Kultura e tugjarëve dhe mjerimi i Ministrisë së Kulturës me çmimet vjetore të letërsisë

Jeton Kelmendi

Janë bërë goxha do vite që Ministria e Kulturës jep çmimet vjetore për vepër jetësore dhe veprat më të mira të botuara brenda vitit. Nuk është ide e keqe kjo sikur të mos stërkeqej nga disa grupe e individ.

MKRS kishte bërë traditë, që me 17 shkurt (për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës) edhe e bënte ndarjen e këtyre çmimeve, mirëpo sivjet as kjo nuk ndodhi me kohë, pse, qysh dhe si, mbase këtë mund ta dije ministri, juria, apo ku ta di unë, ndoshta edhe partia. Dorën në zemër partia është gjë e madhe tek shoqëria jonë…

As letërsia nuk po mundet tu ikë maskaradave sikur edhe sektorët tjerë, gjithnjë model  duke u shërbyer me politikën. Në fakt letërsia dhe grupet e interesit janë mbledhur në grupe të caktuara dhe çdo vjet po bëjnë punën e tyre?

Dikush mund të pyet se cila është puna e tyre?

Përgjigjen secili mund ta gjejë, vetëm se duhet parë emrat, kush shpërblen, e kush shpërblehet, sot e në mot.  Dhe kësaj pune i vije era, bile  i vije keq.

Para do vitesh ishin një grup të rreshtuar në një formacion tjetër dhe ky grup i ndante rolet: dikush futej në juri, për ta shpërblyer tjetrin, derisa vitin tjetër i ndërronin rolet, natyrisht kjo pasi që ata ishin të afërt, ose pjesë e partive në qeverisje. Mbase u shpërblyen dhe vetshpërblyen, natyrisht me para të ministrisë.

A i shikon ndokush në Ministrinë e Kulturës?

Atyre, disave ju humbën partitë nga pushteti dhe me të ardhur në pushtet një parti tjetër, në grupe, disa nga ta edhe më perfid ju ofruan kësaj ministrie dhe tash kjo ‘gardë’ veç po e rritë shkallëzimin. Thjeshtë e kanë shndërruar në pazare. Fundja kjo është puna e këtyre grupacioneve, ama pse i lejon të veprojnë kaç brutalisht Ministri dhe ndonjë zyrtarë që sadopak merr vesh në ketë fushë të kulturës, nëse është e vërtet se ka dikush aty që merrë vesh diçka nga puna e letërsisë.

Të merrem me punët e këtyre grupeve, me siguri se nuk ia vlen. E para se këta persona janë të izoluar nga Bota dhe se nuk i njeh askush jashtë Prishtinës. Së dyti, kjo punë nuk është çështje personale, prandaj dua ta shpreh habinë time me Institucionin e Ministrisë së Kulturës, se sa e çakorduar është dhe si ka mundësi t’i lejoj këto veprime kaç bizare. E për të folur për marifetet e këtij institucioni do duhej jo një shkrim, por shumë më shumë se një libër, mirëpo po shtroj vetëm disa çorodi që flasin vet…

Kjo Ministri, para disa vitesh i kishte dhënë çmimin për librin me poezi më të mirë (librin e parë të tij) Ag Apollonit. Ky libër aso kohe ishte gjysma e librit me poezi në dialektin lokal të katundit të poetit, në fakt poezi pornografike dhe me një gjuhë vulgare dhe gjysma tjetër me tregime. Tani nuk e kuptoj se pse nuk ia kishte dhënë çmimin për prozë, pra për gjysmën e dytë të librit, po për gjysmën e parë? Kjo mbase e ka shpjegimin sepse pak më vonë ia dhanë çmimin edhe për prozë. Librin e parë të shpërblyer e kishte financuar Ministria dhe në rregullore shkruan se nuk mund të shpërblehet libri që financohet nga ky institucion, por edhe kjo pati ndodhur!!!

Po kjo Ministri, emëron jurinë në përbërje prej pesë vetash, ku njëra nga anëtaret e jurisë ndodhej në Itali dhe as fizikisht nuk ishte për t’i lexuar librat konkurrent, por gjithsesi votoi, ndërsa për çmimet mund të vendosej me shumicë votash.

Natyrisht se tjetra anëtare e jurisë ishte shpërblyer një vit ose dy më herët, së bashku me këtë poeto-prozatorin Ag Apolloni, apo si i thonë në emrin e tij origjinal?

Sivjet juria kishte edhe dy pensionista, Agim Vincën kryetar dhe Isak Shemën anëtar, për çka si duket ishte menduar mirë, sepse këta nuk kundërshtojnë, ngase kanë nevojë së paku për një honorar.

Çmimi për vepër jetësore i ndahet Adem Gashit, sigurisht me meritë, kurse për romanin më të mirë i japin një mbështetësi të qeverisë, aktualisht Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, edhe ky fitues disa herë i çmimeve të Ministrisë.

Për përkthim i japin Fadil Bajrajt, për ta pazaritur më vonë, ku të vëllait Fadil Bajraj i japin çmimin për librin me poezi dhe meqenëse janë vëllezër, nuk ju takon të dyve..

Tani çmimin për përkthim ia japin dikujt tjetër, më falni, por nuk ia di emrin, sepse kurrë nuk e kam dëgjuar atë emër.

He pra kjo është ministri, he bac, kështu edhe me ato çmimet tjera.

Duke qenë se kisha konkurruar edhe unë dikur për çmimin për librin me poezi, pastaj edhe për librin me përkthime, vendosa të mos reagoj më heret. Thjeshtë për çështje etike, por kjo nuk kishte qenë etikë, sepse nuk bëhet fjalë për individ, por për kulturën e një vendi, prandaj sivjet vendosa të reagoj, jo për hatërmbetje, por si parim për ta hapur debatin dhe për ta ndalur ketë shëmti që po i ndodh vendit tim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *