Ajo që ndodhi të dielën në Cetinjë është një nga ato ngjarje që hedhin dritë mbi një debat që ka shpërthyer prej kohësh midis shqiptarëve.

Ndonëse përleshja e ashpër me tym, flakë, të plagosur dhe të arrestuar, që u zhvillua në qendrën historike të malazezëve ka një shtresim të disafishte, ku përpos dasive fetare shtohen edhe ato politike mes pozitës e opozitës apo, ato nacionale ndërmjet atyre që kërkojnë një shtet të pavarur dhe të tjerëve që ëndërrojnë për qendër Beogradin, mësimi i saj vlen të mbahet shënim.

Çuarja me helikopter nga qeveria proserbe e Potgoricës e kreut të kishës serbe, qëndrimi që u detyrua të mbajë vetë presidenti Vuçiç, shkrimet në shtypin e kontrolluar prej tij, dëshmojnë një gjë të vetme: në Beograd nuk i kanë dhënë fund ëndrrës së përhershme për ti mbajtur të bashkuar serbët e shpërndarë në disa shtete të Ballkanit.

Kjo lloj politike, që e rreshton edhe Aleksandar Vuçiçin si një pasues të denjë të frymëzimit që Sllobodan Millosheviçi mori nga akademikët dhe kisha, e ka bërë Serbinë që të vazhdojë të ketë probleme të hapura edhe me Bosnjën, edhe me Malin e Zi edhe me Kosovën.

Lexo po ashtu:  Diplomatët na thonë se, po s’e bëri Albini asociacionin, ka plot parti të tjera, biznese e shoqëri civile që e bëjnë atë…

Pikërisht kjo paaftësi e Beogradit për tu përballur me realitetin e ri në Ballkan është kthyer në mollë sherri edhe tek ne. Mes shqiptarëve, sidomos për temat e dialogut Kosovë- Serbi, për atë të denoncimit për genocid, apo për raste si ai i Goran Bregoviçit, janë përvijuar dy qasje.

E para është ajo që mbrohet nga Edi Rama dhe grupi përreth tij, që mëton ta lërë mënjëanë historinë e së shkuarës duke u hequr si modern dhe duke vënë bast se në kontinentin tonë baruti tashmë është lagur. Me gojën e tij dhe të zëdhënësve të vet, kryeministri shqiptar është shfajësuar se askush nuk e detyron dot Serbinë të njohë Kosovën, ka dënuar përpjekjet për të kërkuar ndëshkimin e krimeve të së shkuarës dhe ka fajësuar Prishtinën për ngecjen e bisedimeve me Beogradin. Në sintoni të plotë me presidentin serb, Edi Rama, e ka vizatuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin si njerëz që duan të bëjnë përpara duke mbajtur kokën pas.

Qasja e dytë bën apel për ruajtjen fort në kujtesë të së shkuarës edhe kur flitet për “Ballkanin e hapur” edhe kur diskutohet në Bruksel me Vuçiçin. Kjo rrymë ka për zëdhënës kryesor Albin Kurtin dhe mbështetësit e tij, të cilët kanë bindjen se është naivitet të ndërtosh paqësisht të nesërmen, me një partner që tenton në çdo rast të realizojë atë që i kanë lënë trashëgimi pararadhësit që një shekull më parë.

Lexo po ashtu:  Pas tre dekadash me përralla u rikonfirmua se...

Natyrisht, që po ti shohësh në laborator, të zhveshura nga konteksti historik, gjeografik dhe nga përkthimi i tyre në politikën e sotme, të dyja rrymat janë si nata me ditën. Ajo që mbron Rama duket bashkëkohore, europeiste, tolerante, ndërsa ajo e Albin Kurtit, pre e një nacionalizmi primitiv të mbushur me urrejtjen për tjetrin.

Por, në fakt, nuk është aspak kështu. Sepse politikat shtetërore nuk ngrihen mbi koncepte dhe parime abstrakte, ato ndërtohen në funksion të atij që ke përballë.

Ç’do qeveri e Kosovës, e mirë apo e keqe, e majtë apo e djathtë është e dënuar të jetë e ndërgjegjshme se problemin e ka Serbinë. Pra me një shtet që as nuk ka pasur ndërmend ta harrojë historinë dhe të shkuarën, por i ka vendosur ato si gur themeli në politikat e sotme, madje jo vetëm me shqiptarët, por edhe me Bosnjen dhe Malin e Zi.

Pra, të bësh sikur e anashkalon këtë, nuk është as mendjelehtësi dhe as gabim i pafajshëm. Në të tilla nivele nuk ka rastësi. Edi Rama ka bërë zgjedhjen e vet, sepse ai e ka vendosur të ketë si një nga themelet e aureolës së tij ndërkombëtare, partneritetin e ngushtë me Aleksandar Vuçiçn. Por në asnjë rast, këtë zgjedhje personale, ai nuk mund ta shesë dot me veshjen moderne dhe tolerante të tejkalimit të së shkuarës. Ngjarjet në Cetinjë, ku Serbia tregoi shfaqi sërisht hapur dhëmbët, tregojnë se Beogradi nuk është në gjendje ta tejkalojë historinë. Dhe këtu Albin Kurti ka të drejtë, sepse ai nuk mund ta trajtojë dikë për atë që nuk është./Andi Bushati/

Lexo po ashtu:  I dashur Zelensky, mos shpreso tek ai që nuk i bojkotoj serbët për gjenocid ndaj shqiptarëve

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *