramovich, ish-guvernator i një province në Rusi dhe aleat i hershëm i Putinit, i cili u bë një manjat çeliku dhe metalesh. Tani fshihet pas një nënshtetësie të dyfishtë izraelite, me një pasuri neto të vlerësuar në më shumë se 13 miliardë dollarë.
Apo edhe Alisher Usmanov, një tjetër manjat rus i metaleve të çmuara, i cili ishte një investitor i hershëm në Facebook. Pasuria e tij vlerësohet në mbi 14 miliardë dollarë. Këtë dhe shumë të tjerë, janë si ‘kukullat Matrioshka’ që sapo i hap brenda fshihet një kukull tjetër, pushtetarët rus.. . . .
Aplikimi ‘on-block’ i këtyre sanksioneve ka efektshmëri më të lartë, duke qenë komplementare me njëra-tjetrën në rezultat të pritshëm. E ndërkohë, duhet edhe mbikëqyrje e rreptë gjatë gjithë kohës, pasi qoftë edhe një e ‘çarë’ e vogël të krijohet në Bllokadën e vendosur, një vend të toleroj disi nga zotimi i dakortësuar, kaq mjafton për ti dhënë ‘frymëmarrje’ ekonomisë ruse.