Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është gjithmonë i gatshëm të shkojë në Bruksel për të dialoguar me palën serbe, por presidenti serb Aleksandar Vuçiq thotë se nuk ka asgjë nga dialogu në Bruksel derisa Kurti të jetë aty.

Siç transmetojnë mediat serbe Vuçiq tha se “kam kërkuar nga fuqitë mbrojtëse që të na ndihmojnë ta frenojnë dhe racionalizojnë Albin Kurtin”.

Sa i përket dialogut në Bruksel ndërmjet përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës, ai ka thënë qartë se nuk ka asgjë nga ai.

“Nuk ka asgjë nga dialogu në Bruksel derisa Kurti është aty. Njeriu ka vendosur të mos bëjë kurrfarë dialogu”, tha Vuçiqi dhe shtoi se ai do të shkojë gjithmonë në bisedime, por se “nuk di se për çfarë të flasë me të [Kurtin]”.

Kryeministri Kurti tha sot për Zërin e Amerikës se Serbia është ajo që po e pengon dialogun duke zvarritur takimet e niveleve të larta.

“Jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtojë për Bruksel, për takimin e radhës të përgatitur mirë për çështje bilaterale dhe një takim i tillë ka pasur plan që të mbahet më 19 korrik, por nuk u mbajt për shkak se Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje mbi një mujore”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Trump e shkarkon nga Shtëpia e Bardhë armikun numër 1 të Kosovës

Kurti tha se Kosova do të mbetet konstruktive sa i përket procesit të dialogut.

“Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj, gjatë procesit të Brukselit, konstruktive, kreative dhe e përkushtuar. Sekretari Blinken kërkoi që edhe më tej ne të jemi të tillë. Ne do të vazhdojmë të jemi të tillë, por është Beogradi që po punon kundër marrëveshjeve dhe kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërkohë që ne jemi konstruktiv dhe këtë tashmë Brukseli e ka regjistruar. Në vend se takimi të mbahet me 19 korrik, tash shpresohet që mbase do të mbahet në fund të gushtit”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *