Delegacioni i “Batalionit të Atlantikut” viziton Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Një delegacion i gjerë me veteranë të “Batalionit Atlantiku” nga shqiptarët e Amerikës që u bashkuan në luftën çlirimtare të UÇK-së, i shoqëruar edhe nga disa kontribues të spikatur të çështjes kombëtare nga mërgata shqiptare, vizituan sot Selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë në vazhdën e aktivitetit disa ditor të emërtuar si “Rrugëtimi i Lirisë” që po mbahet me rastin e 20 vjetorit të këtij Batalioni. Delegacioni i udhëhequr nga ish komandanti, aktualisht kryetar i “Shoqatës Atlantiku”, z. Gani Shehu, dhe i shoqëruar nga z. Mark Gjonaj, u prit nga Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti dhe Nënkryetarja, znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, bashkë me deputetë, anëtarë kryesie dhe përfaqësues të tjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, mes të cilëve edhe bashkëluftëtarë të UÇK-së.

Duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë për anëtarët e delegacionit dhe për gjithë kontributin dhe sakrificat e mërgatës shqiptare në ShBA, Kryetari Kurti tha se gjatë shekullit të XX-të shqiptarët humbën shumë territore por fituan më shumë liri, që arriti në fund të ndalë një pjesë të rrudhjes së trevave kombëtare. Por ende sot liria e shqiptarëve dhe territori ynë mbeten të rrezikuara për shkak të politikave të Serbisë. Ai theksoi se në shekullin XXI nuk mjafton që Shqipëria është në NATO dhe se Kosova ka ndryshuar disa ligje për transformimin gradual të FSK-së në ushtri. Për mbrojtjen e lirisë dhe në kuadër të sigurisë kombëtare, është e domosdoshme që edhe forcat ushtarake të shqiptarëve të veprojnë e zhvillohen së bashku me të njëjtën doktrinë dhe me pajisje moderne që i përgjigjen zhvillimeve teknologjike të kohës, duke vazhduar e rritur bashkëpunmin me SHBA-në.

Lexo po ashtu:  Demantohet lajmi se Policia e Kosovës është e përfshire në aksionin e arrestimit të Dritan Goxhaj

Perfaqësuesit e delegacionit shprehën falenderimet e tyre, si dhe vlerësimin për punën e Lëvizjes në përparimin e idealeve kombëtare. Në mesin e përfaqësuesëve të “Batalionit Atlantiku” ishte edhe znj. Elinda Muriqi, e cila i ishte bashkuar Batalionit 20 vite më parë në moshën 16 vjeçare. Angazhimi i Znj. Muriqi në luftë është një tjetër dëshmi e kontributit të gjithanshëm, të drejtpërdrejtë e të paçmueshëm të grave shqiptare në përpjekjen për liri. Ne këtë takim u kujtuan me nderim tre vëllezërit Bytyqi nga “Batalioni Atlantiku”, që ranë dëshmorë në luftë. Sakrifica e tyre sublime tregon edhe një herë për mënyrën se si mërgata shqiptare ka dhënë gjithçka, përfshirë jetën, për çlirimin e atdheut. Në diskutimet e përzemërta mes disa prej bashkëluftëtarëve, u përmendën me respekt edhe episode nga lufta dhe zonat operative të UÇK-së.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është e përkushtuar në bashkëpunimin sa më të ngushtë e të intensifikuar me mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në Evropë e më gjerë. Mërgata shqiptare vazhdon të jetë edhe sot burim frymëzimi dhe një prej kontributdhënësve kryesorë në çdo projekt të zhvillimit dhe emancipimit kombëtar.

Lexo po ashtu:  Suedezja 15 vjeçare që po trondit botën

Prishtinë, 18 prill 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE! /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *