Ja çka shkroi shkrimtari i njohur shkodran Skënder Drini për librin publicistik të Profesor Agim Vincës “Arti i reagimit” (2011) në revistën “Milosao” të Tiranës më 21 qershor 2012.
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Skënder Drini
COGITO, ERGO SUM!

Duke lexuar librin “Arti i reagimit” të A. Vincës
Me të mbaruar së lexuari librin e Agim Vincës “Arti i reagimit”, më vjen një ide e çuditshme në mendje (por ndofta aspak e çuditshme): që kjo vepër dhe ndonjë tjetër si kjo duhen vendosur në këmbët e monumentit NEW BORN në Prishtinë dhe duhen lënë aty. I shkatërron shiu dhe bora, duhen zëvendësuar me të tjera, i zverdh koha, prapë duhen zëvendësuar me të tjera. Le të punojë një shtypshkronjë e tëra vetëm për to… Kjo se atij monumenti mjaft të gjetur aty në mes të Prishtinës, që përfaqëson mjaftçka për Kosovën, sikur i mungon një certifikatë lindjeje për atë që përfaqëson, sepse për mua (gjithnjë nën presionin e ideve të çuditshme) dita e lindjes e Kosovës, nuk është dita kur ajo merr në duar një certifikatë zyrtare, por është dita kur intelektualët, patriotët dhe idealistët e këtij vendi “marrin vendim” për ta rilindur atë.
Nëse do të më pyeste dikush çfarë është ky “Arti i reagimit” i profesor Vincës, do t’i thosha pa pikë ngurrimi që aty përfshihen ode për kultin e lirisë, të parë në ”katërdhetë copë” pas hekurave të kryqëzuara të burgut të madh Kosovë! Nuk ka aspak rëndësi nëse ka lamentacion për Kushtetutën, për Autonominë, apo për Pavarësinë, por ka rëndësi se janë britma kozmike, për kultin e lirisë, që ua kanë rrëmbyer shqiptarëve në Kosovë. Po, a është e saktë kjo, a mund të rrëmbehet një kult? Pse, si është ky kulti i lirisë, si një bust, që e vendos dhe e heq sipas dëshirës Zeusi i kohërave? Pushtuesit e të gjitha kohërave, diktaturat e të gjitha kohërave, sidomos diktaturat e shpirtit, kanë një llogari përjetësisht të pambyllur me kultin e lirisë. Ata i lemerit fakti që kanë të bëjnë me një qenie të pavdekshme, i lemerit fakti që është e vetmja qenie e gjallë e pavdekshme, së cilës ende nuk ia kanë gjetur thembrën e Akilit.Tortura që ka rënduar me shekuj mbi kokën e njeriut të pambrojtur, ka tentuar vetëm një gjë, ka tentuar të gjejë vetëm këtë thembër Akili.
Vepra e Agim Vincës, nuk është tjetër veçse anatomia e kultit të lirisë. Ai nuk beson në një thembër Akili,nuk beson se kulti i lirisë është i pavdekshëm si një dhunti kozmike, por beson te mishërimi që ka një popull ndaj vetvetes , për t’u tërhequr zvarrë apo për të jetuar dhe vdekur në këmbë.
Janë të pafund mendimet që të përshkojnë duke lexuar veprën e A. Vincës. Shumë popuj kanë monumente madhështore për ditën kur janë çliruar nga një pushtues, apo një tjetër, por askush nuk ka një monument të veçantë për lirinë si koncept. Liria si koncept është shumë më e madhe se çdo ditë çlirimi e popujve dhe askush nuk ka të drejtë të alarmohet për politeizëm nëse e quan lirinë zotin e dytë të njeriut. Të vetmit që e kanë kuptuar, himnizuar dhe monumentalizuar lirinë si koncept janë poetët. E kanë barazuar me një zot të dytë të njeriut dhe mjaft “të krisur” prej tyre e kanë quajtur pa pikën e frikës si zotin e parë… A është e nevojshme të kujtojmë këtu që A. Vinca është poet?
Gjithnjë ka një kohë të njeriut të pushtuar dhe një kohë që vjen pas, të njeriut të çliruar. Unë e kam “takuar” Kosovën në të dyja kohët. Kam qenë fill pas hyrjes së trupave të NATO-s, kur Peja dhe Gjakova nxirrnin ende tym. Në Prishtinë u futa në një nga ato kafenetë e shumta, ku zakonisht rrinin pedagogë, gazetarë, artistë. Aty ishte harruar e gjithë e kaluara dhe po të mos ishte ajo dera që po e riparonin do të thosha që ishte harruar edhe lufta brenda pak ditësh. Kjo më shqetësoi. Prisja diçka tjetër. Pastaj u qetësova dhe mendova që kanë të drejtë të ishin aq të çinteresuar, sepse kishin hequr shumë. Më tutje mendova se ata ishin ashtu se nuk i takonin “artit të reagimit”, nuk kishin investuar asgjë për të (edhe sot ka plot që nuk i takojnë “artit të reagimit” si në Kosovë, si në Shqipëri). Së fundi më erdh ndër mend Fromi dhe mendova që ata nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë. (Edhe sot ka plot si në Kosovë, si në Shqipëri, që nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë). Kaq, për të mos folur për ata që e ”bëjnë” keq lirinë.
Vepra e A. Vincës “Arti i reagimit” është një kujtesë, nuk është një revansh. Nuk ka asgjë më të dëmshme sesa ta mbështjellësh të kaluarën me një emfazë historiko-folklorike, duke krijuar idhuj të rremë, apo duke e përmbysur historinë si me betejën e Fushë Kosovës. Emfaza historiko-folklorike është ballkanike, është prezente si një element thelbësor i nacionalizmit ofensiv. Thashë që është ballkanike, por shpesh i ka kapërcyer këta kufij. Mjafton të kujtojmë Musolinin. E gjithë politika e tij e brendshme dhe e jashtme nuk ishte tjetër veç një emfazë historiko-folklorike romane. E keqja e saj nuk po na ndahet as sot se në njëfarë mënyre po bëhet pjesë e politikave populiste.
Thashë më lart që nuk është revanshiste. Nuk kërkon as shpërblim, sepse gjaku i derdhur në Kosovë nuk mund të shpërblehet me asgjë. Më e shumta që kërkon A. Vinca është drejtësi. Kam dëgjuar zëra aty-këtu nëpër Kosovë, që thonë që duhet bërë paqe me Serbinë. Po, kjo është e drejtë, por këtë duhet ta kërkojnë serbët në radhë të parë, sepse nuk janë shqiptarët e Kosovës që përgjakën Serbin, por serbët e Millosheviçit që përgjakën Kosovën.
Në një nga shkrimet e tij A. Vinca ka përshtatur thënien e famshme të Dekartit: “Cogito, ergo sum”. Eshtë lapidare kjo thënie e Dekartit, por është disi pasive. Ashtu siç e ka përshtatur Vinca në funksion të shkrimit të tij është aktive.
Nëpër botë shkruajnë natë e ditë mijëra e mijëra gazetarë dhe publicistë, por janë fare të pakët ata që guxojne t’i përmbledhin në një vëllim më vete shkrimet e tyre. Kjo ndodh se i tmerron e nesërmja, i tremben të nesërmes, tremben sa mund t’i rezistojnë kohës dhe kanë edhe plot arsye të tjera.
Agim Vinca nuk e ka këtë frikë, sepse e vërteta u bën ballë të gjitha kohërave.
(“Koha Ditore”, shtojca për kulturë, 7 korrik 2012)




