MekuliPress vijon të publikoj intervistat e guximshme, shkencore dhe largpamëse të Rexhep Qosjës. Intervista më poshtë është dhënë për “Radio Zagrebi” në vitin 1991
Ekziston çështja e shqiptarëve në Jugosllavi dhe ekziston çështja e Kosovës. Çështja shqiptare është më e gjerë se sa çështja e Kosovës, megjithëse çështja e Kosovës është përbërësi më i rëndësishëm, boshtor, i çështjes shqiptare në Jugosllavi.
Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!
☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptareKur them se çështja e shqiptarëve në Jugosllavi është më e gjerë se sa çështja e Kosovës kam parasysh se në Jugosllavi, përpos në Kosovë, shqiptarët jetojnë edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në disa komuna të Serbisë Jugore. Territoret në të cilat jetojnë shqiptarët në Jugosllavi, që sot për nga numri janë popull i tretë në Jugosllavi, janë territore etnikisht kompakte. Sikur pas lufte të ishte bërë politikë e drejtë ndaj shqiptarëve, sikur fati i tyre në pikëpamje juridiko-kushtetutare të ishte zgjedhur drejtë, ata, sigurisht, nuk do të ishin coptuar në tri republika dhe në një krahinë autonome, prej së cilës pa kurrfarë të drejte janë ndarë disa komuna të Serbisë së sotme jugore, në të cilat popullata shqiptare edhe atëherë përbënte shumicën dërmuese. Në qoftë se shqiptarëve nuk u është përfillur vullneti politik i shprehur në Konferencën e Bujanit më 1943, domethënë në qoftë se shqiptarëve nuk u është njohur e drejta që u takon e vetëvendosjes, që u është premtuar kur janë thirrur në luftë, e kjo nënkuptonte bashkimin aq të dëshiruar me Shqipërinë, ka mundë të t’u pranohet së paku e drejta e vetëvendosjes së brendshme. në këtë rast ne do të kishim sot Republikën.
Dhe, kështu Jugosllavia nuk do ta kishte sot çështjen e Kosovës në trajtën në të cilën e ka dhe nuk do të pësonte të gjitha ato dënime që po i pëson politika e saj në skenën politike ndërkombëtare: në rezolutat e ndryshme të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; dhe, kështu kroatët, sllovenët dhe muslimanët do të ishin të kursyer nga brejtja e ndërgjegjës që do të duhej ta kenë për shkak se deri para dy vjetësh janë gjetur të detyruar të përkrahin politikën e dhunës e të terrorit që #Serbia ka bërë kohë pas kohe pas lufte e që prej vitit 1981 po bën vazhdimisht ndaj shqiptarëve në Kosovë, kurse Maqedonia e Mali i Zi ndaj shqiptarëve në ato republika. Sikur shqiptarëve t’u njihej republika atëherë Serbia sot nuk do të gjendej në situatën që para Evropës dhe botës demokratike të shënohet si shtet kolonial dhe shtypës – çka Serbia edhe është në Kosovë. Dhe, më tutje: sikur çështja e shqiptarëve në Jugosllavi të ishte zgjedhur me kohë dhe drejtë Serbia s’do ta kishte sot barrën e çështjes kosovare që për të do të bëhet gjithnjë e më e rëndë dhe gjithnjë e më komprometuese para botës – gjithnjë deri sa popullit shqiptar të mos i pranohet ajo e drejtë që objektivisht edhe i takon: e drejta që të vendos vetë për fatin e vet.

Çështja #shqiptare nuk është zgjidhur me kohë sepse Jugosllavia qe 72 vjet është e gulshuar prej unitarizmit dhe hegjemonizmit serb. Jugosllavia, ndërkaq, edhe ka lindur me mëkatën historike që quhet hegjemonizmi serb. Pasojat e politikës unitariste dhe hegjemoniste serbe i kanë pësuar të gjithë popujt e Jugosllavisë e në mënyrën më tragjike shqiptarët, jetën e të cilëve nën regjimet serbe më së shpeshti e shënojnjë eksploatimet, shtypjet, ndjekjet, gjykimet, burgjet, vrasjet, ekspeditat ndëshkuese policore-ushtarako, shpërnguljet e dhunshme. E të tjera.
Për të gjitha këto arsye Jugosllavia sot për shqiptarët mund të ketë domethënie vetëm në qoftë se ata në të njihen si popull, si komb, domethënë në qoftë se atyre u njihet e drejta që si popujt e tjerë në Jugosllavi të mund të vendosin vetë për fatin e vet. Domethënë: për shqiptarët Jugosllavia sot mund të ketë domethënie vetëm në qoftë se atyre, si popujve të tjerë në Jugosllavi, u njihet barazia më e lartë: Republika, që ne e quajmë Republika e Kosovës.
E di se prej bisedimeve të tashme historike mbi Jugosllavinë kjo Republikë, mjerisht, nuk do të lindë!
E di se shqiptarët edhe një kohë do të jenë të eksploatuar dhe të shtypur nën Serbinë!
Sepse e di se Serbia e sotme ka katandisur thellë në mëkatën e saj historike: në kolonializmin serb që në Kosovë po e zbaton me metoda e mjete brutale okupuese!
Dhe e di se çështja e shqiptarëve në Jugosllavi nuk do të zgjidhet drejtë deri sa rrota e mermertë e historisë evropiane të mos e bluaj kolonializmin serb në Kosovë dhe, ashtu, shqiptarëve, në saje të të drejtës së vetëvendosjes t’u sjellë lirinë e ëndrruar – bashkimin me Shqipërinë, kurse Serbisë paqjen aq të nevojshme me popullin shqiptar në tërësi! Bashkimi i shqiptarëve – ardhmëri që doemos do të vijë.
Por, megjithatë, është mirë pse përfaqësuesit shqiptarë po marrin pjesë në bisedimet e sotme historike mbi ardhmërinë e Jugosllavisë.
E nderoj mendimin e një mendimtari bashkëkohor i cili thotë: edhe në qoftë se nuk do të kesh kurrfarë gjasash – e vlen të provosh!
Kjo intervistë është dhënë për “Radio Zagrebi” 30.I.1991 #MekuliPress.com
