Nga Cristiana Allievi

Nga njëra anë, ai jep shumë pak intervista. E bën këtë për të mos rilexuar çdo herë një të kaluar, për të cilën ka punuar shumë për ta lënë pas. Por nga ana tjetër, njeriu që ka 20 vite që ka flirtuar me telashet (alkool dhe drogë, paparacë dhe video seksuale që përfunduan në rrjet) është si një përrua i vrullshëm kur flet.

Colin Farrell është një burrë plot jetë dhe gjëra të mira për të ndarë me të tjerët, dhe ditën e intervistës tonë ai është i veshur me ngjyra të çelura, i mban flokët shkurt dhe është në humor të mirë. Njeriu që është përndjekur kaq shumë nga fotografët saqë vendosi të vishte një bluzë ku shkruhej “Lëreni rehat Colin!”, një gjetje që pati aq shumë sukses saqë u shndërrua në një linjë veshjesh, ka arritur sot të zbulojë një të vërtetë të rëndësishme, e cila e ka bërë akoma më të pjekur: “Vetmia është gjithnjë e më thelbësore për mua, dhe këtë e zbulova falë pandemisë”.

Pikërisht në vetminë e ishullit Inishmore, ishullit më të madh në arkipelagun irlandez Aran, ai xhiroi filmin i cili tashmë i ka dhuruar Coppa Volpi në Venecia dhe një Golden Globe, dhe me shumë gjasa këtë muaj do ta çojë në fitimin e Oscarit të tij të parë.

Filmi “Shpirtrat e isuhllit” tregon jetën në një vend, ku përveç gjelbërimit të shumëpërhapur, nuk ka shumë gjëra që mund të bëhen. Aty ka vetëm një pijetore dhe një komuniteti banorësh shumë të mbyllur dhe fanatikë. Në këtë ambient, Padraic (Farrell) është një burrë që kujdeset për gomarin e tij prej vitesh, dhe Colm (Brendan Gleeson) është një mik i përjetshëm që befas nuk dëshiron më ta shohë apo të flasë me të.

“Nuk të dua më”, “Nuk jam më shoku yt” janë frazat që lëndojnë thellë. Çfarë mendoni për një komunikim kaq të drejtpërdrejtë?

Unë mendoj se njerëzit përdorin një gjuhë “brutalisht të ndershme” për të justifikuar të qënit mizor dhe të poshtër. Nga ana tjetër, konstatoj se ka një poshtërsi edhe në mos-komunikimin e së vërtetës së asaj që dëgjojmë.

Në këtë rrugë drejt komunikimit të ndjenjave, ku jeni ju vetë?

Edhe pse jam 46 vjeç, po mësoj ende si të shpreh mendimet dhe nevojat e mia, dhe kjo vlen për miqësitë, marrëdhëniet romantike dhe marrëdhëniet me dy fëmijët e mi. Dua të jem i sinqertë dhe të shprehem me dashuri, por kjo nuk i lehtëson gjërat, përkundrazi.

Cila është gjëja më e rëndësishme që keni kuptuar mbi marrëdhëniet njerëzore?

Që shumë shpesh e harrojmë se përgjegjësia në një marrëdhënie bie 50 për qind mbi ne. Nëse e harrojmë këtë koncept ky është një problem serioz.

Ndërprerje e një marrëdhënieje apo përpjekje për ta ndryshuar atë nga brenda:cilën rrugë do të zgjidhnit ju vetë?

Unë nuk jam një adhurues i madh i të kundërtave, të drejtës dhe të gabuarës. Të gjithë jemi dakord se nuk është e përshtatshme të lëndosh dikë me vetëdije dhe ta shijosh dhimbjen e shkaktuar. Por ndërkohë besoj se ndonjëherë, nëse bëj vërtet zgjedhjen më të mirë për vete, ajo nuk përputhet domosdoshmërisht me atë që do të donin njerëzit në jetën time.

Një ekuilibër shumë delikat…

Shumë i vështirë, sepse në thelb të gjithë ne mendojmë se lumturia dhe gëzimi i të tjerëve varen nga ne. Në fakt duhet të dish të durosh trishtimin, të shkosh përtej kësaj skeme. Por unë mendoj se të rinjtë janë më të aftë t’i thonë disa gjëra njëri-tjetrit dhe të mbeten miq.

Për Padraic, gomari i tij është shumë i rëndësishëm. Keni edhe ju të njëjtën ndjenjë ndaj kafshëve?

Kafshët janë të sinqerta, nuk janë as konceptuale dhe as “me 2 standarte”. Ato janë thjesht të pranishme në jetën tënde, janë të natyrshme. Po ju tregoj një histori të pabesueshme. Burri i vëllait tim Eamon, Steve, kishte melanoma. Kur e mori vesh, kuptoi se qeni i tij kishte 1 vit e gjysmë që sillej gjithmonë rreth tij, duke e nuhatur pikërisht zonën e trupit ku e gjetën masën kanceroze:pra qeni e nuhati helmin e kancerit.

Gjashtë muaj pas diagnozës, qeni u sëmur me të njëjtën sëmundje si Steve, melanoma. Kjo tregon një ndjenjë të atillë ndjeshmërie që i nxit kafshët të reagojnë ndaj asaj që ndodh. Ato kanë një mënyrë shumë thellë për të jetuar të tashmen, të cilën ne njerëzit e shpërdorojmë duke e intelektualizuar jetën tonë, për shkak të egos, krenarisë dhe frikës.

A keni pasur ndonjëherë një përvojë të ngjashme me atë të Padraic, ku dikush shkëputet me ju në mënyrë të dhunshme?

Jo në atë mënyrë, që është e tmerrshme, dhe unë nuk e mendoj se i kam investuar ndonjëherë emocionet e mia në një drejtim të tillë. Megjithatë po përshkruajmë dhimbjen, dhimbjen nga izolimi, që shfaqet në forma të ndryshme. Mund ta krahasoja me vdekjen e gjyshërve të mi.

Meqë po flasim për izolimin, a po na tjetërsojnë mediat sociale?

Ato po na largojnë nga intimiteti dhe interesimi për të biseduar. Mua më pëlqejnë bisedat, edhe nëse ndonjëherë mendimet dhe ndjenjat na shtyjnë të gjykojmë shumë shpejt, shkëmbimi i ideve me dikë që është i gatshëm ta ndryshojë mendimin e tij është diçka e shkëlqyer.

Çfarë mendoni për zëvendësimin e bisedave me teknologjinë?

Është një varfërim i madh. Edhe sepse nëse është e vërtetë që të gjithë jemi të prekur nga një lloj vuajtjeje, është gjithashtu e vërtetë që duke biseduar, ne kemi mundësinë të ndajmë gëzimin. Dhe ta bësh këtë gjë është shumë bukur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *