Nga Boiken Abazi

I pyetur nga gazetari Arjan Çani nëse do shpërndahen para me helikopter për t’u përballur me këtë situatë emergjente, kryeministri Rama u përgjigj: “Helikopteri i parave na ra në 97-n dhe nuk bëhet më”. Çani u duk se u mërzit pak dhe i përmendi atë që po bën Presidenti Trump.

Në fakt, edhe shumë ekonomistë të djathtë e të majtë do ishin mërzitur nga ajo përgjigje. Rama do ketë menduar për ditën kur në vitin 1997 pronari i firmës piramidale “VEFA” nisi menjëherë para me helikopter nga Përmeti dhe Gjirokastra për në Vlorë, për të mbrojtur veten dhe firmën e tij atëherë kur shpërthyen protestat e vlonjatve që kishin mbetur pa marrë paret nga një tjetër firmë piramidale: “Gjallica”. Por, përtej skemave të 97-s, paraja me helikopter është politikë monetare ekspansioniste e Bankës Qendrore. Batutat në formë lapsusi frojdian të Ramës, më shumë sesa masat financiare, nxjerrin në pah ankthin e tij: revoltat. Në këtë kohë vuajtjesh nga pandemia dhe nga kriza e thelluar ekonomike kemi nevojë të lëvizim nga ankthi drejt një Pakti të Ri.

Ta theksojmë në krye të herës se Shqipëria nuk është në një krizë të re, por në thellimin e përshpejtuar të krizës ekonomike që kishim edhe para pandemisë. Me përfundimin e projektit TAP, investimet e huaja direkte dhe eksportet (pra prodhimi) kanë qenë në rënie. Kompanitë e mëdha kishin borxhe të mëdha dhe pak fitime (nëse përjashton PPP-të që u sigurohet fitimi prej buxhetit të shtetit). Një pjesë e mirë ishin të përqëndruara gabimisht në tregtinë e importeve, duke ulur prodhimin e punësimin. Nësë kjo varësi nuk u dukej problem disave më herët, le ta rimendojnë tani që shtetet anëtare të BE-së ndalën përkohësisht edhe tregtinë e maskave mbrojtëse me njëri-tjetrin. Kur e plotëson panoramën në Shqipëri me papunësinë (zyrtarisht në 14% dhe tani nuk e dimë), varfërinë (së paku 34%), pabarazinë e skajshme dhe në rritje, vdekjet në vendin e punës, rrogat e ulta, kushtet e këqija të punës, dhe informalitetin (rreth 50%) është e lehtë të kutjojmë se ekonomia ishte në gropë, prandaj shqiptarët iknin. Me këtë pandemi gropa kthehet në greminë.

Ky mund të jetë recesioni i parë në botë që fillon nga sektori i shërbimit. Thellimi i krizës dëshmoi me shpejtësi marramendëse se zhvillimi përmes turizmit është i paqëndrueshëm. Në përgjithësi, sektori i shërbimit, përfshirë kafenetë e restorantet, është goditur rëndë gjatë përhapjes së COVID-19. Shumë biznese janë në rrezik falimentimi si pasojë e rënies drastike dhe të menjëhershmë të kërkesës në disa sektorë. Marrë parasysh natyrën e kësaj pandemie dhe pasojat në ekonomi, vërehet që tani se një numër biznesesh nuk do mbijetojnë. Pasojat më të rënda do i vuajnë së pari bizneset familjare dhe bizneset e vogla. Sakaq, për shkak të pandemisë, rënia e ofertës në tregun e punës nuk është ulur vetëm në Shqipëri, por edhe zinxhirët botëror të prodhimit janë reduktuar, disa edhe janë mbyllur, duke rritur ndikimin negativ te ekonomia jonë që është e varuar nga importet.

Pandemia e ka çmitizuar “tregun e lirë”. Anembanë rruzullit tokësor të gjithë i kanë kthyer sytë nga shteti për ndërhyrje në ekonomi, për shpëtim. Edhe flamurtarët e “laissez faire” dhe dorës së padukshme vetërregulluese të tregut, kërkojnë tani me ngulm t’i ndihmojë dukshëm dora e shtetit. E ardhmja është e paqartë. Prandaj besimi në ekonomi në kohë krizash ulet, duke ulur edhe investimet private.

Në një krizë të tillë shteti prinë. Por kur hedhim sytë nga historia për të gjetur shtetin e fort shqiptar, shohim regjimin diktatorial komunist dhe me shumë të drejtë nuk duam të na përsëritet. Ndërsa kur shikojmë aktualitetin e shtetit tonë, të ndërtuar në 30 vitet e fundit, me pushtete që kanë rrënuar shërbimin shëndetësor dhe arsimin, të korruptuar, me prirje autoritare dhe të kapur nga oligarkia, atëherë me të drejtë rritet shqetësimi. Si t’ia bëjmë në një kohë kur ka dështuar edhe “tregu i lirë”?

