Seneka (Lucius Annaeus Seneka), i quajtur zakonisht Seneka Filozofi, është një nga personalitetet më komplekse dhe më interesante të lashtësisë.
Jeta e tij ishte e jashtëzakonshme për nga ngjarjet dhe personazhet që e shoqëruan, për nga shtrirja dhe larmia e veprimtarisë mendore që ai zhvilloi, për nga armiqësia e dhunshme që e ndoqi gjatë gjithë jetës me një forcë të papërfytyrueshme.
Jeta e Senecas kaloi nëpër momente të ndryshme që e lejuan atë të reflektojë thellë mbi emocionet, ambicien, forcën shëruese të filozofisë dhe vdekjen, ndër tema të tjera. Në fakt, një pjesë e madhe e shkrimeve të tij zakonisht interpretohen duke marrë parasysh biografinë e tij. Ai studioi retorikë dhe filozofi në Romë dhe karriera e tij njihet si e suksesshme, disi dramatike dhe gjithashtu politike.
Seneka qe një mendimtar, që guxoi i pari të lidhte filozofinë me politikën, gjë kjo që përbën një nga ndihmesat e tij më të thella në mendimin modern.
Me veprën e tij, Seneka na mundëson të njohim mirë përbërjen kulturore dhe historike të gjashtëdhjetvjeçarit të parë të erës sonë.
Këtu ju sjellim një pjesë të shkëputur nga vepra e tij “Dialogje” në të cilin ai flet për “Jetën e lumtur”:
Nga: Seneka
Të gjithë duan të jetojnë të lumtur, vëlla Galioni, por, kur duhet të qartësojnë se çfarë e bën jetën të lumtur, u vagëllohen sytë. Është kaq e vështire të kalosh një jetë të lumtur, saqë sa më shumë mundohemi ta kërkojmë atë, aq më shumë na largohet, nëse nuk kemi zgjedhur rrugën e duhur. Kur rruga, pastaj, na çon në drejtim të kundërt, pikërisht shpejtësia bëhet shkas që të largohemi akoma më shumë nga lumturia.
Prandaj, fillimisht duhet të vendosim se ku duam të shkojmë, pastaj të shohim se cilën rrugë të zgjedhim për ta gjetur sa më shpejt lumturinë. Gjatë udhëtimit do ta kuptojmë, se sa ecim çdo ditë dhe sa i jemi afruar asaj drejt të cilës na shtyn dëshira e natyrshme, nëse kemi zgjedhur rrugën e duhur.
Patjetër që, derisa të endemi poshtë e lart, duke ndjekur jo një prijës, por zhurmën e papërputhshme të atyre që na thërrasin nga të gjitha anët, jeta do të kalojë, e shkurtuar nga gabimet, edhe sikur ne të mundohemi ditë e natë për të ndjekur mendimin e drejtë. Atëhere, le të vendosim se ku duam të shkojmë dhe nga cila rrugë do kalojmë, por jo pa patur një prijës i cili ta njohë rrugën që do fillojmë të përshkojmë, sepse nuk është si në udhëtimet e tjera që, pasi gjejmë rrugën, i kërkojmë informacione udhëtarëve e nuk mund të gabohemi. Në këtë rast, përkundrazi, janë pikërisht rrugët me më shumë gjurmë e më të rrahura ato që na mashtrojnë.
Mbi të gjitha, duhet të kemi kujdes që të mos ndjekim, si delet, turmën e atij që është para nesh, sepse kështu nuk shkojmë atje ku duhet, por atje ku shkojnë të gjithë. Tek e fundit, nuk ka gjë më të keqe sesa të përshtatemi me thashethemet, duke quajtur si gjënë më të mirë atë që pranohet nga pjesa më e madhe e njerëzve.
E, duke qenë se nuk na mungojnë shembujt, atëherë jetojmë jo sipas arsyes sonë, por duke imituar të tjerët. Për këtë arsye ka kaq shumë njerëz që bien mbi njëri-tjetrin.
Ashtu siç ndodh në një masakër, kur turma e njerëzve shtypet (askush nuk bie pa tërhequr të paktën edhe një tjetër dhe ata që bien të parët janë shkatërrimi i atyre që vijnë më pas), ndodh edhe në jetë: askush nuk gabon vetëm për vete, por bëhet shembull dhe shkas gabimi edhe për të tjerët. Është e dëmshme të mbështetesh tek ai që ke përpara dhe, meqenëse secili prej nesh dëshiron më mirë t’u besojë të tjerëve sesa të shprehë mendimin e tij, sidomos në lidhje me jetën nuk shprehet asnjëherë mendim, atëherë u besojmë gjithmonë të tjerëve. Kështu na turbullon dhe na bën të rrokullisemi një gabim që kalon dorë pas dore. Shkatërrohemi duke ndjekur shembullin e të tjerëve. E vetmja mënyrë për të shpëtuar është të qëndrojmë sa më larg nga turma.
E vërteta është se kundër arsyes ngrihet turma e njerëzve, e cila mbron ligësinë e saj. Kështu që ndodh ashtu si në një miting, ku vetë ata që i kanë votuar habiten se si janë zgjedhur disa njerëz, kur miratimi i popullit, i cili është i ndryshueshëm, bën një rrotullim në vetvete.
Tani aprovojmë diçka e, sa hap e mbyll sytë, e kundërshtojme: ky është përfundimi i një mendimi të shprehur në bazë të opinionit të shumicës.