Pasojat e rënda të pandemisë për shëndetin e qytetarëve dhe sistemin shëndetësor janë reale dhe nuk jemi të sigurt se sa do zgjasin. Masat kufizuese të distancimit social/fizik janë të domosdoshme. Rënia ekonomike e bën recesionin të duket i pashmangshëm. Dështimi i përballimit të kësaj situate me parimet e tregut të lirë tashmë ka ndodhur. Prandaj, edhe pse jemi të vetëdijshëm për papërshtatshmërinë e pushtetit në Shqipëri, nevoja për drejtimin e duhur nga institucionet shtetërore mbetet aty. Një realitet i ri po formësohet. Kriza e thelluar ka mundësinë ta ndryshojë jo vetëm mënyrën e jetesës por edhe sistemin ekonomik e politik. Ende nuk e dimë në ç’drejtim do shkojë; nëse do të rrisë autoritarizmin duke kontrolluar edhe më shumë njerëzit përmes teknologjisë, apo nëse do të krijohet mundësia për të bërë disa ndryshime progresive, për shtetin e mirëqenies sociale drejt shtetit zhvillimor. Prandaj ka shumë rëndësi të hapim debatin tani.

Reflektimi mbi ekonominë dhe politikën, në kuptimin më të gjerë të këtij termi, të njeriut si kafshë politike, është i domosdoshëm. Në ekonomi një masë e dobishme imediate do mund të ishte “paraja me helikopter”, ndërsa në afatmesëm, një Pakt i Ri ekonomik – si ai i ish Presidentit Roosevelt gjatë Depresionit të Madh në ShBA, si Plani Marshall për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore. Këtë po kërkon për BE-në edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Termin “helicopter money” (para me helikopter) e ka ngjizur Milton Friedman si masë e politikave monetare ekspansioniste në kohë recesioni. Me këtë qasje kundërciklike ndaj recesionit, Banka Qendrore përdor të drejtën për të krijuar para që u shpërndahet direkt qytetarëve, me qëllimin për të rritur kërkesën në treg. Ish Presidenti Obama dhe së fundmi edhe Presidenti Trump e kanë përdorur këtë masë. Në fakt, sot shumë ekonomistë neoliberalë dhe neokejnsianë, si Joseph Stiglitz (ish zv/Presidenti i Bankës Botërore), bien dakord për përdorimin e kësaj politike monetare në këtë krizë ekonomike të thelluar përmes pandemisë. Në Shqipëri kjo politikë është më lehtë e realizueshme, sepse Banka Qendrore ka Lekun; ndërsa për Kosovën, që nuk e ka monedhën e saj dhe përdor Euro, duhet të jemi më kreativ.

Kur i kthehemi Shqipërisë vërejme se masat e ndërmarra prej qeverisë për pagesa direkte shtesë për familjet që marrin ndihmë ekonomike, për transferta të pagave minimale (26.000) për një pjesë të punëtorëve që u është mbyllur biznesi me akt normativ dhe ndihmat ushqimore, kanë një ndikim pozitiv edhe më pak se gjysmak. Shumë familje janë nxjerr që para pandemisë nga skema e ndihmës ekonomike, sakaq lidhur me transferimin e pagës minimale, kjo po realizohet vetëm për punëtorët e (vetë)punësuar në biznesin e vogël (jo në sektorin e bujqësisë) dhe vetëm për ato biznese që u është mbyllur aktiviteti me akt normativ. Brenda biznesit të vogël, pa sektorin e bujqësisë, nga kjo transfertë do të përfitojë vetëm 1/3 e punëtorëve të kësaj kategorie, që u është mbyllur aktiviteti me akt normativ. Të gjithë janë të vetëdijshëm se shumë biznese të tjera të vogla, jashtë sektorit të bujqësisë, nuk janë mbyllur me akt normativ por kërkesa për mallrat dhe shërbimet e tyre ka rënë pjesërisht ose plotësisht. Prandaj edhe ata po mbesin pa paga. Në sektorin privat bujqësor në Shqipëri janë përafësish po aq të punësuar sa në sektorin privat (biznesi i madh e i vogël bashkë) jo bujqësor, dhe për këta ende nuk ka ndonjë sinjalizim. Qeveria ka thënë se prej 15 prillit do të shtojë subjektet që pëfitojnë nga kjo masë, por ende nuk dimë se kë do përfshijë.

Marrë parasysh nivelin shumë të lartë të informalitetit në tregun e punës, numri i atyre që kanë patur nevojë e nuk përfitojnë nga këto pagesa del shumë herë më i lartë. Përgjigja e KM Rama për informalitetin ka qenë që punëtorët të denoncojnë punëdhënësit. Pëveç, tensionit që krijon kjo gjatë pandemisë, dhe pozitës së pabarabartë të punëtorit në raport me punëdhënësin, barrën e provës për denoncimet KM Rama ia kaloi punëtorit. Nuk është shpjeguar çfarë konsiderohet provë, e nuk dihet si do i gjejnë këto prova punëtorët në kohë izolimi. Hipotetikisht, edhe sikur të tejkaloheshin këto sfida titanike, mendoni sikur të dorëzoheshin realisht mijëra e mijëra denoncime. Kush e sa shpejt do t’i gjykonte ato? Të gjithë e dimë që këto manovra (jo edhe aq) dinake të kryeministrit thjesht i lënë në baltë në kohën më të keqe njerëzit më në nevojë të shoqërisë.

Në vazhdim të politikave fiskale, Qeveria ka paralajmëruar rritjen e borxhit përmes një Eurobondi të ri dhe ndërkohë ka vendosur në dispozicion garancinë sovrane prej rreth 11 miliardë lekë për kredi për biznesin e madh që është dëmtuar ekonomikisht, në mënyrë që të mbulojë pagat e punëtorëve. Se si do përdoret borxhi nga Eurobondi ende nuk e dimë. Por dimë që akti normativ për garancisë sovrane e ka një hile në kurriz të punëtorëve. Garancia vërtetë krijon lehtësi në likuiditet për biznesin e madh, duke i dhënë mundësinë që 3 muajt e parë mos ta paguajnë principalin si dhe duke e shtrirë shlyerjen e plotë të kredisë në një periudhë 2 vjeçare, dhe ata që e marrin këtë kredi duhet ta pëdorin për të mbuluar punëtorët e kompanisë me paga deri në 3 muaj. Mirëpo, ky akt normativ nuk thotë asgjë në lidhje me kushtëzime ndaj biznesit të madh që e merr këtë kredi për mos t’i hequr punëtorët nga puna e për mos t’ia ulur pagat në këtë periudhë. Ndonjë mendjelehtë mund të na përmend faktin se nësë biznesi i madh i shkel të drejtat e punëtorëve, atëherë punëtorët me kontratë kanë të drejtë ta hedhin kompaninë në gjyq – pra, pikërisht në këtë kohë kur gjykatat nuk funksionojnë dhe kur e dihet se çështje të tilla nuk janë zgjidhur shpejt as para pandemisë. Akti normativ është kujdesur t’i sigurojë edhe bankave një fitim prej 0.5% për çdo kredi. Me këtë akt, biznesit të madh i jepet një dorë nga shtetit, një dorë i jepet edhe bankave private të nivelit të dytë për të rritur fitimet me para të shtetit, por të punësuarit pranë biznesit të madh lihen në fatin e dorës së padukshme të “tregut të lirë”.

Kur hedhim sytë nga politikat monetare të Bankës së Shqipërisë (BSh), shikojmë që në koordinim me Qeverinë, janë ulur normat e interesit për kreditë në nivelin 0.5%, nga 1% që ishte më herët. BSh ka propozuar tashmë edhe një politikë monetare ekspansioniste, “Planin B”, që ende nuk e ka aktivizuar. Kjo është blerja e borxhit publik të qeverisë për të mbushur me likuiditet bankat në mënyrë që të promovohet edhe më shumë huadhënia private. Edhe pse një pjesë e biznesit mund të përfitojë nga lehtësimi i qasjes në likuiditet, pjesa tjetër është në rrezik falimentimi. Problemi për shumë biznese është rënia drastike e njëkohshme e ofertës dhe kërkesës në treg. Edhe po ta merrnin borxhin, biznese në sektorë të ndryshëm nuk do mund ta kthenin atë për shkak se aktiviteti i tyre mund të jetë i përqëndruar në sektorin e shërbimit, që pashmangshëm do ketë rënie për një përiudhë më të gjatë, edhe ateherë kur të jetë frenuar kjo pandemi. Kur marrim parasysh faktin se biznesi kishte rënie në investime edhe para koronavirusit, edhe pse norma e interesit ishte prap e ulët, kuptojmë që kjo masë është si një kameradare e shpuar që u hidhet bizneseve tashmë të zhytura në borxhe.

Nuk duhet të harrojmë se politikat fiskale dhe monetare të parashikuara nga qeveria rrezikojnë ta rrisin inflacionin. Inflacioni mbetet në fakt problem nësë nuk rritet punësimi dhe zhvillimi në ekonomi. Në afat shkurtër, qeveria do duhej të mendonte edhe për masa të jashtëzakonshme, si çmime tavan për produket bazë dhe mbase do duhej të vlerësohej edhe mundësia që për një periudhë lloji i këmbimit valutor të Lekut të kalonte nga lundrues më një shkallë fleksibiliteti të kufizuar. Kujtojmë se politikat që ka tashmë në plan Banka Shqipërisë rrezikojnë ta rrisin inflacionin pa marrë masa parandaluese. Këto propozime që frenojnë inflacionin kanë potencialin ta mbajnë atë nën kontroll dhe të rrisin besimin e mjaftueshëm në ekonomi për të bërë investime të reja direkte në prodhim. Masa të tilla që synojnë rritjen e stabilitetit makroekonomi ka ndërmarrë edhe Administrata e Rooseveltit gjatë Paktit të Ri në ShBA, edhe shetetet e Evropës gjatë zbatimit të Planit Marshall.

Në afatshkurtër, le ta shqyrtojmë seriozisht propozimi për “para me helikopter”, me synimin pë t’i shpërndarë sa më parë tek çdo qytetar në nevojë, pavarësisht nësë kanë qenë ose jo në punë, me ose pa kontratë, në sektorin formal apo informal qoftë. Kjo jo vetëm është e drejtë, por ka edhe sens ekonomik sepse e rrit kërkesën në treg. Me këtë masë sigurohet në afatshkurtër mbrojtja e të gjithë atyre që janë tejet në nevojë, e nuk po e ndjejnë dorën e shtetit në këtë krizë të thelluar. Ta ndihmosh këtë pjesë të madhe të forcës punëtore është të luftosh edhe pandeminë. Pa këtë ndihmë, rritet rreziku që ata të dalin rrugëve duke e përhapur edhe më shumë virusin, duke e rritur edhe më tej rrezikun për gjithë shoqërinë. Altruizmi dhe egoizmi në këto kohëra bëhën një. Nëse më pyesni sa do të ishte shuma e përshtatshme për të hedhur “para me helipkopter” për çdo qytetar në nevojë në Shqipëri, dhe a do duhej të ishte për çdo muaj deri në frenimin e pandemisë, atëherë tashmë paskemi kemi rënë dakord në parim. Le ta diskutojmë e ta realizojmë sa më parë, duke insistuar që kjo pagesë të jetë e dinjitetshme.

Përveç masave imediate, është imperative riorientimi dhe ristrukturimi i ekonomisë pas pandemisë, duke krijuar e vende të reja pune përmes shpenzimeve dhe investimeve publike në sektorë strategjik në prodhim që lidhen direkt me nevojat e qytetarëve. Po flas për një Pakt të Ri ekonomik për Shqipërinë. Rekuperimi në sektorin e shërbimeve do zgjasë shumë më shumë edhe pas frenimit të pandemisë, ndërkohë investimet direkte si hapja e fabrikave të reja e gjallëron shumë më shpejt dhe në mënyrë shumë të qëndrueshme ekonominë. Riorientimi ka filluar të ndodh deri diku spontanisht. Këto ditë në Tiranë mund të gjesh nëpër farmaci edhe maska mbrojtëse të prodhuara nëpër rrobaqepsi në Shqipëri. Por nuk mjafton. Duhet edhe kontrolli i këtyre produkteve për cilësinë e maskave, si dhe një riorientim më madhor i ekonomisë. Kemi nevojë për investime publike në bujqësi e blegtori, në industrinë e lehtë të përpunimit ushqimor, në prodhimin e maskave dhe materialeve të tjera higjienike, sanitare dhe shëndetësore, e çdo malli tjetër që mund ta prodhojmë në Shqipëri, duke mos harruar edhe pasuritë kombëtare nëntokësore.

Masat e izolimit për t’u mbrojtur nga pandemia, nuk është mirë të hiqen shpejt duke rritur rrezikun e një vale të dytë. Studimi i fundit nga ekspertët kërkimor të Bankës Qendrore në ShBA dëshmon se para 100 vitesh, gjatë pandemisë së “gripit spanjoll”, shtetet dhe qytetet amerikane që i zgjatën më shumë masat e distancimit social, edhe kishin vdekshmëri më të ulët edhe e morën veten më shpejt pas pandemisë. Mund të shfrytëzohet periudha e distancimit social për kurse në internet të formimit profesional, që do të ndihmonin në transferimin drejt sektorëve të tjerë të ekonomisë pas pandemisë. Le të mendojmë e të veprojmë në këtë drejtim në javët në vijim, duke e orientuar forcën punëtore, që do mbetet gjithnjë e më shumë e pa punë, drejt sektorëve të rinj. Shqiptarë do e kenë të vështirë ta gjejnë zgjidhjen ekonomike duke emigruar sërish për dy arsye: (1) është e parashikueshme se shumë kufizime në lëvizjen e lirë do të vazhdojnë edhe pas pandemisë; dhe (2) recesioni do ketë prekur edhe vendet e tjera në Perëndim. Kapaku i tenxherës së presionit social nuk do mund të çlirohet si më herët duke stimuluar njerëzit të largohen. Duhet të gjejmë zgjidhjet këtu, në vendin tonë, tani.

Nëse dikush ka frikë nga kjo Qeveri, nuk duhe të harrojë që edhe kryeministri Rama ka frikë. Kjo frikë e tij është e dallueshme tek masat e paqarta që vendos, tek mënyra e çorientuar se si flet, te masat që nga një herë i ndryshon brenda ditës, te video e policëve të Alegjerisë që pretendoi se ishte bërë në Spanjë, tek infermieri që çoi në Itali, që kishte punuar më shumë në karburant – le ta pranojmë, së paku, që nuk ka qenë ky personi më i kualifikuar për të luftuar pandeminë në Itali. Rama ka frikë sepse shumë qytetarë e kanë humbur besimin tek ai që para pandemisë, dhe ai këtë e di. Qeveria nuk mund të veprojë pa bashkëpunimin tonë. Ai ka ankthin e pësëritjes së vitit 1997, sepse lidhja simbolike e ngritur mbi besimin mes një politikani dhe qytetarëve, është prishur kohë më parë dhe tani po mungojnë, si atëherë, edhe paratë. Ai ka të drejtë që ka frikë, sepse në këtë situatë, pa një ndërhyrje të përshtatshme në ekonomi, dëshpërimi dhe varfëria mund t’i çojë njerëzit drejt kaosit. Por më kot Rama tenton të marrë rolin e babait dhe të na trajtojë si fëmijë. Në vend që të përpiqet t’i tremb qytetarët me frikën e tij, duhet që kjo qeveri t’i dalë qytetarëve në ndihmë me një Pakt të Ri.

Meqë kanë folur për luftë dhe solidaritet, le të kalojmë nga frika e 97-s te fryma e solidaritetit gjatë luftës së fundit të vitit 1999, kur qytetarët në Shqipëri hapën dyert e shtëpive të tyre për të pritur qindra mijëra shqiptarë të Kosovës. Qytetarët e mbajnë mend shumë mirë se si në atë kohë një pjesë të halleve shqiptarët e të dy anëve të kufirit i ndanin e i zgjidhën bashkë në të njëjtën shtëpi. Lloji i masave që po ndërmerr kjo qeveri është ose i mangët ose në drejtimin e gabuar, dhe dihet ku çon: edhe më shumë pabarazi, edhe më shumë papunësi, edhe më shumë varfëri. Nëse qeveria është e paaftë ose i mungon vullneti, ndryshimi i kësaj situatë varet në masë të madhe nga angazhimi qytetar, duke ideuar metoda të reja përfshirjeje në kushte kufizimi të disa lirive bazë. Një pjesë janë në izolim, por për momentin, përmes internetit, janë të lidhur si kurrë më parë me njëri-tjetrin, duke krijuar mundësi të ndryshme për solidarizim.

Solidariteti nuk është bamirësi, sepse nuk është i njëanshëm, e as nuk bëhet për mëshirë. Nuk është ndjenjë. Solidaritetin nuk e ke nëse nuk e bën. Prejardhja e termit solidaritet është nga latinishtja në librat ligjor të Romës së lashtë. Kur njerëzit merrnin një borxh të përbashkët ai titullohej “in solidum”. Nëse një individ nuk e mbulonte dot pagesën, grupi e mbështeste. Solidariteti ka nënkuptuar që në origjinë një dimension financiar që i lidh njerëzit në detyrime reciproke, në përgjegjësi të përbashkëta dhe në ndarjen e riskut. Një situatë ndërvarësie dhe mbështetjeje reciproke. Solidariteti është vëllazërimi që na lidh për të vepruar në kooordinim. Në gjithë këtë vuajtje dhe krizë, duke hedhur ide e duke ideuar metoda të reja të angazhimit diçka e re mund të lind.

Lexo po ashtu:  Një ekspert grek pranon: Po, mbi çamët u krye spastrim etnik!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *